Në datën 7 mars përkujtohet ardhja e Princ Vidit në Shqipëri dhe themelimin e Principatës Shqiptare.

Vilhelm Vidi lindi në Noi Vid të Gjermanisë më 26 mars 1876 dhe ishte djali i dytë i princit Adolf Maksimilian Karl Vid. U martua me Sofinë, princeshë e Shënburg-Valdenburgut. Në tetor 1913, Fuqitë e Mëdha i paraqitën Vidit propozimin për të marrë fronin shqiptar. Ai dha pëlqimin për këtë ofertë më 3 nëntor 1913.

Një delegacion shqiptar i kryesuar nga Esat Pashë Toptani shkoi në Gjermani për t’i ofruar atij fronin në emër të shqiptarëve. Më 7 mars 1914, Princ Vidi me oborrin e tij zbriti në Durrës. Ai nuk arriti të qëndronte gjatë në krye të fronit mbretëror shqiptar, për shkak të kryengritjes së shqiptarëve kundër tij si dhe fillimit të Luftës së Parë Botërore.

Më 3 shtator 1914, Princ Vidi u largua nga Shqipëria së bashku me familjen me anijen “Misurata”. Ai u angazhua si oficer i ushtrisë gjermane në këtë luftë. Pas përfundimit të luftës, së bashku me familjen e tij jetoi fillimisht në Tirol e më pas në Mynih. Më 1925 u vendos në Rumani në pronat e princeshës Sofia.

Lidhur me Princ Vidin, Fan Noli ka shkruar: “Princ Vidi mund të kritikohet vetëm pse s’qe në gjendje të bënte mrekullira”.

Vilhelm Vidi vdiq në Predeal të Rumanisë më 18 prill 1945./atsh