Haqif Mulliqi

Pasi që kthehet nga Shqipëria, Bekim Shyti në Junik do të qëndrojë edhe katër ditë. Gjatë kësaj kohe aty janë bërë shumë aksione mbi pozicionet e armikut. Bekimi, në këtë kohë, më së shumti ka punuar me Abejën sidomos në instalimin e minave befasuese. Ato në fakt ishin mina elektronike të cilat aktivizoheshin nga një distancë e caktuar. Kështu, e vendosnin minën në një vend ku pritej se do të vinte armiku, pastaj largoheshin në distancën e caktuar dhe vëzhgonin. Kur vinte serbi, mina aktivizohej me kod të caktuar dhe e asgjësonte armikun. Kjo, jo që i shkaktoi dëme të mëdha armikut, por kishte edhe ndikim jashtëzakonisht demotivues tek ushtarët e tij, të cilët vriteshin pa pasur asnjëlloj kontakti fizik me pjesëtarët e UÇK-së. Thjesht, i vrisnin, siç i thonë, “si reja për së kthjellti”.
Cimë Aliqkaj, të cilin Ramushi kishte dëshirë ta quante Cimë Lloqani, më tregoi se, kur nisën të afroheshin tanket, Abeja i thoshte: “Cimë, tash do t’ua bëjmë si në Vukovar: afrohen tanket e ne, praj mbrapa mureve të oborrit, do t’u afrohemi shumë dhe do t’u hedhim eksplozive… Do ti kallim!”
Ditë pas dite, sa vinte, rrethimi i Junikut po ngushtohej. Serbët i kishin vënë tanket në pozicione të mira dhe nuk i lëvizin drejt fshatit. Nga ana tjetër, anipse zonë e kufirit dhe nëpër Junik kalonin shumica e ushtarëve me armatim që sillej nga Shqipëria, megjithatë aty kishte mungesë armësh e sidomos mungesë municionesh. Po ashtu, UÇK-ja në Junik nuk kishte, të thuash, fare armatim të rëndë.
Atëherë Abeja i jep urdhër Bekimit që bashkë me Gani Ukën dhe tre apo katër ushtarë të njësisë speciale të Gllogjanit të shkonin në Shqipëri, me ç‘rast i tha që ata 450 veta që ishin në kufi, bashkë më Rrahman Ramën, të gjithë të vinin në Junik, ta shpërthejnë frontin dhe të sprovonin të futeshin në brendësi të Kosovës dhe të bashkoheshin me Ramush Haradinajn. Qëllimi i Abejës ishte i qartë: të thyhej kufiri në mënyrë të organizuar edhe me kusht që të kishte viktima, e të bëhej gjithçka që të ruhej ai korridor aq i rëndësishëm për luftën. Mbase arteria kryesore për furnizim me armë e UÇK-së.
Bekim Shyti merr udhë me shokët që të kalonte në Shqipëri sipas planit. Por, për fat të keq, rrugës takojnë një familje të numërt e cila po sprovonte që ta kalonte kufirin e të kalonte matanë dhe t’i shpëtonte barbarisë serbe. Grupi i Bekimit nuk kishte dëshirë që t’i ndodhte diçka e tillë, pra që të takohej me civilë sepse aty qëndronte një rrezik i madh: njerëzit, civilët, as nuk kishin armë, as nuk ishin të shkathtë që të mbroheshin, e njëkohësisht as nuk kishin përgatitjen tonë fizike për t’u vënë në lëvizje me ritmin me të cilin ecnin ushtarët.
Por, ai grup, meqë u takua me atë familje, patjetër u detyrua që ta merrte me vete, ngase nuk donin ta linim, ashtu të pambrojtur, në mal, sepse, o do të binin në ndonjë pritë të armikut, o do të binin në mina dhe, thjeshtë, vështirë se do t’ia dilnin ta kalonin kufirin e të shpëtonin. Bile ekzistonte bindja se, po të binin në serbë, të gjithë do të vriteshin, pa dëshmitar. Vrasja e civilëve dhe shfrenimi mbi ta ishte “specialitet” i serbëve.
Kufirin ishte tepër vështirë të kalohej në atë kohë, dhe në ato rrethana, ngase kishte ushtarë të armikut të pozicionuar çdokund, të cilët lëviznin gjatë ditës. Asaj nate, kur e morën atë familje me veti, terri ende nuk ishte lëshuar. Por, për habinë e djemve, ishte interesant fakti se, në atë kodër, kurrë nuk po binte terri. Ishte një lartësi e madhe mbidetare, kështu që, edhe në pikë të natës, madje nga 500 deri 600 metra aty mund të diktohej, qartë, njeriu duke ecur malit. Kjo ishte e disfavorshme për grupin e ushtarëve me civilë.
