Nga: Aurel Plasari

Mbaj mend, nga vitet e studimeve në ballkanologji, diskutimet mbi konferencat e ballkanologut dhe albanologut Nikolla Jorga (1871-1940) të mbajtura nëpër kongreset ndërkombëtare, në Universitetin e Sorbonës, Paris etj. Ndër të tjera risi, Jorga synoi të introduktonte në studimin e historisë konceptin e “horizonteve” të cilat disa popuj i ftojnë për ekspandim, kurse disa të tjerëve ua mbyllin çdo perspektivë, por sidomos edhe i orientojnë në kahe të ndryshme.

Në të njëjtën bazë territoriale – kontinent, gadishull etj. – një popull kthehet kah njëra anë, kurse populli pranë tij mund të kthehet kah ana tjetër, duke përbërë kështu dy zhvillime krejt të ndryshme mes tyre, prej të cilave burojnë edhe dy politika të ndryshme dhe popujt, edhe duke qenë fqinjë, nuk do të kenë veçse tepër pak puqje “horizonti” mes tyre.

Në Gadishullin italik, për shembull, ata që ndodhen në lindje të Apenineve kanë qenë të kthyer historikisht kah bota bizantine – Venediku, Ravena etj. dukate bizantine – të tjerët kah Spanja ose Afrika e veriut. Suedia është e kthyer kah bregu tjetër i Baltikut, ndërsa Norvegjia është “oqeanike”, në kuptimin që bën pjesë në aksionin e një bote ishullore që mbërrin deri në Islandë. Në Gadishullin iberik katalanët janë mesdhetarë, ndërsa portugezët përfaqësojnë një tip atlantik, ata kolonizonin Afrikën, ndërsa njerëzit e Barcelonës luftonin kundër turqve në Azinë e Vogël.

Edhe më e qartë paraqitej për Jorgën kjo situatë në atë pjesë të Evropës që njihet me emrin turk “Ballkan”. Simbas tij, jo të gjithë popujt e Ballkanit janë në të njëjtën masë “ballkanikë”. Greqia, për shembull, është kthyer nga deti dhe e bën jetën me detin, nuk përbën çështje jetike për të “shpina ballkanike”, edhe pse nuk është indiferente ndaj saj. Serbia dhe Bullgaria janë vende mirëfilli “ballkanike”. Shqipëria, për Jorgën, është shumë pak “ballkanike” – për të mos thënë aspak – ajo është e kthyer kah deti, kah Italia dhe, nëpërmjet saj, kah pjesa tjetër e Evropës, qysh kohën e Ilirisë që për Jorgën “vështronte Italinë”. Disa herë e ka përsëritur ai tezën për Shqipërinë: të qenit e saj shumë pak “ballkanike” duke shërbyer si porta e Lindjes për në Perëndim dhe porta e Perëndimit për në Lindje.

Këto situata Jorga i futi në një kufizë me konceptin e tij origjinal të “permanencave të historisë” në kundërvënie me situatat e tjera historike që ndryshojnë, modelohen, përshtaten. Permanencat e historisë kanë të bëjnë jo vetëm me kushtet natyrore e gjeografike në të cilat një popull ndodhet, por edhe me ndjenjat e tij, me instinktet e tij, mbetëzat e një mendimi që mund të dukej i vdekur dhe është ende i gjallë e madje veprues. Këto situata i bëjnë popujt ngulmues në ato karakteristika në dukje “të mistershme”, të padepërtueshme prej historianëve me vështrimin të ngushtuar nga teoritë materialiste të cilat në veprimin social shikojnë vetëm e vetëm faktorin material, pa e dalluar që në historinë e popujve janë edhe ‘gjendjet mendore’ (les états d’éprit) që shpesh dominojnë gjithçka. Te këto ‘gjendje mendore’ qëndron më së shumti fuqia motorike e çdo lëvizjeje historike, ndërsa rezultati material që buron prej tyre mund të jetë, mandej, edhe ai vetë një faktor për aksionet e ardhshme.