Nga: Mimoza Karagjozi Kore

Kaluan katër vite nga largimi i akademik Idriz Ajetit, njërit prej veprimtarëve të shquar kosovarë, me kontribute te vyera në gjuhësinë shqiptare. Ai i përkiste atij brezi gjuhëtarësh shqiptarë, të cilët i studiuan në mënyrë ballore problemet e historisë së gjuhës shqipe si dhe tiparet ballkanike të saj.

Vepra e tij dhe ajo e plejadës së gjuhëtarëve të tjerë të këtij brezi, si: E. Çabej, M. Domi, Sh. Demiraj, R. Ismajli, B. Bokshi etj., na kanë bërë për vite me radhë të krenohemi me to, sepse na kanë dhënë argumente shkencore në përballje të vështira që i është dashur të përballojë shkenca e Albanologjisë. Nga ana tjetër, këto studime kanë çelur hulli të reja në këtë lëmi të vështirë, si dhe kanë shërbyer si mbështetje edhe për studiues të huaj, të cilëve u është dashur t’i qasen në punimet e tyre edhe shqipes. Studimet mbi prejardhjen historike të shqipes, i kanë drejtuar studiuesit jo vetëm ndaj rindërtimit të fazave të moçme e të brendshme të saj, por më së shumti edhe drejt krahasimit të jashtëm, ku areali ballkanik vjen në vështrim i pari.

Kështu, I. Ajeti i mëshon herët idesë se: “Çdo trajtim i gjenezës së gjuhës shqipe është njëherësh edhe shqyrtim i njërës nga çështjet qendrore të gjuhësisë ballkanike”. Të gjithë albanologët e huaj apo shqiptarë që hetuan këtë çështje madhore u ndeshën edhe me faktin se shqipja me veçoritë e saj tipologjike qëndronte në qendër të lidhjes gjuhësore ballkanike apo siç mori emrin prej N. S. Trubeckoit Balkan Sprachbund. Milan Šuflai vërente se: “… Shqipëria është monada e Ballkanit, në të cilën pasqyrohet i gjithë kozmosi i Ballkanit me të gjitha nuancat e tij latine, greke, romane, bizantine, italiane e sllave, në të cilën edhe sot shndrit ende një numër i madh kristalesh të gjendjes së mirëfilltë origjinale, ku është ende e dukshme ajo shtresë etnike bazë e gadishullit të Ballkanit […]”. Në po këtë hulli vijojnë edhe gjuhëtarët shqiptarë.

Kështu, prof. R. Ismajli vëren: “Në të gjitha vështrimet e deritashme ballkanistike/ballkanologjike, është vënë në pah shumë qartë se gjuha shqipe dhe ‘bota shqiptare’ përbëjnë një nga segmentet më të rëndësishme të këtyre studimeve”. Akademik I. Ajeti, para se të parashtrojë tiparet gjuhësore ballkanike të shqipes, jep një panoramë të qartë të kushteve historike ekstralinguistike që kanë ndikuar në krijimin e një qytetërimi kulturor të përbashkët të popujve të Ballkanit, i cili sigurisht ka lënë edhe gjurmë në gjuhët e popujve që banojnë qysh në lashtësi në këto treva.

Kështu sipas këtij studiuesi “jeta e përbashkët me shekuj e popujve tanë në territorin e Gadishullit Ballkanik, gërshetimi i kulturave të tyre, ndërthurja e gjuhëve, përthyerja e kulturave të popullsive antike në kulturën autentike të popujve tanë të sotëm krijuan […] bashkëpërkime, përngjasime, barazime dhe zhvillime paralele në gjuhët e tyre në mënyrë që mund të flitet për një tip ballkanik të kulturës, për një lidhje gjuhësore ballkanike”. Në këtë lidhje gjuhësore shqipja vjen me tiparet e saj të trashëguara nga njëra prej gjuhëve që është folur në Antikitet. Duke përjashtuar greqishten dhe maqedonishten, por duke vendosur përballë argumentet e tezës trake dhe ilire, ky studiues mbështet pa mëdyshje birërinë e shqipes prej ilirishtes.

Me tiparet që trashëgoi prej saj, në fqinjësi me popuj të tjerë në një territor të ngushtë siç është Ballkani, u krijuan kushtet për krijimin e kategorive të reja gjuhësore jo vetëm në të por dhe në gjuhë, si: rumanishtja, bullgarishtja, maqedonishtja, greqishtja e disa dialekte serbe. Fillimisht, gjuhëtarët që trajtuan tiparet e përbashkëta të gjuhëve të Ballkanit vunë në dukje ato më kryesoret. I. Ajeti dhe gjuhëtarë të tjerë të këtij brezi i thelluan edhe më tej kërkimet, duke na paraqitur edhe veçori të tjera. Së pari, ky studiues vëren “të ashtuquajturin analitizëm”.

Ai nuk pajtohet dhe është kritik ndaj teorive se analitizmi gjuhësor është “dëshmi e një të menduari të primitivit”. Në këtë përfundim vijnë edhe studiues të tjerë. Kështu, E. Likaj, në veprën “Format analitike në gjuhën shqipe”, vëren se “…gjendja e një gjuhe më shumë a më pak sintetike, më shumë a më pak analitike nuk tregon se njëra apo tjetra gjuhë është më e përparuar se tjetra”.

