(Përplasja e kulturës perëndimore dhe lindore në sferën e artit pamor në romanin “Unë jam e kuqja” të Orhan Pamuk )

Dhurata ALIJA

Shkruar nga nobelisti Orhan Pamuk në vitin 1998, “Unë jam e kuqja”, është kryevepra që i solli autorit njohje ndërkombëtare. Roman i cili gërsheton tematika të ndjeshme, “Unë jam e kuqja” sjell te lexuesi dinamikën e një grupi miniaturistësh të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, grup ky i ngarkuar me detyrë diskrete nga ana e Sulltan Muratit III. Detyra diskrete ishte përgatitja e një libri që do t’i dhurohej pushtetmbajtësit në Perëndim nga pushtetmbajtësi në Lindje, me çrast do të tregohej edhe superioriteti i dëshiruar nga të dyja anët, por i mundësuar vetëm për njërën. Me elemente surreale dhe rrëfim postmodern, Pamuk problematizon polarizimin e kamotshëm të këtyre dy kulturave që shtrihet deri në degët më të brishta të artit. Me të parë artin e Rilindjes italiane, personazhi i Enishtes ndien shtrëngesë për përdorim të teknikave të njëjta të pikturimit në librin që Sulltani e kishte kërkuar. Kjo rezulton në lindjen e armiqësisë mes miniaturistëve, për të cilët arti përfaqësonte pasqyrën e devotshmërisë; duke shtyrë kështu njërin prej tyre të kryej vrasje.

Rrëfimi postmodern i Pamuk, ironik ndaj rrëfimit “status quo” të shumicës së prozatorëve, në dukje i bashkëngjitet këndvështrimit islamik rreth asaj se arti i krijuar përmes këndvështrimit të vetëm (njerëzor), është i gabuar. Ideja që çdo vepër artistike e realizuar në vetën e parë është një fyerje ndaj perëndisë, theksohet kur personazhi i Ullirit thotë: “djalli është ai që i pari e shqiptoi fjalën ‘Unë’!” Pamuk, duke prekur një temë delikate, vendos në sfond anikonizmin islamik, me çka dhe e përkujton lexuesin për pikëpamjen platonike të këtij religjioni: “Unë dua të jem kuptimi i pemës, e jo pema vetë”. Të përkujtuarit e hyjnores është qëllimi kryesor në artin lindor, për dallim nga arti perëndimor që përpiqet edhe për një përfaqësim të saktë të botës fizike, gjë që më vonë rezultoi në përdorimin e perspektivës në artin perëndimor katolik, duke filluar nga periudha e Rilindjes e tutje. Gjegjësisht, përderisa arti perëndimor hyjnoren e sjell përmes antropomorfizmit, arti lindor i qëndron besnik anikonizmit, por sërish duke pasur sukses në të përkujtuarit e hyjnores, “sepse piktura është thjeshtë një përkujtim”.

Këtë sukses në përkujtim, arti islamik e arriti me përqendrim në zhvillimin e një lloj fjalori të formave, veçanërisht në shkrim; përdorimi i formave të stilizuara, vegjetative e të përsëritura, të cilat njihen si “Arabesque” (ar-Rab-esko: që do të thotë në rrugën e perëndisë, i cili ia mundësoi besimtarëve të lirohen nga shpërqendrimet e botës dhe të kujtohen për jetën pas vdekjes dhe për krijuesin e botëve, të plotfuqishmin “rab”: Zotin). Kështu, gjuha arabe në artin lindor përdoret për të simbolizuar natyrën transcendente dhe të pafund të hyjnores. Estetika e artit islamik arrin majën kur shkrimi (përveç pasazheve nga Kur’ani) shndërrohet gjithashtu në skema të dy dhe tre dimensioneve, të tilla si: gjysmëhëna – “hilal”, tulipani – “tulipan”, dhe shkronja apo numri i dyfishtë “wav”. Profeti Muhamed përfaqësohet nga simboli i trëndafilit, por tulipani, si simbolizues i perëndisë, mbetet forma dominuese.

