Kjo fotografi e rrallë, që po publikohet për herë të parë, ka mbijetuar tre çerek shekulli, për të dalë në dritë. Është shkrepur nga ndonjë fotograf anonim, pas përfundimit të vitit të parë shkollor të pasluftës më 1944-1945, me një paralele të kombinuar fëmijësh prej 7-12 vjeç të klasave II-IV, PËR TË SHËNUAR NJË HISTORI TË LAVDISHME TË ARSIMIT SHQIP NË TETOVË.

Kush ka mund të pandeh se në mes të fotografisë është mësuesi i dashur nga Nerashti, XHEVAHIR SHAQIRI…! (profesor në Gjimnazin e Tetovës dhe prof. në Universitetin e Prishtinës).

Kush ka mund të pandeh se kjo shkollë ka qenë në objektin përcjellës të XHAMISË ESKI (Eski-xhami) në Tetovë, i njohur si Mejtep…!

Kush ka mund të pandeh se nxënësi i këtij mësuesi legjendar është BEDRI MUSTAFA, tashmë 88 vjeç…! (në rreshtin e parë-poshtë, i dyti nga e majta dhe në foto me tre shokë të klasës, në mes), i cili bëhet një mjeshtër i përkryer i rrobaqepësisë në Tetovë, pasi që kryen katër klasat e para dhe katër të tjera të shkollimit për të rritur.

Kush ka mund të pandeh se vogëlushët e pasluftës, asokohe do të dilnin në foto me plisa të bardhë…!

Shihini këta nxënës, në mesin e të cilëve ka edhe këmbëzbathur, por janë në vrap për dijen…!

Aty janë shokët e fëmijërisë: ABDULLAHU, ZEQIRIJAI (arsimtar i historisë), MUSTAFA, BYRHANI…Sa kujtim i bukur, i papërsëritshëm…! Shumë sish i gllabëroi shpërngulja për në Turqi.

Kushedi edhe sa persona të tjerë i mban strukur në gji, të fshehur, kjo foto jo plotësisht e deshifruar, për t’i gëzuar edhe ndonjë tjetër nga trashëgimtarët…!

BEDRI EF. MUSTAFA, njëri nga tetovarët më të vjetër, dëshmitar i gjallë, i cili ishte viktimë e politikave të perënduara, u detyrua të braktisë shtëpinë e tij prej 1.600 metrash katrorë, në pjesën lindore të sheshit të qytetit (1975), për t’u ndërtuar POSTA E RE dhe për të bërë tetovarët që të kenë një “alo” më të lehtë.

Duke e përkryer mjeshtërinë e rrobaqepësisë, ai pranohet si shef i sektorit të kontrollit në repartin e Konfeksionit të “Teteksit”, rrobat e të cilit, të modës së fundit, depërtonin deri në SHBA dhe shtetet e Evropës. Atij i kujtohet provimi për rrobaqepësi, ku në mesin e katër mjeshtërve, kishte një anëtar nga jashtë dhe ky ishte pikërisht kryetari i komunës së Tetovës (K.Tulevski.), i cili e kishte pyetur, për të marrë diplomë rrobaqepësie, për sistemin politik-kushtetues të Jugosllavisë së atëhershme…! (I.A.)