Ajeti trajton tipin analitik të së kryerës në gjuhën shqipe, duke parashtruar përmbledhtas teoritë që kanë marrë jetë në prejardhjen e kësaj dukurie: “ […] mbizotëron mendimi që ato janë përftuar nën ndikimin e latinitetit ballkanik, por […] një lagje dijetarësh si këtë veçori, dhe zhvillime të tjera analitike i shohin të ardhura nga periudha të lashta pararomane, pra, janë zhvillime gjuhësore paleoballkanike”. Autori, me sa duket, për të parët e ka fjalën për studiues si Havranek (Bohuslav), i cili mendonte se format analitike në shqyrtim në gjuhët ballkanike janë përftuar nën ndikimin e gjuhës romane ballkanike.

I këtij mendimi ka qenë edhe prof. E. Çabej, i cili, çuditërisht, binte ndesh me idenë e H. Pedersenit për ndikimin zero të latinishtes në strukturën e fleksionit të shqipes. Lagjja tjetër e gjuhëtarëve, përfaqësuar nga M. Malecki, e sillte këtë dukuri ballkanike prej ndikimit të substratit. I. Ajeti fillimisht (1969) është pajtuar me mendimin e parë, duke pranuar një ndikim të latinishtes jo të drejtpërdrejtë, por një kalk gramatikor. Duke parë se dukuria në fjalë është karakteristikë edhe për gjuhë të tjera si ato gjermanike apo sllave jo të Ballkanit, ai e ka evoluar mendimin e tij duke i mëshuar faktit se kjo dukuri u përftua si: “… një prirje e përgjithshme e gjuhëve indoevropiane për të krijuar forma analitike që të shprehin më qartë kuptimin e perfektit”.

Pra, ai bashkohet me lagjen e gjuhëtarëve që analitizmin e shohin si prirje të kësaj familjeje e si rrjedhim dhe gjuhëve ballkanike në përbërje të saj. Pas arritjes në këtë përfundim të drejtë, ky studiues do të veçojë brenda kësaj dukurie një bashkëpërkim binar vetëm midis shqipes dhe rumanishtes, siç është formimi i foljeve jokalimtare me ndihmësen kam (kam qenë, kam ardhur), ndryshe nga gjuhët romane (sono venuto, sono stato).

Paskëtaj studiuesi ynë liston një varg tiparesh të tjera të lidhjes gjuhësore ballkanike, si: zëvendësimi i infinitivit me mënyrën lidhore; dyfishimi i përemrave vetorë; sajimi i shkallës krahasore të mbiemrave duke i ngjitur pozitivit apo shkallës pohore të mbiemrit fjalëzën –më; formimi i të futurit me foljen ndihmëse jam (në kundërshtim me gjuhët romane); përdorimi i nyjës së paravendosur dhe të prapavendosur; prirja për shkurtimin e kuantitetit të vokaleve; ngatërrimi i shprehjeve të lëvizjes-dhe të qëndrimit (akuzativi-lokativ). Duke marrë në shqyrtim formimin e së ardhmes perifrastike me pjesën e ngurosur ‘do të’ foljes dua në gjuhët e Ballkanit, I. Ajeti ia nënshtron analizës dhe kritikës edhe krijimin e kësaj dukurie.

Ai vëren se ky tipar karakterizon edhe gjuhët sllave të Ballkanit, bullgarisht, maqedonisht, serbisht, të cilat në këtë pikë largohen nga gjuhët e tjera të degës sllave të Europës. Duke kritikuar idenë e Sandfeldit, i cili burimin e së ardhmes me ‘do’ në gjuhët e Ballkanit ia atribuonte greqishtes, I. Ajeti, megjithëse thotë se “nuk mund të përjashtohet apriori”, nuk e përligj plotësisht duke argumentuar se Greqia, edhe pse kishte epërsi kulturore, lulëzim ekonomik, dhe institucione shoqërore, nuk mund të ndikonte në strukturën gramatikore të gjuhëve të Ballkanit.

I këtij mendimi është më vonë edhe Sh. Demiraj, i cili i sheh si prirje të brendshme e të hershme të gjuhëve të Ballkanit për të zhdukur biflektivizmin e togfjalëshave të gramatikalizuar, por që nuk e përjashton mundësinë e ndikimit të greqishtes në përhapjen më të shpejtë në gjuhët e Ballkanit të tipit të së ardhmes me ‘do’. Tiparin trepalësh të krijimit të admirativit (habitores) në shqipe, maqedonishte e bullgarishte, I. Ajeti e sheh si zhvillim brendagjuhësor dhe jo si ndikim të turqishtes e për këtë sjell faktin se në shqipe kjo formë foljore del qysh te Buzuku dhe gjallon jo vetëm në qytet tona, por edhe në katunde.

