Nga: Jeff Gage / The Guardian

Në mbrëmjen e 9 gushtit 1956, disa qindra njerëz u bënë grumbull në një sallë takimesh të unionit studentor të Universitetit të Ilionisit, rreth 130 milje larg Çikagos, për të ndjek një koncert recital. Zakonisht, performancat e studentëve nuk tërheqin aq shumë njerëz, por ky rast ishte i jashtëzakonshëm: debutimi i Suitës Iliak (Kuarteti i harqeve Nr. 4), që një profesor i Fakultetit të Kimisë, Lejaren Hiller Jr,, e kishte krijuar me kompjuterin e vetëm të universitetit – Illiac I.

Dekada para yjeve të popit të sotëm që e përdorin inteligjencën artificiale, shumë vite para këndimeve me programin Auto-Tune dhe kompozimeve me manipulime digjitale, ishte vepra e Hillerit ajo që u përshkrua – nga ditorja “New York Times”, në nekrologjinë e vitit 1994 – si “vepra e parë e rëndësishme muzikore e kompozuar nga një kompjuter”. Vërtetë nga një kompjuter.

Një nga katër muzikantët që interpretoi atë natë ishte edhe George Andrix – violinist e student i kompozimit në atë universitet. Tashmë 89 vjeç, Andrix e kujton auditorin e mbushur me njerëz “të cilët u shfaqën për të parë se çfarë mund të bënte ky përbindësh prej kompjuteri”. Illiac I – shkurtesë për Illinois Automatic Computer – ishte superkompjuteri i parë që zuri vend në një institucion akademik. “Do të ishte moment i madh krenarie nëse kompjuteri do të përdorej edhe sot në këtë mënyrë”, thotë ai.

Të nesërmen, shpërndarja e lajmit nga agjencia “United Press” – që e transmetoi këtë performancë 15 minutëshe – u bë në një aspekt kontestues. Iu referua pjesës si “suitë e përpiluar nga truri elektronik” që u “sponsorizua” nga Hilleri dhe bashkëpunëtori i tij kërkimor, Leonard M Isaacson. “Disa njerëz nuk e njohin ritmin”, thoshte artikulli, duke cituar një anëtar të paidentifikuar të audiencës që e cilësoi muzikën si jo të mirë dhe një tjetër që kishte frikë se “mos kjo po e heq nevojën për kompozitorë njerëzorë”.

Hilleri – përgjegjësi kryesor për Suitën Iliak – u bë personazh i famshëm brenda natës, duke u shfaqur në revistat “Time” dhe “Newsweek”. “Kam kaluar nga errësira totale – si kompozitor – drejt e në faqet e para të gazetave, në të gjithë vendin”, i ka thënë ai një intervistuesi në vitin 1983. “Një javë isha askushi e javën tjetër isha famëkeqi”. Biografi James Matthew Bohn kujton historinë e telefonit të Hillerit që “cingëronte pothuajse pa nda” pas performancës. “Ishte shumë i famshëm për ata 15 minuta”, thotë Bohn.

Gjashtëdhjetë e pesë vjet më vonë, Suita Iliak është gati se e panjohur jashtë qarqeve të caktuara klasike, eksperimentale dhe akademike, por shënoi një hap historik drejt botës së kompjuterizimit dhe inteligjencës artificiale (AI) në muzikë. Kompjuterët nuk ishin krejt të panjohur për këtë fushë në atë kohë. Në vitin 1951, shkencëtari britanik Alan Turing i regjistroi meloditë e tri këngëve – përfshirë “Zot ruaje Mbretëreshën” – me pajisje laboratorike. Por, për Suitën Iliak, kompjuteri Illiac I u përdor për ta gjeneruar vetë muzikën duke përdorur një sërë probabilitetesh algoritmike të programuara nga Hilleri dhe nga Isaacsoni.

Askush nuk e kishte përdorur më parë një kompjuter për të kompozuar muzikë në këtë mënyrë. Të tjerët, si John Cage – në fillim të viteve 1950 – e vunë bazën duke eksperimentuar me metodat e kompozimit të rastësishëm. Përafërsisht në të njëjtën kohë, kompozitori grek, Iannis Xenakis, e zhvilloi një proces që e quajti “muzikë stokastike” ku i bazoi kompozimet në formula matematikore që llogariteshin nga një kompjuter. Hilleri shkoi një hap tutje. “I vendoste ashtu algoritmet, që kompjuteri pastaj të bënte zgjedhje”, thotë vajza e tij Amanda Hiller, e cila lindi disa vjet pas përfundimit të suitës. “Por, secili prej këtyre algoritmeve përfaqësonte një grup pikëpamjesh të veçanta rreth asaj se çfarë mund të ishin ose duhet të ishin rezultatet muzikore”.