“Unë isha në krye te kolonës”, ma thotë B. Shyti, “kur, tek Rrasa e Zogut kam vënë re ushtarët serbë. Edha ata na hetuan. Aty është dashur të mendoja sa më shpejtë se si dhe çfarë duhej bërë në ato çast. E dija se, po qe se aty do ta bënim edhe gjestin më të vogël, sigurisht se të gjithë ne do të vriteshim. Dhe të gjithëve, edhe ushtarëve, edhe civilëve që po u prija, u thashë me pëshpërimë që, kur t’u jap shenjë me dorë, ata, pa panik, të futen në pyllin e afërm.
Një njësit serb po na afrohej “tinëzisht” duke mos dhënë asnjë komandë me gojë, por duke e zhvilluar aksionin e tyre me shenja. Këtë e vura re nga larg. Në momentin vendimtar e kam dhënë shenjën dhe të gjithë janë futur në pyll dhe janë shtrirë. Atëherë unë kam vrapuar me të shpejtë dhe në anën e djathtë e kam zënë një pozicion. Në ato anë, në çdo metër, ka pozicion të favorshme për ushtarët, ngase i atillë është relievi i atyre maleve. Dua ta theksoj se unë kam vrapuar ndonjë njëqind, apo më shumë metra në drejtim të kundërt ku u strehuan civilët dhe kam nisë të qëllojë mbi ushtarët serbë. Mendoja që t’ua tërhiqja vëmendjen armiqve mbi mua, dhe të shpëtonin civilët.”
Natyrisht se në drejtimin prej nga po qëllonte Bekimi, edhe serbët reaguan andej, drejt tij. Me këtë rast (Mortaja, është ky pseudonimi i një ushtari të njësisë speciale të Gllogjanit i cili më pas ka rënë heroikisht në Koshare), i afrohet, ashtu nëpër breshëri plumbash, Bekimit dhe i del që të pozicionohet mirë edhe ai. Më pas atyre, këtyre dyve, u bashkëngjiten edhe Ganiu dhe ushtarët tjerë dhe kështu fillon një betejë të pakomprmis – për jetë a vdekje ndërmjet ushtarëve të UÇK-së dhe atyre të pushtuesit. Ndërsa, me urdhër, civilët zhdirgjen teposhtë, dhe e vazhdojnë rrugën drejt Shqipërisë pa probleme, ngase luftimet zhvilloheshin krejt në një anë tjetër. Kur arrijnë tek përrenjtë, atëherë kufiri ishte shumë afër dhe ata shpëtojnë paq.
Siç e thash, ushtarët tanë e kishin zënë një pozicion shumë të mirë, dhe, pas luftimeve shumë të rrepta, i detyrojnë ushtarët e armikut që të tërhiqeshin. Mirëpo këtu nuk përfundojnë gjërat ngase, në kohën kur u tërhoqën, serbët, me sistem radiolidhjesh i informojnë shokët e tyre dhe ata, pastaj, nga pozicionet tjera, dhe në bazë të koordinatave që kishin marrë, filluan granatime të furishme mbi pozicionet e Bekimit me shokë.
“Na kanë granatuar pamëshirshëm”, kujton Bekim Shyti. “Madje, më kujtohet se nga një predhë që më ra afër diku duhma e saj më ka goditur në gjoks dhe jam hedhur mbi një pishë. Në atë çast, menjëherë kam nisë të kthej. E futa gishtin në gojë që të kthej sa më shumë dhe të përmendesha sa më parë që ishte e mundshme. Kur i kam hapur sytë mu krijua bindja halucinante se një çetnik dëshironte të më mbërthente nga pas.”
Grupi i ushtarëve tanë ishte në rrezik të madh, por, për fat, të gjithë ia dalin që, asaj dite, ta kalojnë kufirin e të dalin në Shqipëri, pa ndonjë lëndim.
Kur fillojnë organizimet që një numër shumë i madh i ushtarëve të futej në Kosovë, pa marrë parasysh çmimin, në Shqipëri arrijnë lajmet se Juniku kishte rënë. Juniku ka rënë, jo natën e parë që grupi kalon në Shqipëri, por të nesërmen e asaj dite, mirëpo, përgatitjet për t’u futur në Kosovë, megjithatë vazhduan.
“Kur kam dëgjuar se ka rënë Juniku, unë e kam ditur saktë se ka rënë edhe Abeja’, kujton B. Shyti. Ishte saktë kështu se: me rënien e tij ka rënë edhe Juniku.

