Edhe pse Albert Ajnshtajni kujtohet dhe njihet për kontributin e tij themelor në fizikën moderne, nuk ka dyshim se ai kishte një interes të sinqertë për filozofinë. Qysh kur lexoi një libër të Kantit për herë të parë, Ajnshtajni filloi t’i vendoste reflektimet e tij bardh e zi, duke iu përkushtuar veçanërisht shkrimit të teksteve filozofike. Nuk e konsideroi asnjëherë veten filozof në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, megjithatë në ditët e sotme mbështetemi në maksimumet e tij, pasi mbështetemi në mendimin e një urtësie të madhe të antikitetit.

Albert Ajnshtajni u lind më 14 mars 1879, në Ulm të Gjermanisë nga një familje hebreje. Ishte fëmijë i mbyllur, filloi të fliste me vonesë dhe e kishte të vështirë të lexonte. Metodat e prera mësimore, ku nxënësve nuk u lejohej të bënin pyetje, e bënte atë të ndjehej i burgosur. Me kalimin e viteve fizikanti i ardhshëm u apasionua pas matematikës. Në Institutin Politeknik të Cyrihut studioi fizikë dhe matematikë. Pas diplomimit, punoi për qeverinë zvicerane si inspektor patentash për shpikjet e reja… dhe më vonë punoi si pedagog në Zvicër dhe Gjermani. Studentët e tij tregojnë, se kishte aftësinë t’i ilustronte idetë e vështira me figura dhe krahasime që i bënin ato shumë të kuptueshme. Gjatë kësaj periudhe, ai filloi punën për teoritë e tij të ardhshme shkencore. Ajnshtaini ishte njeri i thjeshtë, i veshur me rroba të vjetra dhe me flokë që dukeshin të pakrehura…

Ai u largua nga Evropa, kur erdhi në pushtet Adolf Hitleri dhe u vendos në Shtetet e Bashkuara, ku vazhdoi punën e tij shkencore në Institutin e Studimeve të Avancuara në Prinston Nju Xhersi. Në vitin 1921, Ajnshtajni fitoi çmimin “Nobel” në Fizikë për zbulimin e ligjit të efektit fotoelektrik. Zbulimi çoi në zhvillimin e elektroteknikës, përfshi edhe radion dhe televizionin. Zbatimi në teknologjinë moderne të zbulimit të efektit fotoelektrik të këtyre viteve çoi në prodhimin e aparatit fotografik digjital, telefonit mobil, satelitët më modernë etj. Ajnshtajni konsiderohet si fizikanti me ndikimin më të madh i shekullit të 20-të. Një njeri i shkëlqyer, tmerrësisht i pasionuar pas mistereve të shkencës, zhvilloi teorinë e përgjithshme të relativitetit (e = mc2), që tani konsiderohet si baza e fizikës moderne.

“Gjëja më e bukur që mund të përjetojmë është misteri – si nxitësi për artin dhe shkencën e vërtetë. Ai, i cili nuk i ka shijuar këto emocione, ai njeri që nuk mund të qëndrojë dy minuta të ëndërrojë apo të pushtohet nga frika, më mirë të vdesë, sepse i ka sytë të mbyllur”, – shprehet Albert Ajnshtajn.

Edhe pse Ajnshtajni dhe teoria e tij e relativitetit ishin shkaktarë të zbulimit të bombës atomike dhe energjisë nukleare me përmasa të papara shkatërruese, gjatë gjithë jetës së tij qe një humanist i vërtetë dhe kundërshtar i rreptë i zbatimit të këtij zbulimi në forcat ushtarake. Po ashtu, Ajnshtajni ishte një rebel plot me kontradikta. Ja çfarë mësoi njeriu që u shndërrua në legjendë: “Heretik për disa dhe reaksionar për disa të tjerë, një njeri si të thuash, i mbijetoi vetvetes: “Ju imagjinoni, – këmbëngul ai me autoironi, – se unë shoh me kënaqësi veprën e jetës sime. Por, i parë nga afër, realiteti është shumë ndryshe. Nuk ka as edhe një ide të vetme, për të cilën unë jam i bindur se do t’i qëndrojë kohës”.

E megjithatë, 100 vjet pas zbulimit të të famshmes formulë të relativitetit të përgjithshëm, shkencëtari gjenial vazhdon të kujtohet si një prej mendimtarëve më të mëdhenj të historisë së njerëzimit. Në vitin 1999, në një sondazh të kryer nga revista “Bota e Fizikës”, njëqind fizikantët më të rëndësishëm të botës e kishin zgjedhur në vendin e parë në historinë e kësaj disipline, përpara Njutonit dhe Maksuellit. Mbas marrjes së çmimit “Nobel” në vitin 1921, miti i Ajshtajnit fitoi një popullaritet të jashtëzakonshëm në të gjitha fushat e kulturës: nga muzika (Beatles, Dylon, Clarkson, De Andre), tek kinemaja (Ajnshtajni i Liliana Cavanit), letërsia (“Vajza dhe profesori” i Jean Carriere, “Ëndrrat e Ajnshtajnit” i Alan Lightman), – nga opera (“Ajnshtajni në plazh” i Philip Glass), deri tek piktura (mendoni për sasinë e portreteve të realizuara nga Andy Warhol).

Ajnshtajni, mistik dhe laik, pacifist dhe ideues i bombës atomike, konservator dhe progresist, realist dhe ëndërrimtar, vetmitar dhe njeri i shoqërueshëm, egoist dhe altruist, krenaria e Shteteve të Bashkuara dhe njeri i vëzhguar nga FBI-ja, Ajnshtajni ia ka dalë gjithsesi që të heqë nga vetja çdo lloj etiketimi të ngurtë. Po ashtu bëhet një “mbështetës shumë i flaktë i mendimit të lirë, me përshtypjen se të rinjtë gënjehen qëllimisht nga shteti me mësime të gënjeshtërta”. Në fakt, “një qasje dyshuese kundër çdo lloj autoriteti”.

Mbi këto baza solide, të karakterizuara nga lufta kundër çdo lloj dogme dhe autoriteti, i riu Ajnshtajn hedh bazat e pasionit për studimin e të vërtetës, që do të jetë shenja dalluese e gjithë jetës së tij. Kur mbërriti në SHBA, Ajnshtajnit, si të gjithë emigrantëve të tjerë, i dhanë një pyetësor për të plotësuar. Ndër të gjitha pyetjet të cilave i duhej dhënë përgjigje, njëra pyeste: “Cilës racë i përkisni?”. Dhe ai iu përgjigj: “Racës njerëzore”.