Nga: Fan Noli
Transkriptuar dhe pajisur me shënime nga: Agron Alibali[1]

“Zoti Kryetar, Fort i Përndershëm Imam, Fort i Përndershëm Baba, të përndershëm priftërinj, zonja dhe zotërinj.

Doktori[2] qëparthi përmendi fyellin[3] e Faikut, ndjesë pastë. Edhe ay fyelli i Faikut më kujton një meselé.

Si Faiku ashtu edhe unë kam patur një dobësi për muzikën, edhe kur vajta në Shqipëri, duke ditur ato hallet e mbëdha që kishim të përballnim, mora edhe një fyell pas, [të qeshura nga salla], që këtu atje të harronj hallet.

Ditën e parë, kur pata, gjeta kohë t’i bie pakëz fyellit, ky bashkëfjalim ngjau në kafenenë e parë të Tiranës:

– Si venë punët e Shqipërisë?

– Keq e mos më keq – thotë ay tjatri.

– Cili është shkaku vallë? [‘1:00]

– Eh, shkaku, ti e di” – tha. Kur Kryeministri i bie fyellit edhe Shqipëria digjet, bër hesap [të qeshura dhe duartrokitje në sallë].

Edhe s’ishte vetëm halli me Kryeministrin që i binte fyellit, ishte edhe halli i Ministrit të Luftës[4], i cili kishte shumë dashuri të madhe për vallet e evgjitkave [të qeshura]. Gjithënjë thërriste shokët edhe ipte drekëra edhe thërriste evgjitkat e Tiranës që të loznin valle atje. U ndodha edhe unë njëherë në një nga ato […] zijafetet. Edhe t’ju thom të vërtetën, u çudita me ato vallet e bukura të evgjitkave të Shqipërisë. [‘2:00]

E pastaj m’u kujtua se s’janë vetëm evgjitkat tona që lozin valle të bukura. Evgjitkat e Spanjës – ato vallet spanjolle, për shëmbull, të cilat janë me famë në tërë botën, kush i lot më bukur? Evgjitkat edhe evgjitët e Spanjës.

Janë valle spanjolle, jo valle të evgjitkave, se ndryshojnë nga vëndi në vëndje. Po evgjitkat dhe evgjitët s’kanë ndonjë punë tjatër të shkretën edhe rrojnë me muzikën edhe me artin, edhe ato specializohen në ato degë.

Kështu që kemi vallet e bukura spanjolle të lojtura nga evgjitkat e Spanjës edhe evgjitët e Spanjës, vallet e bukura të Shqipërisë, të cilat lohen prej evgjitkave, avazet e bukura që lohen prej evgjitëve të Shqipërisë, avazet e bukura të Hungarisë, prapë evgjitët e Hungarisë, edhe avazet e bukura edhe vallet e Rusisë, të cilat përsëri i lozin evgjitët edhe evgjitkat e Rusisë. [‘3:00]

Këto të gjitha m’u kujtuan këto dy vjetët e funtme që ardhnë disa kompanjira të Maqedonisë, të Jugosllavisë edhe të Greqisë, edhe programi i tyre natyrisht ishin vallet e tyre, të cilat i quanin kombëtare. Nga ato vallet e grekëve dhe të maqedonasve edhe të sërbëve, 80 përqind e valleve ishin shqiptare. Ajo është përshtypja ime.

Do të ishte ndonjë gjë e bukur sikur tanët, shqiptarët tanë, të na dërgonin edhe ata një trupë, e cila të na prezantonte vallet shqiptare, ashtu siç i kemi parë, ashtu siç i kam parë edhe unë vetë kur na thërriste Ministri i Luftës, edhe ashtu siç i kam parë kur na thirri Loni Kristo[5] njëherë në një dasmë në Devoll. Ato vallet e devollinjve dhe ato vallet e evgjitkave të Tiranës, edhe ato vallet [‘4:00] që shikoje në fshatin tonë me të vërtetë janë valle të kllasit të parë, dhe mund të thom të vetmit të cilët mund të rrijnë pranë shqiptarëve janë spanjollët edhe rusët.

