Byfeja e teatrit. Një kafene e vërtetë ku pihej me meze. Drejtori me sekretarin e tij, Xhevdet Lilën, më njoftoi me regjisorin nga Anglia, Xheremi Jangun, i cili kishte veshur një xhakovento të kuqe, me një polluver bezh përmbi një xhemperi me qafë, në xhinse dhe atlete, faqe kuq, me flok të rralluar, i cili të linte përshtypjen e një dyzetë vjeçari që ende mbahej mirë. Me shtrëngimin e tepruar të dorës donte të linte përshtypjen e një njeriu të fuqishëm.
Nuk kishin kaluar as pesë minuta prej se qe ulur, pas pyetjeve e përgjigjeve konvencionale, e hodhi dorën mbi supin tim dhe tha: “Ju do të jeni një Hamlet fantastik.” E shikova drejt e në bebëzat e tij të kaltrta e të lëngështa. E hoqi dorën nga supi im. E kishte kuptuar shikimin .
E pyes drejtorin në ç’mënyrë e kishte angazhuar atë regjisor.
– I biri i Ragip Loxhës jetonte në Londër. Ai e ka gjetur dhe rekomanduar.
Me 5 janarin e ftohtë të vitit 1982 filluam me provat e leximit. I gjithë ansambli është tubuar. Ndjejë një kënaqësi të pa kufi.
Pas një çerek shekulli isha bashkë me kolegët, me të cilët e kisha nisur karierën e aktorit. Më në fund do të aktroja në gjuhën amtare.
Më çudiste fakti që as pas më shumë provash leximi, regjisori nuk na kishte thënë asgjë për vizionin e tij të shfaqjes, as që e kishte ofruar çfarëdo eksplikimi. Përshtypja ime – ai është zanatçi.
Telefonova në Londër. Pyes për të. U përgjigjën që kurrë nuk kishin dëgjuar për atë emër.
Nuk kishte kaluar as një javë, e tashmë qarkullonte barcoleta: – “Au-uh! Na mbyti Bekimi, duke punuar vetë me vetën.”
Me ndihmën e lektorit, dr. Rexhep Ismajlit, ia dola që për nja dhjetë ditë ta përvetësoja përkthimin e bukur dhe të pasur të Hamletit në gjuhën shqipe nga F.S.Noli.
Xhevat Qorraj, një aktor i talentuar, nuk bën përpjekje që të çlirohet nga theksi i gabuar; ose, ndaj një vrejtjeje të vogël rreth theksit logjik, aktorja e parë, e bukura syzezë Melihate Ajeti reagoi ashpër. “Mos na mëso ti ne! Edhe ne dimë diçka.”
Prisja bashkëpunim lidhur me idetë konstruktive.
Gjatë një prove Jang, një nxënseje gjimnazi që e luante Ofelinë, e quajti lopë. Askush nga të pranishmit nuk e kuptoi, përveç përkthyesit, Nevruzit. Regjisori mekanikisht shikoi drejtë meje. Ia tërhoqa vërejtjen se ai ishte mysafirë, se paguhet për punën e tij dhe të mos i fyente kolegët, sepse nuk do ta toleroja një gjë të tillë.
Kush e kishte gjetur atë liverpulas, kur për po ato para mund të angazhonin një regjisor shumë më të njohur nga Evropa.
Unë u zhvendosa në hotelin “Grand”. Zgjohem në orën pesë të mëngjesit. Në sallën për prova ushtroj prej orës gjashtë deri në nëntë e tridhjetë. Nga ora 10 deri 14 prova, prej 14 deri në 15 pushim. Nga 15 e 30 deri më 18 e 30 përseri punoj vetë më vete.
Kënaqem…
Kaluam në skenë. Regjisori nxiton. Kolegët nuk janë në gjendje që, pa e përsëritur mizanskenën më shumë herë ti mbajnë në mend të gjitha. Pas tri javësh punë, Jang është i pa kënaqur. Ia përkujtova që ne nuk ishim aktor anglezë.
– Nuk më intereson. Nuk kam kohë për të humbur!
– Kohë kemi mjaftë.
– Unë nuk kam. Me 2 mars do të duhej të mbahej premiera, sepse me 4 fillojnë obligimet e mia të reja.
– That me 2 mars?
– Po. Më tre do të udhëtoj. Të tillë e kam kontratën. Jam i paguar që regjinë e Hamletit ta bëjë për gjashtë javë. Për këtë arsye, ju lutem, të vazhdojmë me provat.
– Mu morën mendët.
Në zyrë drejtori i konfirmon fjalët e Jangut. E pyes si ka guxuar që të nënshkruante një kontratë të tillë kur e di çfarë biçimi njerëzish jemi, kur deri sot as ai vetë nuk e kishte mësuar tekstin e rolit ? Pse më kishte mashtruar? Përgjigjet qenë nga ato tipike “vetëqeverisëse.”
– Unë nuk mund ta bëj për gjashtë javë. Fatkeqësisht nuk i kam aftësitë e juaja! – thash dhe i nervozuar ika në hotel.