NGA MERXHAN JAKUPI

Sa paradoksale tingëllon bota pas pandemisë Covid-19. Tashmë gati se një vit njerëzimi në rruzullin tokësor ndeshet me depresion, psikozë dhe histeri kolektive. Rritja e borxheve dhe kredive në shumë shtete është i ndjeshëm pas pandemisë. Nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kreditë kanë arritur shifrën prej 200 miliardë dollarësh. Shumica e shteteve, kreditë e vjetra i kanë mbuluar me kredi të reja. Shumë shtete, në periudhën e pandemisë kanë shtypur kartëmonedha të reja, mirëpo kjo nuk ka mund të eliminojë dhe të zbusë recesionin ekonomik. Në të ardhmen, këto shtete do të përballen me devalvim dhe inflacion. Po ashtu, edhe shtetet e zhvilluara perëndimore, SHBA dhe BE kanë shtypur dollarë dhe euro, por me rritjen e prodhimit, ato nuk do të përballen me devalvimin e valutës. Shtetet e tjera do të vazhdojnë marrjen e kredive nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, në mënyrë që në të ardhmen të mund të dalin nga recesioni ekonomik dhe inflacioni, thonë studiuesit dhe ekspertët ekonomikë. Këto shtete më së shumti varen nga eksporti i derivateve, riprodhimeve, migracionit dhe turizmit. Këtë kataklizëm do ta kenë vështirë ta tejkalojnë edhe shtetet e Ballkanit perëndimor. Pas pandemisë, depresionit dhe histerisë së shteteve jo mjaft të zhvilluara, shumica e qytetarëve në vendet e Ballkanit perëndimor do të jenë të lumtur vetëm nëse shpëtojnë nga vdekja shkaku i pandemisë. Për varfërinë dhe barkun e zbrazët, ata janë të mësuar dhe kanë përjetuar kriza edhe më të rënda. Pas pandemisë, qeveritë do të fillojnë të nxjerrin tabela për numrin e të vdekurve nga pandemia. Shtetet e Ballkanit perëndimor dhe qeveritë e tyre, të vetmen shpresë kanë nga ndihmat e BE-së, ndërsa shumë të rinj e shohin ardhmërinë dhe shpresat për një jetë më të mirë në shtetet e BE-së.

SHEMBJA E POLITIKËS AVENTURIERE

Pas një viti të mbrapsht me Covid-19, shumica e njerëzimit në këtë planet shohin shpresë dhe presin me optimizëm marrjen e vaksinës për imunitet, që pritet të përfshijë 80 për qind të njerëzimit në botë. Optimizmi i radhës është fitorja e demokratëve dhe presidenti amerikan, Xho Bajden. Sepse, që nga dalja e SHBA-së në skenë pas Luftës së Dytë Botërore, si superfuqi dhe shtet me tradita më të vjetra demokratike, nuk ka pasur president më të marrë, egocentrik, gënjeshtar e ksenofob se presidenti Donald Tramp, me ardhjen dhe fitoren e republikanëve, para katër vjetësh. Administrata republikane, me në krye presidentin Tramp, zgjodhi diskursin, agjendën dhe politikën aventuriere. Askush nuk mendonte se lidershipi, polici dhe superfuqia gjeostrategjike ushtarake, ekonomike dhe politike do të humb shkëlqimin. Me qeverisjen katërvjeçare të presidentit, Donald Tramp, SHBA humbën kredibilitetin, reputacionin si superfuqi në botë, duke rrëshqitur në hedonizëm dhe duke u tërhequr dhe mbyllur në guacë. Në katër vitet e administrimit të Donald Trampit, që nga depresioni dhe recesioni ekonomik të viteve 1920, SHBA nuk ka qenë në një kaos dhe anarki të tillë që kanosej edhe me konflikte  qytetare. Tramp u tall me Coronën, ndërsa administrata përçau qytetarët amerikanë, në “të kuq” dhe “të kaltër”, në pluralizëm ideologjik dhe racizëm. Presidenti në agjendën e politikës së jashtme bëri shumë armiq, prishi marrëdhëniet transatlantike me aleatët e vjetër, tradicionalë, evropianë dhe ashpërsoi luftën tregtare me Kinën. Më 3 nëntor triumfuan demokratët dhe presidenti karizmatik, Xho Bajden, i cili ishte një dritë në atë tunel të errët për SHBA-në dhe botën. Kur presidenti i ri amerikan Xho Bajden, më 20 janar 2021, do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, do të përballet me shumë sfida dhe barriera. Presidenti në ikje, Donald Tramp, sipas disa studiuesve dhe politologëve nuk do të pranojë t’ia dorëzojë mandatin presidentit të ri, Xho Bajden. Tramp do të tentojë me çdo kusht të mbetet në pushtet edhe për një mandat.

