Nga: Dashnor Kokonozi

Katër vjet pasi ishte përzënë nga Bashkimi Sovjetik, Shollzhenicini (Aleksandr Isayevich Solzhenitsyn), u ftua të mbajë një fjalim në Harvard. Është viti 1978. Veçse ndryshe nga ç’priste auditori, pra një kritikë të regjimit komunist, ai shqiptoi një pretencë të rreptë kundër botës moderne, vlerave të rreme të Perëndimit.

I ardhur nga një botë ku nuk kishe të drejtë të flisje, ai vjen në një botë ku mund të thoshe gjithçka, por kjo “nuk shërbente për asgjë”.

Ai kurrsesi nuk kërkon të vlerësojë regjimin totalitar dhe komunizmin që siç thotë është “asgjësimi i thelbit shpirtëror të njeriut”.

Shollzhenicini, për mua, është një burrë i veçantë më shumë se një shkrimtar i veçantë. Letërsia e tij nuk është më e mira në botë, por unë nuk njoh libër tjetër që të ketë ndikuar më shumë njerëzimin se sa Arkipelagu Gulag. Ai ka merita në zhbërjen e propagandës komuniste në Perëndim.

Por, për të sistemi liberal, sikundër sistemi socialist është një non-model!

Babëzine për të mira materiale ai e sheh si lodhje shpirtërore të njeriut perëndimor. Sipas tij, kur je i lodhur shpirtërisht, as armët nuk të shërbejnë me. Për t’u mbrojtur duhet të jesh gati të vdesësh, por në një botë ku ekziston kulti i mirëqenies tokësore askush nuk është i gatshëm për një gjë të tillë.

Humbja e besimit divin, presioni i reklamave, pornografia etj., kanë favorizuar rritjen e një njeriu të dobët, sakat (shpirtërisht). Shkëlqimi moral i perëndimit, thotë ai, zhduket menjëherë posaqë i mungon për disa orë korrenti elektrik etj.

(Diku duket ka parë se kjo është e mjaftueshme që qytetari amerikan të ngrihet e plaçkitë, sepse, thotë ai “e tillë është brishtësia e strukturës suaj sociale e zhvilluar në kultin e mirëqenies tokësore “)

Kam menduar gjatë për këto ide, por më shumë pas lindjes së nipit tim: A jeton ai ne një botë më të keqe se e imja?

Për t’ju përgjigjur kësaj, duhen shtruar disa pyetje të tjera: a është e vërtetë se sa më i varfër të jesh, aq më fibër të shëndoshë sociale ke?

Mendoj se varfëria është një lloj ndëshkimi të cilin nuk e do as Perëndia vetë. Te idetë e Sollzhenicinit ruan rol ortodoksia e tij e thellë dhe kjo është e drejta e tij që duhet respektuar, por them se ide të tilla nuk kanë lindur me krishterimin e aq më pak me ortodoksine.

Stoikët mjaft më përpara, janë në të njëjtën gjatësi vale.

Po vërtet, sa më e pasur aq më e keqe, e pashpirt e kurnace është shoqëria njerëzore? Sot pas 45 vjetësh nga ky fjalim i mbajtur në Harvard, kjo botë e pasur është më e keqe se ajo e një shekulli më parë, më egoiste, më indiferente?

Ka diçka që nuk më bind. Varfëria është një gjendje me parametra që evoluojnë. Në shek. VII-të, fjala vjen, njerëzit jetonin më keq se në shekullin e dymbëdhjetë, ku në sajë të zbulimit të qarkullimit të bimëve, u rrit prodhimi, po a ishin njerëzit më të këqij e më pak shpirtërorë?

Nuk më rezulton që ndonjëherë të ketë pasur më shumë ndërhyrje humanitare se sa sot në të gjitha krizat kudo në botë dhe shtoj këtu kalimthi se krahas vendeve perëndimore “të zvjerdhura” shpirtërisht e të degjeneruara moralisht, donatorët të mëdhenj janë disa vende myslimane të Lindjes së Mesme.

Njëzimin kurrë nuk e kam parë më solidar e të ndjeshëm ndaj padrejtësive në botë, duke filluar nga interesimi për atë që ndodh në qelitë e të burgosurve politikë në Turqi e kudo gjetkë ku njerëzit vriten e vdesin në harresë. Kujtoj, rastësisht kjo, shpërndarjen thuajse falas sot të terapisë kundër SIDA-s në Afrikë apo mobilizimin e laboratorëve perëndimorë për gjetjen e një ilaçi të Ebolas dhe shpërndarjen e tij falas (në një kohë tjetër i rrethonin dhe i lindin të shuheshin të gjithë aty brenda)

Nuk ka qenë gjithmonë kështu, mbi të gjitha nuk ka qenë një mijë vjet më parë.

Po ku është burimi i ideve të tilla të Sollzhenicinit?

Kam frikë se ai ka dashur të kompletojë figurën e tij prej shkrimtari të madh: kërkon të ketë edhe një doktrinë të tijën, pra krahas veprës letrare.

Shkurt, ka dashur të ketë edhe ai një doktrinë filozofike e morale, sikundër Leon Tolstoi, tolstoizmin.

Dhe … tolstoizon.

Edhe në mos qoftë kështu, sot pas 45 vjetësh, nuk shoh prova bindëse se dje kur ishte më e varfër, bota ishte më e mirë se sot.

Probleme ka boll, por janë të një natyre tjetër.