Shtigjet për ecje janë rrafshuar, pasi janë shtruar me gurë andeziti. Muret rrethuese dhe shtyllat e ndriçimit janë rinovuar. Ndërsa rubineta e çezmës, ulëset dhe shportat e mbeturinave janë zëvendësuar me të reja. Në fund janë mbëltuar edhe 20 fidanë të rinj. Kësisoj, hapësira përreth “Namazgjahut”, që përshkruhet si është monumenti më i lashtë osman në Prizren, është rregulluar sërish. Pas përfundimit të projektit të mbështetur nga KFOR-i turk, oborri i “Namazgjahut” apo “Kërëk Xhamisë”, është vënë sërish në shërbim të qytetarëve.

Sipas përfaqësuesve të shtetit turk në Kosovë dhe autoriteteve komunale, ky projekt pritet të ndikojë në zhvillimin e turizmit kulturor, në periudhën post pandemike.

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, ka theksuar se “Namazgjahu” është dëshmi e historisë së përbashkët dhe se rregullimi i sërishëm i oborrit do të ketë ndikim edhe për zhvillimin e turizmit.

“Ky monument është i rëndësishëm për nga aspekti i historisë sonë të përbashkët në Kosovë, por edhe për zhvillimin e Prizrenit si një qytet turistik. Po i përcjellim dhe po i përkrahim investimet e Komunës së Prizrenit për të nxjerrë në pah vlerat turistike të qytetit”, ka thënë Sakar. Sipas tij, për fat të keq, pandemia COVID-19 si në të gjithë botën ashtu edhe në Kosovë pati ndikim negativ në sektorin e turizmit. “Por sapo të marrë fund pandemia besoj se këto investime do të shpaguhen”, ka thënë Sakar, teksa ka shprehur mirënjohje për paqeruajtësit turq dhe gjithë akterët e tjerë të përfshirë për jetësimin e këtij projekti.https://www.youtube.com/embed/MaKVw5zGJJ4

Ndërsa, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka theksuar se “Namazgjahu” apo qysh njihet nga vendasit “Kërëk Xhamia”, është njëri prej monumenteve më të vjetra në këtë komunë, që daton nga shekulli XV.

“Është bërë rregullimi i tërësishëm i kësaj hapësire, ku pos rregullimit të kubëzave, ulëseve, shportave për mbeturina, rrethojës, çezmës po ashtu është bërë edhe mbjellja e fidanëve të rinj. Ky është vetëm njëri nga projektet që së bashku i kemi pasur me agjencitë nga Republika e Turqisë”, ka deklaruar Haskuka.

Ai ka shprehur bindjen se kujdesi ndaj vlerave të trashëgimisë kulturore do të ketë ndikim në zhvillimin e turizmit kulturor.

“Me siguri, ruajtja e trashëgimisë kulturore është një nga prioritetet e Komunës dhe do të kontribuojë më tepër në zhvillimin e turizmit kulturor. Ashtu siç u tha, në vitin e kaluar turizmi u prek shumë keq nga pandemia, por shpresoj që sivjet së bashku me vaksinën do ta tejkalojmë atë dhe t’u kthehemi punëve në turizëm”, është shprehur Haskuka.

Sipas të dhënave të prezantuara në këtë organizim nga paqeruajtësit turq, “Namazgjahu” si aset i trashëgimisë kulturore të Kosovës ka rëndësi të veçantë për shkak se është monumenti më i lashtë osman në Prizren. Gjithashtu, është theksuar se gërmimi dhe restaurimi i këtij monumenti janë bërë në vitin 2002, si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Komandës së Batalionit Turk në Kosovë, Komunës së Prizrenit, Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Kryesisë së Bashkësisë Islame në Prizren, Kryesisë së Dijanetit të Republikës së Turqisë, Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe Departamentit të historisë së arteve të Fakultetit të Letërsisë së Universitetit Gazi. Ndërsa, rregullimi i oborrit është bërë në vitin 2008 nga Komuna e Ankarasë. Njëherësh është bërë e ditur se ky është projekti i 198-të i KFOR-it turk në Prizren./koha.net/