Shoku ynë, Nick Kreshpani[6], na këndoi një Këngë të Nënës, dhe ajo më kujtoi një, një meselé të Nënës time, ndjesë pastë. Lëvdata e saj ishte kjo: “Djali im ka vetullat më të trasha në fshat!”. [të qeshura në sallë]. Nëna, ndjesë pastë, nuk çante kokën fare se ç’kisha prapa vetullave. [të qeshura, nga Noli dhe nga salla].

Tashi mund të vijmë në themën e ditës. Shumë nga shqiptarët na qahen me këtë menyrë:

“Ore ç’kini bërë që lëvdoheni aq shumë”. [‘5:00]. Edhe kur ta thonë me këtë menyrën natyrisht është sikur ta presin gjuhën. Se s’kemi lënë kusur. I kemi bërë që të gjitha pothuarë.

Ç’kishim në program të bënim?

Kishim në program të bënim një Shqipëri indipendente – e bëmë! Të mirë a të keqe, e bëmë. Nuk mund të presnim nga foshnja, kupton, që t’i ketë të gjitha mirësitë. Foshnjës duhet t’i ipet kohë të rritet e të tregojë se ç’është. S’mund të qortosh prindërit e t’u thuash: “Ç’kini bërë me këtë foshnje këtu?”. Duhet të presim sa të rritet foshnja e të tregojë se ç’lule është.

Shqipërinë e kishim në program që ta bënim – e bëmë! Bëmë një Shqipëri indipendente.

Kishim në programin tonë që të bënim një Kishë Autoqefale të Shqipërisë. E bëmë! Të mirë a të ligë, e bëmë!

Ua lemë si barrë të tjerëve që t’i mirësojnë! Po, ne e bëmë! [‘6:00].

Tashi pasi të bëjmë këtë lëvdatë, duhet t’u heqim vërejtjen shokëve e t’u thomi: që këto të gjitha nuk i bëmë nga e mosqëna, nga hiçja.

Për shëmbull shumë thonë, se shqiptarët s’kanë patur patriotizmë. Gjë më e gabuar se kjo s’ka.

Hap Mbletën Shqiptare të Efthim Mitkos, të botuar më 1878, ku ka mbledhur këngë popullore, të cilat janë, disa nga ato janë nga shekulli XVIII edhe disa nga ato janë nga shekulli XIX.

Do t’ju thom një nga këto vjershat popullore, e cila është në Mbletën Shqipëtare, e cila provon katërçipërisht [‘7:00] që shqiptarët kanë patur një patriotizmë të thellë përpara se të nisi ajo që quajmë Lëvizja Shqiptare Moderne, të cilën ne e nismë që nga koha e Kristoforidhit, që më 1875 (1878?).

Vjersha popullore që do t’ju deklamoj tani është shkruar që më 1850, kur u bë kryengritja e Labërisë në kohën e Tanzimatit. Turqia deshte të impononte Tanzimatin, një kanun të përgjithshmë për tërë viset e Turqisë. Edhe ahere ajo domethënë që ca të drejta të paka vetëqeverimi që kishin shqiptarët do t’i merrte edhe ato Turqia. Dhe kështu vendi do të robërohej fare. Edhe populli u ngrit.

Kryetrimat e kësaj lëvizjeje qenë Rrapo Hekali, Hodo Nivica edhe Gjonleka.

Kënga që do t’ju thom tashi është “Kënga e Rrapo Hekalit”. Është vetëm njëmbëdhjetë radhë…

Do t’jua thom se ma kujton Faiku, [‘8:00] i cili e mbante gjithnjë në gojë dhe gjithnjë e deklamonte.