Njujorkezi Lejaren Hiller kishte bërë muzikë gjatë pjesës më të madhe të jetës së tij. E studioi kompozimin  me emrat si Milton Babbitt dhe Roger Sessions, ndërsa performoi në ansamblet studentore teksa i ndiqte studimet në Universitetin e Prinstonit – ku doktoron kimi, në vitin 1947, në moshën 23 vjeçare. “Absolutisht e adhuronte repertorin standard [klasik]”, thotë Neely Bruce, një nga ish-studentët e Hillerit. Pasi kontribuoi për luftën si studiues i kimisë, Hilleri punoi për kompaninë “DuPont” në Virxhinia, para se të merrte postin e ligjëruesit në Ilinois, në vjeshtën e vitit 1952.

Angazhimi i tij përkoi me atë të kompjuterit Illiac I, i cili u zbulua atë shtator dhe zinte pjesën më të mirë të një dhome të tërë. Funksionimi i tij ishte proces i mundimshëm që kërkonte futjen e kodit në shirit letre dhe kohën e gjatë që t’i nxirrte të dhënat – në rastin e kompozimit të muzikës, ato të dhëna më pas transkriptoheshin me dorë në nota muzikore. “Shumë pak njerëz mund të ndërvepronin me të”, thotë Bohn. “Edhe ata që shkruanin programet për të, nuk u futën kurrë në të njëjtën dhomë”. Hiller, megjithatë, ishte një prej tyre.

Pasi punoi me kompjuter gjatë hulumtimeve për gomën sintetike, Hilleri nisi të mendonte se si mund të zbatoheshin algoritmet në ushtrimet bazike muzikore të kontrapunkteve. Babbitti e inkurajoi ta ndiqte këtë ide. Katër pjesët e Suitës Iliak ishin një sërë eksperimentesh të ndërlikuara progresive, që imitonin stile të ndryshme të njohura të muzikës klasike – që nga Renesanca e deri te serializmi i 12 toneve i Arnold Schoenbergut në fillim të shekullit XX. Në kohën e premierës përfunduan vetëm tri pjesët e para. Sanford Reuning, violinisti i dytë në atë performancë, është i vetmi muzikant tjetër i gjallë që ka interpretuar atë natë. “Dukej si vepra e parë nga një kompjuter, nëse më kupton se çfarë dua të them”, thotë ai. “Sigurisht që nuk kishte asgjë për t’u mahnitur”.

Shmangia erdhi me pjesën e katërt, e përfunduar në vjeshtën e vitit 1956, ku Hiller vizatoi zinxhirët e Markovit – një lloj i veçantë i metodës së probabilitetit ku muzika bazohej vetëm në notën që e paraprin drejtpërdrejt, me pak ose aspak aftësi që kompjuteri të memorizojë një temë gjithëpërfshirëse. Pas harqeve të shkëputura dhe kërcitjeve, sharrimit të melodive hapëse, e katërta disi depërton; kalon, ndalon dhe fillon, duke e rritur intensitetin teksa merr një rrugë e përfundim. Paparashikueshmëria shtohej nga fakti se Hilleri, i përkushtuar ndaj pastërtisë së eksperimentit të tij, nuk donte të modifikonte atë që dilte nga kompjuteri. Kështu, thotë David Rosenboom – i cili si student në Ilinois luajti në violinë në një riincizim të suitës në vitin 1967 – ndonjëherë mund të jetë e pështirë dhe e panatyrshme. “Është një pjesë e vështirë për t’u luajtur”, shton ai. “Kërkon aftësi teknike, por në të njëjtën kohë ka njëfarë çuditshmërie në të se të ngatërron paksa, aty-këtu, teksa kërcen duke u përpjekur për t’i luajtur këto kalime të mëdha”.