Ky konstatim i I. Ajetit është i drejtë po të kihet parasysh se ndikimi i turqishtes ishte më tepër qytetar se sa rural. Për sa i përket formimit të numërorëve nga 11-19 në mënyrë të njëjtë në gjuhët sllave, shqipe dhe rumanishte, I. Ajeti përkrah idenë e Çabejt e të Joklit më parë, se shqipja shkon me izoglosën balto-shqiptare-sllave. Kurse për rumanishten është pranuar (shih. Sh. Demiraj, 1994: 166) një ndikim sllav. Ky studiues nuk pranon as ndikimin e modelit sllav në formim një relikt paraindoeuropian. Në raportet ballkanike që ka krijuar shqipja në shekuj me gjuhët e tjera, I. Ajeti ka shqyrtuar në mënyrë të veçantë marrëdhëniet binare të shqipes e sllavishtes duke vënë në pah jo vetëm rolin marrës të shqipes, por edhe atë dhënës të saj.

Ai shtron si detyrë që më së pari duhet bërë një shtresëzim i huazimeve shqipe në dialektet serbe dhe maqedonase duke përjashtuar leksikun e përbashkët ballkanik e duke evidentuar vetëm atë shqip, sepse “në të folmet sllave të jugut […] janë diktuar fjalë të gurrës së shqipe në një masë shumë më të madhe seç mendohej”. Nga ana tjetër, këto bashkëpërkime dypalëshe në mes të tipit dialektor të Kosovës dhe atij serb, ky studiues i sheh në një plan më të gjerë edhe në fushën e fonetikës e të sintaksës. Si tipar i përbashkët fonetik vihet në pah shndërrimi i bashkëtingëlloreve okluzive (mbylltore) në afrikate në shqipe dhe nga ana tjetër thjeshtimi i dy palë afrikateve në një tip në serbishte.

Po në këtë fushë, ai vëren ndikime edhe në sistemin zanor të shqipes, ku pasqyrohen reflekset e zanoreve hundore ë, ê të sllavishtes në fjalë si: orendi (orëdoti), pëndar (pëdar), trondit (trëditi), porosis (porëèiti). I. Ajeti këtë dukuri e të tjera si këto të kësaj fushe nuk i sheh të mbyllura vetëm në kuadrin linguistik, por duke u mbështetur në parimin e Jakob Grimit që e ka udhëhequr gjithmonë, se jeta e një gjuhe është e lidhur me historinë e popullit që e flet atë, e shtrin hulumtimin dhe analizën shkencore edhe më gjerë ngase “ndikimi i njërës gjuhë mbi tjetrën në këto troje nuk mund të merret në mënyrë mekanike; do të shqyrtohen të gjitha rrethanat gjuhësore dhe historike” (I. Ajeti. art.cit.:280) Duke u udhëhequr nga ky parim, vepra e këtij studiuesi është pasuruar edhe me punime shkencore kushtuar shqiptarëve dhe gjuhës së tyre në ngulime brenda trevës së Ballkanit.

Edhe pse në to qëllimi nuk është të vërejë tipare gjuhësore të Sprachbund-it Balkanik, ato marrin rëndësi për faktin se në disa raste tërthorazi kanë sqaruar edhe çështje të ballkanologjisë. Kështu, pyetjes se a ka ekzistuar tipi i së ardhmes me ‘do’ edhe në trevat e Veriut, I. Ajeti, duke paraqitur tekstin e djalit plëngprishës, i ka ndihmuar studiuesit për ta vërejtur atë në të folmet e shqiptarëve të Istries, të cilët u shkëputën midis shek. XVII-XVIII nga brezi bregdetar i Shkodrës dhe Kotorrit: Do ngrihem e vete me karko tëtam tem, a do tham ati. Ky tip i së ardhmes, i përbashkët për gjuhët e Ballkanit, vihet re në veprën e I. Ajetit edhe në të folmen e katundit Arbënesh afër Zarës në Dalmaci, banorët e parë të të cilit u shpërngulën nga krahina e Briskut dhe Shestanit.

Këto punime, gjithashtu, hedhin dritë dhe tregojnë qartë ndikimet e ndërsjella dypalëshe në gjuhët e kësaj treve “Dihet me siguri se bazat për një ndikim shumëduarsh të shqipes në gjuhët e tjera të Ballkanit s’kanë munguar”. Kështu, I. Ajeti, duke ecur në hullinë e albanologëve të mëhershëm si, N. Jokli, H. Pedersen, G. von Hahn etj., thellon studimin për arvanitasit e Greqisë, për çamërishten, për të folmen dhe gjurmët historike të saj te shqiptarët e Malit të Zi, të Hercegovinës e Bosnjës etj. Si përfundim mund të themi se vepra në tërësi e akademik Idriz Ajetit dhe hulumtimet në këtë lëmi të veçantë që vumë në dukje më sipër, shquhet për vështrimin kompleks të dukurive historike në ndërlidhjet e tyre të shumanshme dhe me faktorët veprues të brendshëm e të jashtëm, për pasurinë e informacionit, për arsyetimin rigoroz dhe analizën kritike të dokumenteve, duke na lënë një trashëgimi të shkëlqyer e objektive.