Në ndërtesën emblematike të historisë së arsimit shqip, Mësonjëtorja në Korçë kanë nisur punimet për rikonstruksionin e saj. Rikonstruksioni i kësaj ndërtese pritet të përfundojë para fundit të vitit.

Ky rikonstruksion do t’i shtojë një tjetër vlerë qytetit të serenatave duke e shndërruar në një destinacion kulturor dhe historik të denjë për turistë vendas dhe të huaj.

“Ndërtesa emblematike e historisë së arsimit shqip, Muzeu ABC në Korçë po i nënshtrohet rikonstruksionit. Kishte ardhur koha që Mësonjëtorja, ky objekt-dëshmi i arsimdashjes dhe kurajës, t’i kthehej jo vetëm korçarëve, por gjithë Shqipërisë, sipas të gjithë parametrave bashkëkohorë, por duke ruajtur karakterin e saj monumental”, u shpreh ministrja e Kulturës Elva Margariti.

“Pas sondazheve, do të fillojnë punimet në të gjithë strukturën, mure, çati, dyer e dritare të amortizuara nga koha, për të vijuar me rrjetin elektrik, sistemin e ngrohjes, të mbrojtjes nga zjarri. Para fundit të vitit, gjithçka do të jetë gati”, tha ministrja Margariti./atsh/