Sot në Krushevë, në orët e pasditës, ka nisur manifestimi kulturor dyditor “Takimet e Pellagonisë”, që po mbahet me me iniciativë të intelektualëve, artdashësve dhe Shoqatës ALB-KULT, që do të zgjasë dy ditë dhe do të shtrihet në tri komuna, Prilep, Krushevë dhe Dollneni.
Manifestimi nisi me Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “ETNOKULTURA E PELAGONISË (Prilep, Krushevë e Dollnen), ku marrin pjesë rreth 30 studiues nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës dhe Maqedonia e Veriut. Ndër temat që po trajtohen ditën e pare janë ”Këngët e dashurisë në Pelagoni”(Agron Xhigoli), “Balada e besës: Shqyrtime krahasuese të motërzimeve në rrethinën e Prilepit dhe në krahinën e Rugovës”(Zymer Neziri), “Mustafa Ibrahimi, mbledhës, botues dhe studiues i etnokulturës së shqiptarëve të Pelagonisë”(Zeqirja Neziri), “Të përbashkëtat dhe dallimet në mes të riteve dhe këngëve të dasmave shqiptare në Pelagoni dhe atyre në Preshevë me rrethinë”(Xhemaledin Saliu), “Dasma në Pelagoni”(Nevrie Ismaili), “Hapja e shkollës së pare shqipe në Cërnilisht të Prilepit”(Rexhep Ibrahimi), “Leksiku etnofolklorik në fjalët dhe shprehjet popullore në rrethinë e Prilepit, Krushevës dhe Velesit”(Hamit Xhaferi), “Riti i qërimit të grurit në dasmën e fshatrave shqiptare të Prilepit dhe Krushevë”(Ismet Osmani), “Zëri i Pelagonisë” në afirmimin e vlerave etnokulturore të këtij rajoni”(Vebi Bexheti), “Këngët e Ramazanit në fshatin Cërnilisht të Prilepit”(Mustafë Ibrahimi), “Shumëkuptimësia e shprehjeve popullore të Pelagonisë me zonat tjera etnolinguistike shqiptare”(Nexhat Çoçaj), “Pikëtakimet e etnokulturës së Pelagonisë me “Bletën shqiptare” te Thimi Mitko”(Rovena Vata), “Ushqimet popullore dhe mënyra e të ngrënit tradicional në Veles dhe rrethinë”(Hiriet Ziberi), “Mjekimi popullor në rrafshin e Pelagonisë” (Irfan Ahmeti), “Lojërat popullore për fëmijë”(Zejna Halimi).
Në sesionet e nesërme pritet kumtesat e tyre t’i paraqesin edhe autorë të tjerë: Izaim Murtezani(Simbolika e disa motiveve të veshjeve popullore të femrave në fshatin Jabollçishtë të Velesit), Bukurije Mustafa(Veshja popullore e grave në Jabollçishtë të Epërme të Velesit), Sevgani Ibrahimi(Arsimi fillor dhe i mesëm në rajonin e Prilepit dhe Krushevës), Bekim Ramadani(Vëllezërit Feti dhe Garip Jakupi – ruajtësit e palodhur të këngës shqipe në rajonin e Velesit), Murat Aliu(Përfaqësimi adekuat dhe i drejtë i shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera në komunën e Dollnenit), Osman Adili(Vallet tradicionale të rajonit të Prilepit dhe rrethinës), Besnik Emini(Ndërtimi i trasesë hekurudhore Veles-Prilep-Manastir), Muhamedali Ibrahimi (Ali Fethi Okyar i lindur në Prilep (1880-1943) – kryetar i Kuvendit turk (1923) dhe kryeministër i Qeverisë turke (1924-1925), Ardian Limani(Shtypi anglez për kryengritjen e Krushevës të vitit 1903), Agron Salihi(Përbërja e popullsisë sipas strukturës etnike në Krushevë dhe rrethinë), Rini Useini(Përshkrimi etnografik sipas këngëve të dasmës në fshatrat e Dollnenit)
Përveç konferencës shkencore, në kuadër të këtij manifestimi është edhe koncerti i së shtunës në fshatin Cërnilishtë që fillon në ora 18.00, ku merr pjesë Ansambli Shtetëor i Këngëve dhe Valleve Shqiptare në RMV, e ku mysafirë specialë do të jenë këngëtarët Lindita Purellku (Kërçovë), Zaid Aliu (Manastir), Feta Gjoleka (Prilep) dhe Grupi folklorik “Rreth oxhakut”.

Në fund, të themi se Takimet e Pellagonisë janë manifestim që vite me radhë organizohet me iniciativën e Shoqatës e Etnokulturës Shqiptare “Etnoalb” nga Shkupi(kryetare: Bukurie Mustafa), dhe është mbështetur nga Ministria e Kulturës.