Edhe pastaj do t’jua analizonj pak:

“Hajde mor Rrapo Hekali
Kur thërret sa tundet mali
Hajde more Rrapo e lule
Lum si ti bilbil që zure
Një pashá me shtatë tuje.
Topi bam e ti po tutje
Plumbat të binin mbi supe.
As u trëmbe, as u tute.
Se Hodo Nivica shkoi,
Kofshën derrit ia dërrmoi
Ngriti flámurin te kroi.
Pse lëfton o derëzi?
“As për mua, as për ti!
Po për gjithë Shqipëri!”

Hapni Mbletën Shqipëtare, Mbletën Shqipëtare të Efthim Mitkos, që ta gjeni këtë këngë të shkruar jo më vonë se 1850.

Ato tri radhët e funtme tregojnë se cili ishte qëllimi i asaj kryengritjeje. Ishte për tërë Shqipërinë. [‘9:00].

Tashi do t’ju bënj një analizë të paktë që të shikoni se kjo vjershë me këto njëmbëdhjetë radhë është një kryeveprë e vërtetë, të cilën mund ta shkruante një nga poetët e parë të botës.

Shikoni veç se si e përshkruan Rrapo Hekalin. Në kohën e Rrapo Hekalit s’kishte telefona. Edhe Rrapo Hekali kur thërriste labërit që të mblidheshin për të bërë luftën, i vetmi telefon që kishte, ishte zëri i tij. Dhe shikoni se sa bukur e përshkruan:

“Hajde mor Rrapo Hekali
Kur thërret sa tundet mali…”

Kur bërtiste: “Heeej, or’ shokë”. Edhe tundej mali i tërë. Gjithë labërit e dëgjonin. [mallëngjyeshëm]. E që të gjithë mblidheshin.

Tri [sic] radhët e pastajme:

“Lum si ti bilbil që zure
Një pashá me shtatë tuje…”

Pashai, që zure ti, kishte shtatë tuje.

Tujet ishin tamam si ato yjtë që mbajnë gjeneralët e Amerikës. Kemi gjeneralë me një yll [’10:00], gjeneralë me dy yj, me tre yj dhe me katër yj. Përmbi katër yj s’ka gjeneralë.

Gjithashtu edhe në Turqi. Kishte pashallarë me katër tuje, po jo pashallarë me shtatë tuje.

Po vjershëtori do të thotë se çfarë pashá zuri. Ay pashá qe dy herë sa pashallarët e tjerë. Do me thënë gjenerali më i miri i Turqisë. Edhe e shtypi Rrapo Hekali. [duartrokitje në sallë].

Shikoni tashi ato tri vargjet, tri radhët që vijnë pas. Çfarë strategji, çfarë taktikë mbajti Rrapo Hekali që e shtypi këtë gjeneral të dorës së parë të Turqisë:

“Topi bam e ti po tutje
Plumbat të binin mbi supe.
As u trëmbe, as u tute”.

Domethënë me një trimëri të fjeshtë, edhe asnjë zanat, asnjë mjeshtëri tjatër. [’11:00].

Tashi ç’gjë e ndizte, ç’gjë e shkaktoi këtë hov të pathyer të shqiptarëve.

Vjershëtori na e thotë përsëri me tri radhë:

“Se Hodo Nivica shkoi,
kofshën derrit ia dërrmoi
Ngriti flámurin te kroi.”

Hodo Nivica, ay derri të cilit ia theu kofshën, që thua ti, Hodo Nivica, ishte turku. “Ngriti flámurin te kroi”, ishte flamuri i kryengritjes, flamuri i lirisë.

Edhe më në fund, qëllimi për të cilin bëhej e tërë kjo luftë. Prapë, përsëri në tri rradhë ta thotë vjershëtori. Ustai i math nuk humbet shumë fjalë. Dy-tri fjalë mjaftojnë për të.

“Pse lëfton o derëzi?
As për mua, as për ti!
Por për gjithë Shqipëri!”

Kështu që ne nuk e inventuam, nuk e çpikmë patriotizmën shqiptare. E gjetmë!