Image may contain: 5 people, people standing

*****

Ndërkohë, në Junik kishte ardhur një grup i luftëtarëve gjakovar: djem të jashtëzakonshëm, me moral të lartë dhe të përgatitur mirë. Bekimi mendon se ata djem nuk është dashur që të silleshin në atë vend dhe në ato luftime.
“Djem që ishin ushtarë të mrekullueshëm dhe ndër më të mirët që pati UÇK-ja: të pushkës e të idealit, disa prej të cilëve ranë heroikisht në mbrojtjen e Juniku”, më thotë Bekim Shyti. “Nuk ishte nevoja që gjakovarët të vinin në Junik, ngase aty kishte mjaft ushtarë për ta mbrojtur atë zonë.”
Miku im, Sabit Gashi i cili në Junik ishte me një grup të konsiderueshëm të ushtarëve shaljan, njëherë, kur po bisedonim për këtë betejë të madhe, në zyrat e Shtabit Operativ të Shalës, në Ashlan, se në atë kohë, në Junik kishte filluar ishte infiltruar edhe “Kolona e pestë”. Kjo gjë e kishte dëmtuar edhe shkallën e rezistencës ndër ushtarët tanë.
Djemtë e Gjakovës ishin krah për krah Abejës. Luftuan dhe u vranë tok me të. U vra pra Abeja, u vra Elton Zherka, u vra Përmet Vula, u vra edhe Bedri Shala i Drenicës, ndërsa u plagos rëndë Ilir Foniqi… Kjo ishte e dhembshme, ngase, pas rënies së tyre faktikisht në Junik nuk mbeti më asgjë.
Këtu do të doja që edhe njëherë të kthehem tek biseda ime me Sabit Gashin, e zhvilluar një nate lufte në Ashlan të Vushtrrisë!
Sabiti më premtoi se do të përpiqej që ta bënte përshkrimin e ditës së fundit të qëndresës së Junikut dhe me këtë të shpalos edhe disa fletë nga kujtimet e tij për Bekim Berishën – Abejën, Bedri Shalën, Elton Zherkën dhe Përmet Vulën. Sabiti, siç e kam thënë diku, më parë në këtë ditar, ishte oficeri i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Shalës, dhe një prej drejtuesve të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës.
“Më datën 10.08.1998, prej orës 10, ka pasur një sulm të jashtëzakonshëm në të gjitha pikat e mbrojtjes sonë. Unë isha në roje të pikës së parë te Berishët, ana e djathtë e frontit, kur referohemi prej kufirit me Shqipërinë. Atë ditë pati shumë granatime dhe gjuajtje nga të gjitha llojet e armëve. Ndërrimi i ushtarëve tanë, zakonisht, bëhej çdo gjashtë orë. Unë, për shembull, e kisha marrë ndërrimin në orën 5 dhe duhej të vinte ndërrimi në orën 11. Për shkak të granatimeve të jashtëzakonshme, atë ditë ndërrimi nuk erdhi deri në 11.15. Pasi erdhi ndërrimi, u kthyem në bazë, pothuajse tërësisht zhagas. Nuk vonoi gjysmë ore dhe erdhi Lum Haxhiu (Hajdin Abazi). Ky kërkoi nga pika jonë një mitraloz 12.7 mm, se kishte rrezik se do të hynin tanket nga ana e Rrokopeçit dhe e Kallavajit. Tanket larg vijës së parë të frontit”, rrëfen tutje S. Gashi, “ishin vetëm një kilometër”.
Lum Haxhiu kishte ardhur së bashku me Komandant Ilirin Foniqi nga Llazica e Malishevës. Iliri ishte një djalë që më pat lënë përshtypjen e një luftëtari të përgatitur mirë dhe, mbi të gjitha ishte i vendosur në front. Me këtë rast Lum Haxhiu i tregon Sabit Gashit se ishte plagosur, bukur rëndë, Bedri Shala dhe se kjo kishte ndodhur, të thuash, një orë më parë. Lumi i kishte treguar se ai vetë e kishte transportuar Bedriun me veturë e tipit “Audi 80” me ngjyrë të kuqe deri tek ambulanca jonë.
Bedriu ishte plagosur në Kallavaj kur u ishte e afruar tankeve serbe në vetëm ndonjë 30 metra dhe me “Ambrus” e kishte shkatërruar plotësisht një tank të armikut. Ai, madje kishte dashur t’ia merrte armët ushtarëve të atij tanku dhe kishte vrapuar të hynte në të, mirëpo, nga një tank tjetër, të cilin nuk e kishte vërejtur as ai e as shokët e tij, një ushtar serb kishte gjuajtur në të me kundërajror 20 mm dhe e kishte plagosur rëndë.
