Enver Robelli

Më 24 janar 1906 inxhinieri Slavoljub Eduard Penkala, i cili jetonte në Zagreb, e patentoi në Budapest lapsin mekanik. Penkala u lind më 1871 në Liptovský Mikuláš të Sllovakisë. I ati i tij ishte sllovak, e ëma holandeze. Pasi studioi kiminë në Dresden të Gjermanisë, Penkala u shpërngul në Zagreb. Ai ishte inxhinier dhe shpikës i madh. Regjistroi mbi 80 patenta. Për shkak të dashurisë së madhe që kishte për Kroacinë dhe kroatët, Eduard Penkala i vuri vetes emrin Slavoljub. Bashkë me një ortak Penkala themeloi firmën «Penkala-Moster» dhe zbuloi edhe stilolapsin «Penkala». Sot firma bart emrin «TOZ Penkala». Më 1909 Penkala konstruktoi aeroplanin e parë dykarrigësh në Europë. Pastaj u organizua fluturimi i parë publik për shumë qytetarë të Zagrebit. Penkala vdiq më 1922 dhe u varros në varrezat Mirogoj të Zagrebit. Fjala «penkallë/a» në gjuhën shqipe ka depërtuar qëmoti, madje duke hyrë edhe në këngë popullore. Kështu «penkalla» prej një mbiemri të një inxhinieri nga Zagrebi u shndërrua në sinonim për stilolaps në viset shqiptare.