Silvana shkëlqeu si aktore e re, sa qe në moshë të duhur dhe para tragjedisë familjare, roleve në skenë ua dha talentin, sharmin, bukurinë, shpirtin e saj, por rrethanat e kohës nuk ia mundësuan që të bëjë karrierën e ëndërruar në film…

Shkruan: Daut Dauti

Kur para dy-tri javësh pashë në portalin Portalb një shkrim për Silvana Bajçinovcin, gjëja e parë që më shkoi mendja ishte nga e keqja: mos vallë paska ndërruar jetë aktorja? Pastaj pashë që ishte një portret dhe m’u lehtësua disi dhe më krijoi ndjenjë të këndshme fakti që dikujt i është kujtuar ta kujtojë një nga aktoret ikonike, por ndërkohë pothuajse të harruar, të skenës sonë teatrore. Nxjerrja nga harresa edhe nuk duhet të ketë qenë punë e lehtë, sepse, te rasti i saj tërheqja nga skena nuk ka qenë vetëm shkaku i pensionimit, por rezultat i rrethanave jetësore, një imponim fati çfarë ka përjetuar ajo, një zgjedhje apo përcaktim personal edhe i saj për të qenë larg skenës…

Për fat të keq, shkasi për këtë shkrim nuk është për ta kujtuar karrierën ose rikthyer Silvana Bajçinovcin në skenë, siç bënë disa kolegë e kolege të saj(Bajrush Mjaku, Ajete Rexhepi…), por lajmi i hidhur se ka ndërruar jetë.

Diku në fillim të karrierës së saj, kur në vitet 70-të ra në sy të publikut që me rolet e para teatrore, më kujtohet një intervistë e dhënë për gazetën “Flaka e vëllazërimit”(nëse s’gaboj, autor i intervistës ka qenë doajeni i gazetarisë së kulturës, Naxhi Ndoci), ku ajo kishte shprehur dëshirën dhe ambicien e saj për t’u bërë aktore e suksesshme e teatrit por dhe filmit. Krahas intervistës, ishte fotoja e saj ku shquhej fytyra tërheqëse, flokët e zeza të lëshuara mbi supe, një buzëqeshje e ëmbël…

Pastaj si shikues i rregullt i shfaqjeve të teatrit tonë të vetëm atëherë, në çdo rol të saj kujtoja fjalët ambicioze të intervistës dhe përherë e më shumë bindesha për potencialin që kishte si aktore dhe sa do ta meritonte një karrierë që ajo ëndërronte.

Nuk e kishte ambicien të pa bazë: kishte gjithçka që i duhej për një karrierë, ishte e re, e talentuar për skenë, shtathedhur dhe bukuri të natyrshme, sepse skena e donte paraqitjen e saj në çdo rol, dhe kishte atë që u përmend më sipër, e që një nga shkrimtarët e mëdhenj kroat, Kërlezha e parapëlqente te aktorët: të jenë të pashëm.

Silvana Bajçinovci me asgjë nuk mbetej mbrapa aktoreve të mjedisit të atëhershëm jugosllav, por për fat të keq, nuk e pati famën e aktoreve me të cilat do të duhej të matej, jo me fajin e saj. Karriera e dëshiruar në kinematografi mungoi. Jo pse s’ishte e denjë për të dalë para kamerave, përkundrazi, por sepse rrethanat ishin të tilla, kufizuese. Përderisa në Maqedoni bëhej një a dy filma të “Vardar-filmit”, nëse në gjithë Jugosllavi bëheshin 20-30 filma në vit, kinematografi shqiptare pothuajse nuk kishte, ajo ishte në fillet e saj, edhe atë vetëm në Kosovë, këtu në Maqedoni as që mund të mendohej. Ndaj dhe potenciali i Silvanës mbeti jo i shfrytëzuar sa duhet në film, ndryshe nga teatri, ku ajo la gjurmë të thella në shfaqjet e realizuara në ansamblin e Dramës Shqipe në kuadër të Teatrit të Kombësive në Shkup, me mbi 80 role të luajtura.