Ky ishte rrëfimi i Lum Haxhiut për Sabit Gashin. Lumi kishte treguar se edhe përkundër plagës së rëndë ai nuk e kishte humbur asnjëherë vetëdijen dhe se dhembjet po i përballonte me shumë kurajë e që ishte një karakteristikë e përgjithshme e ushtarëve të plagosur të UÇK-së të cilët nuk kishin dëshirë t’i dekurajonin shokët e tyre në luftime.
Në Junik mjek ishte një absolvent i mjekësisë, që kishte ardhur nga Amerika. Ai i thotë Lumit se Bedriu nuk është në rrezik jete. “Nga biseda me Lumin krijova përshtypje se edhe ky kishte besim se Bedriu do të shpëtonte”, më thotë Sabit Gashi. “Por, kalibri i madh i predhës, si dhe vendi ku e kishte marrë plumbi Bedriun, në bel), nuk tregonin shenja të mira, por, megjithatë, nuk i thashë gjë.”
Sabiti, Bedriun e kishte farefis nga nëna. Ai mi kujtoi të gjitha lëvizjet e tij në Tropojë dhe përgjatë kufirit. Bedriu nga pjesëtarët u ushtrisë sonë shquhej për një kujdes të jashtëzakonshëm ndaj ushtarëve të tjerë, duke përfshirë këtu edhe ushtarët shaljan që kishte ardhur t’i merr në Tropojë për t’i sjellë në Junik për ta mbrojtur këtë fshat.
Në Junik, nga Shqipëria kishin arritur njëzet ushtarë të ZOSH përgjegjës i të cilëve ishte Bekim Shyti, por meqë, siç e thash, ky, pas katër ditësh qe kthyer në Shqipëri, përgjegjësia komanduese iu kalua, Sabit Gashi dhe këta e morën si pikë mbrojtëse të Junikut atë tek lagja e Berishëve.
Lum Haxhiu dhe Ilir Foniqi e marrin armën e fuqishme dhe, disi, mezi e vendosin në atë “Audi” dhe vazhdojnë në drejtim të pikës mbrojtëse së Kallavajit ku serbët i kishin intensifikuar sulmet që ta thyenin atë pozicion dhe të futeshin, më lehtë, në Junik.
Lumi, kur më fliste mua për betejën e Junikut, më tregonte se Bedriu ishte plagosur, saktësisht tek ai vendi ku, më parë ishte plagosur edhe eprori, Naim Maloku e kur serbët e patën proklamuar si një ushtarak të vrarë.
Më vonë, plagoset edhe Ilir Foniqi. Në këtë kohë, spitali i improvizuar në Junik ishte me plotë të plagosur. Edhe një ditë më parë ishin plagosur dy dhe ishte vrarë një ushtar nga Baica e Drenicës, pikërisht aty ku do të plagoset për vdekje Abeja, së bashku edhe me Elton Zherkën dhe Përmet Vulën, që u plagosën më vonë.
“Dikur pas dite shkova te spitali i improvizuar dhe pashë plotë të plagosur, madje disa tepër rënd. Shumica e tyre mu dukën të pa shpresë për të mbijetuar”, më thotë Sabiti. “E pashë Bedriun. Bedriu vetëm e shikonte secilin që hynte brenda dhe nuk fliste. I plagosur lehtë ishte edhe Sali Basha. Atë ditë kishte ardhur, pas pesëmbëdhjetë ditësh, edhe një ushtar nga viset e Maqedonisë, për të cilin ishte menduar se ishte vrarë, bile edhe familja e dinte për të vrarë. Pesëmbëdhjetë ditë pa bukë me plagë në këmbë, kishte qëndruar pa e lëshuar pushkën nga dora. Ishte plagosur në betejën madhështore të Jasiqit. Këmba i ishte infektuar. I vinte erë e tmerrshme këmbës. Na mahniti të gjithëve. Nuk qëndrova shumë në ‘spital’ dhe u ktheva në bazë te Berishët. Abin, siç e quante Abejën Juniku, nuk e takova.”
Ushtarët që i kishin mbetur nën përgjegjësi, Sabit Gashit, kishin një moral mjaft të lartë, përkundër krijimit të gjendjes tepër të rëndë. Roja vazhdonte të mbahej me një disiplinë, edhe pse vendasit kishin filluar të demoralizoheshin më shumë, si pasojë e atyre informatave dhe dezinformatave që merrnin nga pikat e ndryshme të frontit. Sabiti, atë ditë kishte biseduar, deri vonë me ushtarë. Ai ua tregon se Bedriu dhe Iliri plagosur, porse i kishin zmbrapsur tendencën e tankeve për të depërtuar më shumë dhe më thellë në Junik.

