Në ditën e tetë Jezusi qau. Një shi i rëndë mbi çatinë e tendës. Nëntë performues të maskuar, të pafjalë, shohin qëllimshëm në qendër të skenës. Nicholas Edwards, aktori 28-vjeçar që luan djalin e Zotit, e këndoi gjysmën e baladës “Beautiful City” të shfaqjes “Godspell”, kur ia filloi vajit, shkruan “The New York Times”. 

Ka qenë një javë e gjatë dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me faktin se duhet mbajtur shumë gjëra në mendje. Ishte testi, kontrollimi i temperaturës, karantina dhe vendosja e maskave. Tani ka edhe dyfishime të kontrollit të distancës, xhama transparentë për këngëtarët dhe dezinfektues për duart. Provat u ndaluan. Pianisti ndaloi së luajturi. Edwards e mbuloi kokën e tij me xhemper.

“Në botën e vërtetë ne do të kishim thënë një përqafim”, ka thënë regjisori Alan Filderman. Mirëpo, në përputhje me rregullat e sotme, ai nuk lëvizi prej karriges. Njëlloj vepruan edhe aktorët e tjerë që i dërguan puthje nga ajri. Edward bëri një pushim, e mblodhi veten dhe e përfundoi pjesën.

“Ne e kemi humbur besimin në njëri-tjetrin dhe në teatër gjithashtu. A do bëhet siç ka qenë?”, thotë ai. Koronavirusi i mbylli teatrot në SHBA në muajin mars. Tani, për herë të parë në vend, një grup i artistëve po kthehet në skenë – në dy skena në fakt, të dyja të vendosura në Berkshires, në Massachusetts.

Dy produksione këtu në Pittsfield – “Godspell” në “Berkshire Theater Group” dhe shfaqja me një aktor “Harry Clarke” në “Barrigton Stage Company” – janë de fakto një eksperiment i shëndetit publik. Nëse kanë sukses, ato mund të shërbejnë si një model për teatrot profesionalë gjatë kësaj periudhe të rrezikut. Mirëpo, nëse aktorët apo audienca sëmuren, kjo do të jetë një pengesë serioze.

“E gjithë industria ka nevojë për këtë”, thotë Kate Shindler, presidente e “Actors’ Equity Association”, shoqëria që përfaqëson 51 mijë performues dhe menaxhmente. Shindle, e cila planifikon që ta shohë premierën e mjuzikëlit “Godspell” më 7 gusht, përmes një lidhjeje me kamerë, ditën e parë të provave u ka dërguar aktorëve një mesazh inkurajimi.

“Nuk dua që të bëj presion mbi ju, por e gjithë skena teatrore e Amerikës po mbështetet në ju, që të tregoheni të zgjuar”, ka thënë ajo. “Njerëzit kanë për të shikuar nga ju në mënyrë që të mësojnë se jeta teatrore mund të vazhdojë pa u sëmurë askush”.