Nga biografia zyrtare që e botoi Portalb-i tri javë më parë, për jetën, s’ka çka të shtohet shumë. Ndoshta se pikërisht jeta e saj mund të jetë e denjë për një vepër filmike apo dramë, sepse sfidat që kaloi në jetë ndonjëherë ishin si të roleve që luajti në skenë. E detyruar të rrisë djalin si grua e ndarë, nuk e ka pasur lehtë. Një kohë të gjatë ka jetuar në kushte jo aq të përshtatshme, në dhomat e teatrit për aktorët pa strehë, ndërkaq më vonë në lagjen e Çairit në një garsonierë ku merrte frymë pak më lirshëm. Por goditja më e madhe i erdhi nga vdekja e hershme e të birit, Lekës, diku viteve 90-të, gjë që ndikoi edhe në demotivimin e plotë nga jeta artistike, për t’u tërhequr në gëzhojën personale të dhimbjes së nënës së mbetur vetëm.

Pikërisht ky fat i saj, me kalimin e viteve, më kishte ngjallur një ide për një përpjekje për ta kthyer në skenë, edhe atë jo me çfarëdo roli, por me një monodramë ku ajo do të rrëfente gjithë jetën e saj. I kisha thënë disa herë kur e takoja rastësisht nga lagja e Çairit se dua të bisedojmë rreth një ideje, dhe ajo ma kthente, po, po, kur të duash, por ideja mbeti ide. Në një monodramë-jetëshkrim, ajo do të mund të rrëfente për jetën, ndarjen, aktrimin, ambiciet, partnerët e skenës, partnerët e ndonjë filmi të rrallë ku ka luajtur, për emancipimin e femrës, paragjykimet ndaj aktoreve në mjedis patriarkal, si dhe, natyrisht për dhembjen për të birin, dhe keqardhjen për ambicien e parealizuar për t’u bërë aktore e madhe filmi.

Për fat të keq, koha është armiku më i madh i planeve të padefinuara të njeriut.

 Silvana shkëlqeu si aktore e re, sa qe në moshë të duhur dhe para tragjedisë familjare, roleve në skenë ua dha talentin, sharmin, bukurinë, shpirtin e saj. Çdo rol i saj është pritur mirë nga kritika, që nga ato të femrave të forta ose të ndjeshme bashkëkohore, ose të atyre të veprave klasike, për ta përmbyllur me një nga rolet më të bukur, atë të motrës së Gjergjelezalisë te shfaqja “Teatri obskur”, ku i kishte mpleksur dhembjen për vëllain në lëngatë dhe bukurinë përrallore si shtojzovalle me flokët e gjatë të lëshuar(meritë edhe e kostimografisë dhe regjisorit Ahmet Jakupi), ashtu çfarë do ta ruante edhe sot të freskët kujtimin për Silvana Bajçinovcin.

E patëm një aktore me potencial pothuajse holivudian, por rrethanat tona nuk mund t’ia krijonin kushtet për një karrierë të tillë.

Bioegrafia:

Është e lindur në Stari Tërg të Mitrovicës, në vitin 1955. Në Dramën Shqipe të Teatrit të Kombësive në Shkup (tash Teatri Shqiptar), ka qenë e angazhuar si  si aktore profesioniste që nga viti 1975, ku ka luajtur mbi 80 role, afro gjysmën prej të cilave,  kryesore.

Ndër rolet me të cilat ka mbetur në kujtesë: Motra e Halil Garisë te “Unë, Halil Garria”, Sanija te “Bashkëshortët” e Muharrem Qenës, Antigona në tragjedinë “Antigona” të Sofokliut, Fatimja në shfaqjen “Zbutësit e njerëzve me sy zymyridi” të  Teki Dervishit, “Nita” në shfaqjen e Josip Relës, “Berta” në shfaqjen “Anija e vjetër” e Reusl Shabanit, Kafsha në shfaqjen “Pahintikë në ëndërr” të Xhabir Ahmetit, E fejuara në shfaqjen “Mblesëria” të Çehovit, motra e Gergjelezalisë te “Teatri obskur” nga Agim Mala, etj.