Image may contain: 4 people, people standing and outdoor

*****

Diku rreth orës 3 të mëngjesit, të 11-të gushtit të vitit 1998) një ushtar shkon tek pika e shaljanëve, tek Berishët për ta takuar Sabit Gashin. Ai djalë, i mbarë, kishte qëndruar në shtab, natën pararendëse dhe këtu e sjell urdhrin se, tashmë, ishte vendosur që ndërrimet të bëheshin më të shpeshta dhe se, për shkak të granatimeve të jashtëzakonshme, ishte vendosur të tërhiqeshin më afër pikave mbrojtëse. Ushtar quhej Ukë. Dikur kishte qenë komandant togu. Po ashtu Uka e jep kumtin e zi se, asaj nate kishin ndërruar jetë Bedriu dhe Abeja dhe një djalë nga Gjakova (e kishte fjalën për Përmetin e Ilir Vulës). Bedriu kishte vdekur rreth orës 2 të mëngjesit, kurse Abeja mbrëmë rreth orës 18-të. Lajmi u dha në një kohë të keqe, kur granatimet nuk ndaleshin dhe kur ishte dhënë urdhri për tërheqje në pozita e para tek ato të dytat.
Abeja dhe Bedriu, bashkë me grupin e gjakovarëve, ishin shndërruar tashmë në sinonim të mbrojtjes së Junikut dhe shpresa për thyerjen e vijës së frontit të armikut. “Lajmin e morëm pothuaj njëherësh i gjithë njësiti që kisha unë në përgjegjësi, sepse flinim në dy dhoma afër njëra tjetrës. Morali filloi të bjerë. Pastaj, as ushtarët vendës nuk pranonin më që të dilnin roje as në rrethanat e reja. Kjo e rrënonte moralin e ushtarëve tanë edhe më shumë”, kujton S. Gashi.
Ushtarët shaljan nuk fjetën më. Sabiti kishte eksploziv, u afrohet ushtarëve të tij dhe i mëson se si duhet punuar me të. Ishte ky një çast kur vihej re se ushtarëve nisi t’u kthehej morali. Tashti Sabiti u thotë ushtarëve të tij se, ata, pa ndonjë urdhër nuk do të tërhiqeshin nga pikat që i mbanin. “Të gjithë, pos dy vetave, u pajtuan plotësisht, se pa u thënë unë nuk do të asnjëri nuk do të merrte rrugën për në Shqipëri”, thotë Sabiti. “Nga ana tjetër, ushtarët vendës kishin filluar të grumbulloheshin dhe të rrinin bashkë në bodrume, kurse ne rrinim nëpër shtëpi jo aq të sigurta. Unë mendoj se në pikën ku isha unë me ushtarë të ZOSH ndikimi i kolonës së pestë ishte më i dobët se çdokund tjetër në Junik.”, më thotë Sabiti në rrëfimin e tij të cilin, me vëmendje të madhe e shënova në ditarin tim.
Rreth orës nëntë, pasi mësuan se si të punonin me eksploziv këta ushtarë siç u tha, kishin marrë zemër për të vazhduar luftën kundër armikut pesëdhjetë fish më të madh. Sabiti, nuk heziton dhe shkon tek shtabi që të merrte udhëzime për vendosjen e mjeteve shpërthyese, meqë kishte edhe të atillë që e kundërshtonin që të veprohej pa leje.
