Nga: Dashnor Kokonozi

Ata që mendojnë se socializmi i tipit marksist ishte një fatalitet dhe e vetmja mundësi për t’ju shmangur realitetit të kohës (meqë njerëzimi kërkonte një përvojë tjetër), gabohen. Në fakt edhe unë ashtu mendoja para se të vizitoja qytetit Guise, ku shkuam të shihnim një kështjellë (Le château du Duc de Guise) dhe përfunduam në një sit të jashtëzakonshëm industrial i dy shekujve më parë.

Aty, Jean-Baptiste André Godin, i biri i një bravaxhiu që e filloi jetën me pak para që i dha i ati (për t’u martuar), do të ndërtojë një uzinë mjaft të fuqishme. Por, ai nuk deshte që punëtorët e tij të vuanin siç kishte vuajtur ai vetë kur ishte çirak i thjeshtë, por as marksizmi nuk i mbushte syrin se mund të ndryshonte jetën e njerzimit.

Provoi ta bëjë vetë.

Rastësisht në këtë kohë ai lexon një artikull të utopistit Charles Fourier, një figurë shumë tërheqëse e socializmit. Është një i majtë që çuditërisht e urrente Revolucionin Francez dhe shpesh thoshte: “Aty fillon e keqja” (pa e ditur ende se ai i Francës do të pjellë atë të Rusisë, për të ardhur pastaj e përplasur edhe ne shkrepat e Ballkanit ku të parët tanë që ende nuk kishin vendosur të zbrisnin nga pemët, edhe ata e ndjenë veten të gatshëm për revolucion)!

Me të kompletuar veprën e tij teorike Fourier, u bëri thirrje mecenatëve të ndryshëm, por nuk pati përgjigje. Me këtë rast, thuhet se ai hëngri dhjetë vjet rresht drekë në një restorant, në një tavolinë krejt vetëm, në pritje që të vinte e t’i ulej pranë ndonjë mecenat industrialist. E, nuk erdhi kurrë.

Një ditë teoria e tij ra në dorë të J. B. Godin që tashmë është bërë industrialist i madh dhe kërkon të ndërtojë një botë të re, por, siç thamë, larg koncepteve marksiste.

Nisur nga Fourieri, ai krijoi Kooperativën e Kapitalit dhe të punës ku punonjësit e tij janë pjesëtarë të të ardhurave të uzinës. Vendimet i marrin bashkërisht.

Për familjet e punonjësve të tij koncepton Pallatin Social (ca foto më poshtë) arkitektura e të cilit i jep përparësi kontakteve njerëzore, zbavitjes dhe njohjes reciproke. Që të gjitha kanë të njëjtën sipërfaqe banimi dhe në të ka kushte jetese që do t’i kishin zili shumë vetë edhe sot.

Edhe aty gjithçka ai e ka projektuar vetë. Deri edhe djepet e fëmijëve janë projektuar prej tij në bashkëpunim në “lëvizjet higjeniste” të kohës (ato nuk lëkunden sepse mendohet se tronditin trurin e fëmijës).

Apartamentet e punëtorëve janë pajisur me sistem ajrimi, uji e gazi, sikundër ato të drejtuesve të uzinave dhe kjo që para pothuaj 200 vjetësh.

Jean-Baptiste André Godin krijoi mbrojtje sociale dhe sigurime për të gjithë. E drejta e pensionit fillonte në moshën 60 vjeçe.

Godin ishte laik (deist), por ndërsa nxiste punonjësit e tij të kalonin kohën në teatër apo bibliotekë (që edhe ato i kishte projektuar vetë), ai nuk ndalonte njeri që të shkonte në kishën që ishte aty pranë.

Godin vdiq më 1888, por Shoqëria që ai krijoi ekziston edhe sot, edhe pse Kooperativa e Kapitalit dhe Punës u shkri më 1968. Siti industrial u ble nga një shoqëri tjetër.

Ndërkohë edhe qyteti i Guisesë nisi të interesohet për këtë trashëgimi të pashembullt që kishte në gjirin e vet dhe vendosi të blejë pjesë të ndryshme e të angazhojë shuma të mëdha në projektin Utopia për restaurimin dhe kthimin e tyre në të vizitueshme.

Sot cilësohet si një nga përvojat utopike më të jashtëzakonshme të njerëzimit që në kohën e saj pati përhapje edhe në Amerikë dhe gjetke!

Përfundimi im: nëse ishte e shkruar që të kalonim neper një përvojë të tillë (derisa të bindeshim përfundimisht se ajo metoda e vjetër është gjithnjë më e mira, vetëm se duhet përmirësuar), më fort do të pranoja idetë socialiste të këtij shokut se sa te “atij” shokut tjetër.