Për mijëra vjet në pafund buzë nënash janë shqiptuar ninulla me synimin për të komunikuar artistikisht me fëmijën. Të njohura ndër studiues edhe si këngë gjumi e djepi, ato janë shprehja e një krijimtarie të pasur të sajuar e kënduar nga nënat.

Ajo që kishte nisur si interesim i një mjeku gjerman në vendbanimet arvanite në Greqi 175 vjet më parë, do të vijohej nga një prishtinase midis kohëve të vështira. “Ninullat popullore” ishte punimi i magjistraturës së Burbuqe Rushitit, asokohe 35-vjeç, që e mbrojti më 1996 në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës.

Me rastin e përvjetorit të parë të vdekjes së autores, Botimet KOHA sjell librin “Ninullat popullore”. Brenda 124 faqeve e në shtatë kaptina, autorja kishte ndërmarrë një studim teorik mbi këtë kategori të lirikës popullore.

Qysh në hyrje, Rushiti thekson se studimi ishte bërë në një kohë të pazakontë ku, siç thotë ajo, “vështirë apo fare e pamundur ishte të gjejë material në ndonjë bibliotekë shoqërore”.

Punimi përfshin studimin e ninullave të krijuara në të gjitha trevat shqiptare, si në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni, nga arbëreshët e Italisë dhe ata të Greqisë, të cilat përbëjnë “tërësinë e një uniteti folklorik”.

Sipas autores “ninulla paraqet një botë të larmishme në paletën poetike popullore përplot ngjyra e nuanca të pastra synimesh, të cilat ndërthuren në mesazhe”.

“Është një pjesë e krijimtarisë popullore që funksion utalitar ka vënien e fëmijës në gjumë e ndonjëherë edhe zgjimin e tij nga gjumi”, shkruan Rushiti.

Duke zhbiruar në shtresat tematike të ninullave, motivet dhe strukturën e tyre – thuhet në studim – ninullat me plot fosile pagane kanë si taban improvizimin duke u gërshetuar me ndjenjën më të shenjtë siç është dashuria e nënës ndaj fëmijës.

“Kryekrijuesja e ninullës është nëna, e cila pranë djepit thur vargje ëndërrtare e shpresëmira të përcjella me melodi të lehtë që e vënë fëmijën në gjumë”./koha.net/