Hilleri dhe Isaacsoni më 1959 e botuan një libër rreth kërkimit të tyre, të quajtur “Muzika eksperimentale: Kompozimi me kompjuterin elektronik”. Një shkrim në “Chicago Tribune” shfaqi skepticizëm të vazhdueshëm në publik, nëse kompjuteri “mund të krijojë muzikë me vlerë të qëndrueshme apo nëse është një dritë intriguese në shkencën magjepsëse e me zhvillim të shpejtë të automatizimit”. Shqetësimet në lidhje me marrjen e kontrollit nga kompjuteri, që janë reale edhe sot mes kompozitorëve, e humbnin e esencën e asaj kohe, thotë Amanda Hiller: “Sigurisht që nuk mendoj se ai ka menduar, ndonjëherë, se një kompjuter mund ta zëvendësojë një person si kompozitor”.

Në vjeshtën e vitit 1958, Hilleri kaloi me orar të plotë – nga dega e kimisë në departamentin e muzikës, ku ndihmoi në themelimin e Studios së Muzikës Eksperimentale në Ilinois, të dytën të këtij lloji në botë pas Qendrës së Muzikës Elektronike në Kolumbia. Vetë Cage e kaloi një kohë në Ilinois, duke punuar ngushtë me Hillerin në veprën e tij historike HPSCHD, që i kombinonte teknikat e kompozimit kompjuterik me vendimmarrjen e bazuar te rastësia e “Aj Çingut” (Libri kinez i ndryshimeve – v.j.). Premiera u dha në një sallë të kampusit më 1969, me një performancë të menduar mirë multimediale, që zgjati pesë orë e që i përfshinte 52 kaseta dhe 64 projektorë (Bruce ishte një nga interpretuesit). Një vit më parë, Hilleri u largua për t’iu bashkuar Fakultetit të Muzikës të Universitetit Shtetëror të Nju-Jorkut në Bufalo, ku qëndroi deri në pension (për shkak të alzheimerit që e preku më 1989).

Hilleri përfundimisht e krijoi një opus të madh dhe shumë eklektik muzikor – “Do të thosha se shumica e kompozimeve të tij ishin jodigjitale [sesa digjitale]”, thekson vajza e tij – por atij kurrë nuk iu hoq stigma e një muzikanti amator. Ishte i kritikuar mes shumë kolegëve muzikantë, veçanërisht atyre që punuan bashkë me të në Illinois. “Ishte tërësisht i përbuzur nga anëtarë të caktuar të fakultetit. Sepse, e dini, e preku një nerv në mënyrë shumë të thellë”, thotë Bruce. Ai e kujton Robert Swensonin, i cili luajti violonçelin në premierën e suitës e që u ankua se “Hilleri e ka linjë direkte telefonike me shtypin ndërkombëtar”. Të tjerët në Bufalo, si dirigjenti Jan Williams, ishin më të hapur. “Fakti që dikush nisi të përdorte vetëm kompjuterët, kjo e zgjoi interesin im. Thash se ishte përrallore”, thotë ai.

Suita Iliak sot është monument për epokën e pasluftës, për epokën ku filozofitë strukturaliste mund të ndërlidheshin me teknologjinë digjitale dhe me programimin, me teknikat matematikore të kompozimit të këngëve të bazuara në rregullat që datojnë që nga Greqia e lashtë. “Është vepër historike në zhvillimin e përdorimit të të menduarit algoritmik në muzikë, që tashmë gjendet kudo”, thotë Rosenboom. “A e lëshoj atë dhe a e dëgjoj si muzikë darke? Jo domosdoshmërisht. Por, mendoj se ishte përvojë shumë e rëndësishme për të menduar për formën muzikore dhe se çfarë mund të na tregojë ajo formë e çka jo”. Bruce është më pak i përmbajtur: “Më pëlqen vepra”, thotë ai. “Mendoj se është fantastike.”

Si për ironi, Andrix dhe Reuning deri vonë kishin pak njohuri për reagimet pas performancës së tyre. Tashmë vepra ka kuptim më të madh për të dy. “Isha paksa i befasuar”, thotë Reuning, për kohën kur nisi të vlerësonte ndikimin që kishte. “U ndjeva mirë, sepse kisha marrë pjesë në të dhe e kisha dhënë performancën e parë të saj. Kjo më bëri të ndihem mirë që isha pjesë e kësaj gjëje”. /Telegrafi/