“Shkova në shtab, që ishte rreth dhjetë minuta larg, a më shumë. Takova Lumin, e ngushëllova për Abejën, Bedriun dhe Përmetin. Lumi ishte lodhur shumë. Gjendja rreth shtabit ishte e nderë. Shumë komandantë pikash vinin për të marrë udhëzime. Ushtarëve u kishte rënë morali plotësisht. Vrasja e kryetrimave ishte marrë vesh dhe komentohej vazhdimisht. Komandantët e pikave thoshin se ushtarët nuk po pranonin më të ruanin nëpër pika. Një natë më parë, thuaja se, asnjëri nuk kishte dalë të bëjë roje… Kuptova se vetëm ushtarët e mi ishin ende me moral luftarak, më thotë S. Gashi.
Ata ditë, komandanti i Rekës së Keqe, Aziz Hysni, nga Gallmniku i Llapit, kishte shkuar në Jasiq dhe në Gjocaj për t’u marrë vesh me komandantët e atyre pikave. Sabiti kërkon udhëzime nga Lumi për vendvendosjen e eksplozivit. Nuk ishin mina apo mjete tipike kundërtanks, por vetëm copa tritoli që nuk kishin efekt shkatërrues, por vetëm ç’orientues. “Lumi më tha të prisja derisa të vinte komandanti me Cimën (ishte ushtarak i lartë që kishte punuar në Dyseldorf)”, thotë Sabiti.

*****

Edhe te grupi i gjakovarëve, nisi të dominonte një skepticizëm i madh, sidomos pas vrasjes së dy shokëve të tyre, Elton Zherkës dhe Përmet Vulës, si dhe të Abejës dhe Bedriut. Siç u kuptua, tashmë, në ndërkohë, atë ditë kishte ndërruar jetë edhe Elton Zherka. Kjo ishte një goditje e madhe për gjithë ushtarët e mbrojtjes së Junikut.
Ushtarët e UÇK-së, tashmë, ishin, pothuaj se, në rrethim të plotë. Dhe demoralizimi i tyre ishte gati i plotë. Kishte mjaft ushtarë pa përvoja lufte, prandaj edhe kolona e pestë kishte ambient të përshtatshëm veprimi. “Mund të them me plotë guxim moral se kolona e pestë e në fund e arriti qëllimin”, thotë Gashi.
Kur e shohin se në ç’derexhe kishin arritur punët, gjakovarët ishin të mendimit se duhej të tërhiqeshin patjetër të gjithë. Sabiti e jep mendimin se tij, se, duhej tërhequr popullata, menjëherë, bashkë me një numër ushtarësh, por të tjerët duhej të qëndronin aty dhe të vazhdonin ta mbronin Junikun. Këto biseda po zhvilloheshin derisa po pritej kthimi i Aziz Hysenit nga Jasiqi.
Gjakovarët ishin të vendosur të tërhiqeshin. E kishin përjetuar rëndë vrasjen e shokëve të tyre. Po ashtu, pas gjithë kësaj që kishte ndodhur, njësiti i këtyre djemve, tashmë, po e ndienin veten të diskriminuar. “Ata e kishin edhe një shok të plagosur lehtë”, rrëfen Sabit Gashi. “Reagimi i tillë ishte i pritshëm dhe mund të arsyetohet.”

