Im’ atë m’i mësonte gjërat dhe mandej m’i ndalonte. Kështu pati bërë me shkrim-leximin. Kështu bëri edhe me notin.

Edhe pse im’ atë qe rrekur atëherë t’i kufizonte e t’i disiplinonte disi leximet e mia, unë lexoja gjithçka që gjeja përreth, gjithçka që më binte në dorë. Përherë i unshëm. Përherë në kërkim të gjërave të reja. Gjithçka që kishte germa e fjalë, duhej lexuar prej meje. Gjithçka që më kapte dora në raftin e vjetër, domethënë në bibliotekën e babait tim. Gjithnjë e më shpejt i përpija librat.

Nuk duhet të kem qenë më shumë se 7 vjeç, kur kam lexuar të parin libër për të rritur. Në daç besojeni, në daç jo, por është fjala për “Manastirin e Parmës”, një libër me 634 faqe. E kam lexuar edhe para “Pinokut”, edhe para “Djemtë e rrugës Pal” dhe plot librave të tjerë, të cilat do t’i zbuloja vite e vite më vonë në bibliotekën e tim eti.

Mjafton ndonjë vështrim ironik prej studentëve të mi- teksa unë mbaj shënime në auditor, apo një nënqeshje tallëse prej lexuesit- tek pret autografin prej meje, që kujtesën time ta sulmojnë pamëshirshëm kujtimet e kohës kur isha në klasën e parë dhe kur të tjerët rrekeshin mundimshëm të më ndryshonin.

Më ndodh ndonjëherë të jem i pranishëm, kur kolegët e shokët e mi shkrimtarë i tregojnë njëri-tjetrit ëndrrat që kanë parë së fundmi. Kuptohet, thuajse përherë pikante. Plot me profetë e profeci. Ndryshe prej atyre që shohin vdekatarët e zakonshëm. Si mbarojnë, më kërkojnë edhe mua të rrëfej diçka. Në raste të tilla, unë gjendem keq thuajse përherë. Ngase ëndrrat e mia janë krejt të zakonshme. Aspak ëndrra shkrimtari. Si dikur në fëmijërinë time.

Vepra “Në kërkim të fëmijës së humbur” e Ridvan Dibrës në kategorinë e tregimit shqiptar ka po atë vlerë që ka “Kronikë në gur” e Kadaresë në kategorinë e romanit. Ndërsa, “Me dorën e majtë” është tregimi më i mirë i librit dhe ndër më të mirët në letërsinë shqipe. Në këtë tregim nëpërmjet fëmijës majtak ironizohet deri në grotesk diktatura majtiste, që, çuditërisht, kërkonte nga fëmija të shkruante me dorë të djathtë. Me dorën e majtë Ridvan Dibra i ka dhënë një kroshe të fortë surratit të një ideologjie morbide.