E vetma gjë që bëmë është [’12:00] që atë patriotizmë që ekzistonte midis shqiptarëve u përpoqmë ta organizojmë, ta kanalizojmë. Vetëm atë gjë bëmë.

Tashi, arësyeja për të cilën na vajti puna mbarë ishte se kishim një popull me i cili të vërtetë e deshte Shqipërinë. Edhe një popull, i cili jo vetëm kishte patriotizmën, virtutin e patriotizmës, por kishte edhe disa virtuta të tjera, nga të cilat do të numëronj vetëm një, të cilën na e kanë thënë që të gjithë të huajt, të cilët kanë vizituar Shqipërinë.

Kur hyri Shqipëria në Lidhjen e Kombeve, përfaqësonjësi i Hindit, i cili ahere rastisi të ishte një mohamedan, Mohamed Aliu, bëri këtë lëvdatë për shqiptarët:

“Sot, tha, bëmë punën më të bukur që qasmë Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve. Sikur të shtudioni historinë e gjithë kombeve që janë çliruar, nuk do të gjeni asnjë shëmbëll, si këtë që shohëm sot në Shqipëri. [’13:00]. Shqipëria është i vetmi vënd në të cilën, tri fera të ndryshme, të cilat, kudo gjetkë, pasanikët e të cilave kudo gjetkë therren me njëri-jatrin, janë bashkuar për të krijuar një shtet indipendent. Ky është i vetmi vend, thotë, në botë, në të cilin mohamedanë, orthodoksë dhe katolikë janë lidhur që të gjithë dhe kanë bërë një shtet indipendent. Edhe ky, nga sa di, thoshte, shtoi, është i vetmi vënd, i cili ka një shumicë muhamedane, edhe na dërgon këtu si përfaqësonjës një peshkop orthodoks”. [duartrokitje të sallës, fund i regjistrimit].

Për transkriptimin dhe shënimet, © 2020, Agron Alibali. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa leje. Materiali mund të shpërndahet lirisht, me kusht që të njihet në mënyrë eksplicite autori i transkriptimit dhe burimi.