*****

“Tani do ta paraqes rrëfimin e një pjesëmarrësi në aksion kur është vrarë Abeja”, thotë oficeri i lartë i UÇK-së, Sabit Gashi. “Aq sa unë di.”
Sipas tij, diku rreth orës shtatëmbëdhjetë, pasi ishin kthyer nga pikat e para të frontit, grupi i gjakovarëve, që ecte kohëve të fundit vazhdimisht me Abejën, Abeja ishte future në ambulancën e improvizuar. Ai e takon aty Bedriun e plagosur rëndë. I shtrëngon nofullat, siç e kishte zakon, dhe del pa bërzërë. I thërret gjakovarët që të shkojnë në pikën mbrojtëse pranë Kallavajit, ku ishin stacionuar tanket, ushtria dhe policia armike. Për atje nisen rreth orës shtatëmbëdhjetë e dhjetë minuta. Sapo mbërrijnë, Abeja së bashku me njërin prej djemve të Gjakovës i gjuan me granatahedhës pozicionet serbe. Pastaj, Abeja ngritet lart në një shtëpi, dhe i shikon policë dhe ushtarë serbë, përreth tankeve. Sytë po i “nxirrnin zjarr”. Djemtë e Gjakovës, që ishin në pikë me të, thonë se nuk e kishte njohur të tillë, Bekim Berishën, legjendën e vërtetë të luftës.
Abeja ia rrëmben automatikun shoqëruesit të tij dhe qëllon në drejtim të ushtrisë armike, e cila, tashmë kishin përparuar dhe ishin vendosur në një pozicion ku nuk kishin qenë më parë. Rrëfyesi i ngjarjes më thotë se, menjëherë pas gjuajtjes me rafalë të Abejës, ai e ka vërejtur tankun duke marrë drejtim kah shtëpia ku ishim ushtarët tanë, dhe ka bërtitur ‘Kujdes, djem, se do ta na gjuajnë me tank’. Nuk kalojnë as tre sekonda dhe gjylja bie në shtëpinë ku ishte Abeja me shokë. Disa copa të granatës atij i bien mbi kraharorin e majtë dhe pothuaj ia këputin dorën në rrënjë. Abeja vetë zbret nga kati i dytë, duke qeshur, siç e kishte vazhdimisht zakon. Djali që ishte me të, e kap për krahun tjetër dhe e ndihmon. Abeja kërkon nga ky që t’ia heqë pancirin, por tij, i tronditur nga pamjet që kishte para vetes, nuk i bëjnë punë duart. Abeja prapë qeshë dhe me dorën e djathtë e heq vetë pancirin që e mbante. Në ndërkohë dëgjohen gjëmat e Eltonit dhe të Përmetit që, poashtu qëllohen nga serbët. Abeja i dëgjon këto dhe jep urdhër ta linin aty, ngase ky vetë mund të lëvizte dhe të shkonin tek ushtarët tjerë të plagosur. Ashtu i plagosur, ecën nëpër kanalin mbrojtës, por i shoqëruar nga djem të njësitit gjakovar.
Pasi i marrin, për t’i tërhequr edhe dy të plagosurit: Eltonin dhe Përmetin, të gjithë së bashku shkojnë andej nga u tërhoq Abeja. Kur i afrohen Abejës, ai duke qeshur në drejtim të tyre dhe me shpoti, iu thotë: ‘A e shihni se unë di të ruhem nga çetnikët?’
Pasi mbërrijnë në ambulancë, Abeja rron nja dhjetë apo pesëmbëdhjetë minuta. Tërë kohën duke qeshur e duke thënë emrin e vetë: ‘Ah, Abe, Abe!’
Pastaj kthehet nga bashkëluftëtarët dhe u thotë: ‘Serbia e ka të humbur këtë luftë’. Këto janë disa nga rrëfimet mbi aksionin e fundit të Abejës, të Eltonit dhe të Përmetit.