Për arsyet e lartpërmendura, artistët lindor priren të kenë imagjinatë shpirtërore (gjë që njashtu përdoret si arsye për t’u verbëruar nga ana e miniaturistëve në roman) dhe një pikëpamje platonike; njeriu është i paaftë për të kuptuar të vërtetën me sy të lirë, sepse vetë bota në të cilën jetojmë, sipas Kur’anit, është një iluzion: “jeta e kësaj bote nuk është tjetër pos një përjetim mashtrues” (Kur’an, 3: 185). Miniaturistët sufistë, të ndikuar kryesisht nga arti kinez, zhvilluan një lloj tjetër të artit lindor: atë të miniaturës osmane. Tradita e pikturës në miniaturë është zhvilluar si një mënyrë për të ilustruar kaligrafinë, kështu duke krijuar imazhe që nuk bien ndesh me anën normative të fesë, ndërsa ngjyra më e përdorur në miniaturat osmane ishte e kuqja. Miniaturistët nuk nënshkruheshin për shkak të refuzimit të individualitetit, por edhe për arsye se miniaturat nuk ishin krijuar nga vetëm një miniaturist: “Mjeshtëria e vërtetë konsiston në pikturimin e të paarritshmes, e megjithatë, duke mos lënë asnjë gjurmë të prekshme për piktorin”.

Duke kryqëzuar ngjarjet në roman me mitet e kulturës së lashtë persiane, Pamuk nxjerr në pah paradoksin e këtij arti të vdekur. Përderisa tre mënyra të ndryshme të pikturimit janë aktuale në miniaturën e tyre: përdorimi i syve, përdorimi i imagjinatës dhe kopjimi i figurave të bërë nga mjeshtërit paraardhës, sërish nuk qartësohet dilema rreth asaj se cili stil qëndron më afër panoramës së perëndisë. Arti perëndimor ose “i jobesimtarëve” sipas miniaturistëve, mëkaton duke kundërshtuar zakonin islamik me theksimin e karakteristikave individuale (për myslimanët, theksimi i tepërt i individualitetit të një personi, veçanërisht në kontekstin e artit përfaqësues, rrezikon ngritjen e qenies njerëzore në një status që ka të ngjarë të ofendojë lavdinë e perëndisë). Mirëpo Pamuk, nëpërmjet zërit të kafshëve e identifikon po të njëjtin mëkat tek miniaturistët.

Personazhi i Kalit sugjeron që stili perëndimor është paradoksalisht më në përputhje me dogmën islame. Në këtë mënyrë, miniaturistët akuzohen për pikturimin e rrejshëm të kuajve dhe tregohet historia e një princi që u rrit i mbyllur në një dhomë, e që kur më në fund u la i lirë, i kërkoi dikujt që t’i sillte një kalë; megjithatë, kur ia sollën, princi u zemërua aq shumë që kali nuk ishte si në ilustrimet e miniaturistëve, sa që urdhëroi të theren të gjithë kuajt në mbretëri. Paraqitet një këndvështrim i ri dhe provokues: “A nuk është idhujtari – Zoti na ruajt – kur piktori mendon se mund të krijon të njëjtën gjë që krijoi Allahu? A nuk dalin nga besimi mu ata piktorë që, duke mos qenë të kënaqur me atë që shohin sytë, pikturojnë njëmijë herë kuajt që i shohin në ëndrrat e tyre, duke pretenduar se pikturojnë pikturën që Vetë Allahu pa, dhe kështu verbohen?“ Sipas rrëfyesit, janë miniaturistët ata të cilët përdorin mënyrë të rrejshme për të adhuruar perëndinë dhe beson se mënyra e vërtetë e adhurimit të perëndisë është pikturimi i botës ashtu siç e krijoi perëndia, ndonëse kjo duhet bërë përmes perceptimit njerëzor.

Por me (pa)përfundimin e një debati të nxehtë, si personazhi i Drurit, ashtu edhe personazhi Kara i qëndron pas idesë se piktura nuk duhet të ekzistojnë më vete; ajo gjithmonë duhet të jetë pjesë e një historie më të gjerë, duke theksuar kështu lindjen e debatit vijues – atë të ekphrasis; a mund të ekzistojë piktura pa fjalën? Fakti që miniaturisti i jep formë diçkaje bazuar në atë që ka lexuar, në një mënyrë apo tjetër shfaq tendencat e Pamuk për të akuzuar edhe letërsinë për kryerjen e “mëkatit” të mimesis. Nga ana tjetër, kur personazhi i Enishtes i afrohet pranisë së perëndisë, ai rrethohet nga një hije e kuqe e shkëlqyeshme, duke e çkoduar kuptimin e fshehur të fjalëve të së Kuqes: “jeta fillon dhe mbaron me mua, më beso, gjithçka kthehet tek unë” (Pamuk, 2007). Fakti që nuk gjykohen si mëkat eksperimentet e personazhit të Enishtes me teknikat e artit perëndimor, jep një përgjigje për këtë debat qendror që është çuditërisht edhe përfundimtar, duke pasur parasysh shumësinë dhe kompleksitetin e mendimeve të dhëna në roman, veçanërisht ato të dhëna nga mjeshtri Osman./Hejza/