XHO BAJDEN S’ DO TË BASHKËPUNOJË ME LIDERËT E KORRUPTUAR TË BALLKANIT

Impulsi dhe diskursi i ri politik i administratës amerikane dhe të presidentit Xho Bajden do të jetë çelës për ndryshimet politike në Ballkan. Analisti politik gjerman, Bodo Veber ka theksuar se do të ketë ndryshime në krahasim me administratën e republikanëve dhe Donald Trampin në Ballkan perëndimor. Presidenti Tramp kauzën dhe ngërçin në Ballkan deshi ta zgjidh pa lidershipin evropian, ai ka trimëruar, legjitimuar populistët, ultranacionalistët, trashëgimtarët e liderëve nacionalistë e shovinistë të viteve ’90. Administrata e demokratëve dhe presidenti Xho Bajden, sipas analistëve dhe politologëve do të kërkojë liderë të rinj pragmatikë, transparentë dhe vizionarë.

Sipas David Philips, një diplomat amerikan dhe njohës i mirë i çështjes së Ballkanit perëndimor, presidenti i ri amerikan Xho Bajden nuk do të bashkëpunojë me elitën e liderëve politikë të korruptuar dhe të inkriminuar. Administrata e demokratëve ka thënë se nuk do të bashkëpunojë me qeverinë e Aleksandër Vuçiqit, një qeveri me një monolitë partiake, pa opozitë që ka nën kontroll mediet, legjislacionin, gjyqësorin dhe monopolin mbi to. Po ashtu, presidenti Xho Bajden i cili është mik i shqiptarëve dhe boshnjakëve, ka thënë se nuk do të bashkëpunojë me qeverinë e tashme të Tiranës që i ngjanë një qeverie të Italisë të dalë pas Luftës së Dytë Botërore. Në Kosovë, administrata e re e demokratëve pret që të vinë liderë të rinj pa hipoteka, stereotipe siç është Vetëvendosja e Albin Kurtit dhe Vjollca Osmanit. Në Bosnjë kanë filluar ndryshimet. Lideri nacionalist dhe populist i serbëve të Bosnjës, Mirosllav Dodik, ka pësuar fiasko në Banjallukë dhe qytete të tjera. Po ashtu, edhe partia boshnjake dhe SDA të liderit Bahir Izetbegoviq është dobësuar dhe ka humbur besimin e elektoratit. Republika e Maqedonisë së Veriut është kapur nga një bllokadë e vendosur nga Bullgaria fqinje në rrugën e saj të euro-integrimeve, për shkak të keqkuptimeve për të kaluarën historike, për të hapur negociatat me BE-në. Ngërçi dhe përplasjet mes dy shteteve janë çështjet e identitetit dhe të gjuhës së popullit maqedonas. Administrata në Shtëpinë e Bardhë dhe presidenti Xho Bajden do t’i ndihmojë liderët e Ballkanit perëndimor në koordinim me Brukselin, në mënyrë që vendet e tyre të integrohen sa më parë në BE, që është edhe në interes të saj.