Pas ardhjes, komandant Azizit ai e jep urdhrin për tërheqje të popullatës, madje, që asaj nate. Bashkë me popullsinë do të tërhiqeshin të plagosurit. Ndërsa, ushtarët e Ilirit, rreth gjashtëdhjetë syresh, do ta shoqëronin popullatën dhe të plagosurit. Me të plagosur do të shkonte edhe grupi i gjakovarëve. “Të tjerët u vendosëm nëpër pikat tona”, më rrëfen asaj nate lufte, në Ashlan, Sabit Gashi.
Njëri pas tjetrit, edhe ushtarët junikas kërkonin të shkonin në përcjellje të familjeve të tyre. “Unë kërkova sqarim se ku do ta vendosja eksplozivin. Komandanti nuk më dha asnjë shpjegim. Më tha se ishte i vendosur ta mbanin Junikun, dhe kaq”, thotë Sabiti. “Por, pas gjithë kësaj që po ndodhte, unë e krijova përshtypjen se, secili që do të mund ta gjente çastin e volitshëm, do t’ia mësynte kufirit për të dalë në Shqipëri.”
Sabiti kthehet tek ushtarët. U thotë se ai, pa një urdhër nuk do të tërhiqej nga Juniku, e ata le të veproni si të donin. Gjithashtu u tregon se popullata, me rreth 70 ushtarë do të tërhiqej për në Shqipëri. Ky, me asnjë fjalë nuk u garantonte ushtarëve se edhe të tjerë, me vetëvullnet, nuk do t’u bashkëngjiteshin atyre. “Nuk garantoj siguri për askënd. Unë nuk shkoj pa urdhër të komandës, isha i vendosur. Ushtarët, veç dy vetëve, vendosën të rrinin me mua. Vazhduam rojën sipas radhës.”, tregon Sabiti.
Të nesërmen rreth orës 10, Lumi i dërgon fjalë, nëpërmjet një ushtari që quhet Zeqë, nga Budakova. Ai kërkoi që, Sabiti, t’i bënte gati ushtarët që të tërhiqemi nga Juniku. Ky, ua komunikon këtë lajmë ushtarëve shaljanë dhe të gjithë ngrihen dhe bëhen gati për të lëvizur.
Kështu, grupe-grupe, për shkak të granatimeve të pandërprera, bashkohen me ushtarët tjerë që ishin gati për t’u nisur.
“Ky urdhër ishte dhënë një ditë më parë”, përfundon ish oficeri i lartë i UÇK-së, Sabit Gashi një prej luftëtarëve të mbrojtjes së Junikut, bashkëluftëtar i Abejës, i Bedri Shalës, i Elton Zherkës dhe Përmet Vulës, dhe atyre luftëtarëve që kishin ardhur aty nga anë e këndë Kosova, që ta mbronin fshatin e domethënëshëm për luftën tonë.

*****

Atyre ditëve në Junik, bashkë me ushtarët e UÇK-së ishte edhe një infermiere, junikase, për të cilën nuk e di se çfarë përgatitje profesionale kishte, por se, tërë kohës, ka qenë me ushtarët e plagosur dhe është munduar që të bëj gjithçka për t’i ndihmuar. Quhej Afërdita.

#perjetesishtuck

Fotografitë:

1. Sabi Gashi dhe Bekim Shyti

2. Një grup luftëtarësh në Junik: (nga e majta)
Bekim Shyti, Lum Haxhiu, (më mbrapa) Bekim Berisha – Abeja, Gani Nuha dhe
Dy ushtarë të cilëve nuk ua di emrat. Fotografia është bërë pak ditë para se të binte Juniku.

3. Bekim Shyti me një grup të ushtarëve.