Pavijoni i Kosovës në Bienalen e 58-të të Venedikut dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) kanë promovuar katalogun e veprës “Family Album” të artistit Alban Muja.

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare, njëherësh edhe komisionare e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venecies, Arta Agani, ka deklaruar se gazetat ndërkombëtare e kanë vlerësuar Pavijonin më interesant në Bienalen e 58-të të Venedikut.

Siç ka thënë ajo, është gjë e rëndësishme që Pavijoni i Kosovës të zgjidhet në mesin e përfaqësive ndërkombëtare.

“Ne kemi filluar para një viti që të bëjmë përgatitjet. Ekipi ynë ka kaluar në faza të ndryshme të projektit. Fotografitë që janë të përfaqësuara këtu, janë historike të marra nga fotografët botëror. Shumë revista dhe gazeta ndërkombëtare e kanë përmendur si një ndër pavijonet më interesante. Kjo është e rëndësishme që në një përfaqësi aq të madhe të përzgjidhet pavijoni i Kosovës, me një sukses të madh. Jemi këmbëngulës që Kosova të marr pjesë në hartën ndërkombëtare të skenës bashkëkohore. Ministria e Kulturës, Zyra e Presidentit, Ministria e Integrimit Evropian, Ministria e Mjedisit e disa sponsorë të tjerë të cilët e kanë përkrahur pavijonin e Kosovës”, ka thënë ajo.

Ndërsa autori i katalogut, Alban Muja, ka thënë se e gjitha ka ndodhur për të rikthyer realitetin që ka ndodhur para 20 vjetëve.

“Ne kemi filluar punën për të ndërtuar një ekip që me sjell një projekt sa me të mirë e voluminoz. Kemi punuar disa muaj në krijimin e këtij koncepti. Ne kemi marr lejen për tri fotografi botërore, ku gjithçka fillon nga ato që ti përdorim për atë që ka ndodhur 20 vjet më herët. Projekti ka qenë sfidues për të treguar realitetin si dhe të jetë human”, ka thënë Muja.

Në anën tjetër, koordinatori i projektit, Engjull Berisha, ka bërë me dije se në vitin e ardhshëm i njëjti projekt do të jetë në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

“Ka qenë nder ne qenë pjesë e këtij projekti madhor. Kemi punuar intensivisht. Ka qenë një eksperiencë e paharrueshme. të njëjtën punë kemi me sjell në vitin e ardhshëm në Galerinë Kombëtare të Kosovës”, ka thënë Berisha./Epoka e re/