[1] Fjala e Nolit, e mbajtur me shumë gjasë në Boston me 28 nëntor 1962, e meriton të jetë e të shijohet edhe në trajtë të shkruar. Pa fjalë ajo është xehtore e mendimit të kultivuar, dhe një perlë e kulturës e ligjërimit shqip. Për fat regjistrimi botor mund të ndiqet tek https://tinyurl.com/y7jrqxug. Mirëpo Scripta manent – e shkruara mbetet. Mund të vihet pyetja: vallë ku do ta botonte Noli këtë fjalë po të ishte gjallë? Po themi tek “Dielli”? Apo tek “Shekulli”? Si gojëtar i dorës së parë Noli kombinon përsosmërisht improvizimin me përgatitjen serioze, por dhe me Ironia Socratica, një farë talljeje me vetveten, e cila përbën një nga parimet e gojëtarisë e që përdorur dendur në Perëndim. Del në këtë ligjërim të rrallë edhe biri i nënës qytezare, edhe ati shpirtëror e udhëheqësi i mbarë bashkësisë shqiptaro-amerikane, edhe atdhetari i palëkundur, burri i shtetit, diplomati i mprehtë, letrari i përkryer, mjeshtri i fjalës së shkruar e të folur, gojëtari po e po, vëzhguesi i hollë, edhe rrëfimtari hokatar. Ligjërimi i Noli përgjithësisht mund të rroket prej shumë lagjesh studiuesish e mund të shqyrtohet nga shumë këndvështrime lëndore: studiuesit e letrave, historianë, gjuhëtarë, antropologë, politologë, shkrimtarë, kritikë, por edhe juristë, filozofë etj. Transkriptimi për Fjalën e 28 nëntorit 1962 është bërë duke respektuar rigorozisht burimin. Nëse gjatë transkriptimit ka shpëtuar ndosend [në ndonjë vend, ku regjistrimi është i paqartë, është vënë pikëpyetje në kllapa], kjo është përgjegjësi jona, dhe ftoj bujarisht lexuesin të bëjë sugjerimet e duhura nëse e ndjen. Për lehtësi, kontrolli i cilësisë së transkriptimit ndihmohet nga minutazhi rritës, i futur në tekst midis kllapave. Sa i takon larmisë dhe thellësisë së tematikës së trajtuar në ato 13 minuta e 38 sekonda, në përmbajtje ka diçka barthesiane: lexuesi i ndryshëm mund të shkëputet nga teksti i autori, dhe të gjejë aty atë çka ndjen nga përvoja vetjake. Ndër pikëtakimet e mundshme mund të përmendim: (i) vënia e Kristoforidhit si nismëtar i “Lëvizjes shqiptare moderne” qysh më 1875; (ii) përmendja plot respekt e dashuri e Faik Konicës, si shok armësh, edhe 40 vjet pas vdekjes; (iii) analiza e jashtëzakonshme letrare, dhe jo vetëm, e poetit anonim popullor, dhe (iv) nderimi për të ikurin nga kjo botë. Kur përmend nënën, Noli, me kadencë të veçanë ritmike e harmonike, ngjit krejt natyrshëm shprehjen “ndjesë pastë”. Kur përmend Faikun, Noli menjëherë shton prapë, me kadencën e respektit e dhimbjes, shprehjen “ndjesë pastë”. Për t’u kthyer tek organi i botimit, a do të mendonte vallë Noli – po të ishte gjallë – ta përcillte tekstin e fjalës pikërisht tek revista “Peizazhet e Fjalës”, duke patur parasysh edhe gjendjen e jashtëzakonshme të pandemisë, por edhe cilësinë e sotme të shtypit “të lirë” shqiptar? Kësaj pyetjeje nuk po i përgjigjemi me fjalë. Se si do të vepronte Noli sot, këtë nuk mund ta themi. Por mund ta mbyllim plot nderim e respekt me: Ndjesë Pastë.
[2] Duhet të ketë qenë Dr. Andrew Dimitri Elia [1907 – 1991], lindur në Shqipëri, mjek obstetër-gjinekolog në Boston University etj. Ish-Kryetar i Vatrës e mik i ngushtë i Fan S. Noli dhe Faik Konicës.
[3] Nuk e kemi parasysh referencën e saktë të Dr. Elias për fyellin e Faikut, të cilën përmend Noli. Faik Konica kishte njohuri të thella për muzikën dhe luante disa instrumente. Apollinaire përmend se, gjatë vizitave të tij në Londër rreth vitit 1903 për t’iu afruar vajzës që dashuronte, Annnie Playden, ai qëndronte tek Konica. Ky i fundit, çdo mëngjez, luante pjesë të ndryshme në flaut, klarinetë dhe korno. [Mercure de France, 1 maj 1912, edhe tek Faik Konitza, Selected Correspondence, edited by Bejtullah Destani, , CAS, London, 2000]. Gramafoni gjigand, i dëshmuar në foto të tij nga apartamenti në Mayflower Hotel të prillit 1939, si dhe koleksioni i instrumentave frymorë të Konicës, mund të konsiderohen të humbura përgjithmonë.
[4] Me gjasë fjala është për Kasëm Qafzezin [1881 – 1931], Ministër i Luftës në qeverinë e Nolit më 1924. Lista e plotë e kabinetit tek www.shtetiweb.org.
[5] Loni Kristo, Sekretar i Vatrës dhe drejtues i “Diellit” gjatë viteve 1914-1918, përkthyes në shqip i disa veprave fetare, anëtar i Këshilit Kombëtar [Parlamenti] në vitin 1921, mik i Nolit.
[6] Nick Kreshpani [1903-2001] aktivist i shquar i Vatrës dhe i komunitetit shqiptaro-amerikan në Massachusetts, bariton, mik i Nolit.