Ermail Mulosmani

Milan Kundera shkruan në një nga librat e tij (ka mundësi te “Lehtësia…”) për mallëngjimin që provoi kur pa një film të kohës së Luftës së Dytë Botërore. Thellë brenda vetes u ndje fajtor nga nostalgjia që provoi për një kohë të errët kur mbijetesa ishte përcaktuesja e të gjitha veprimeve.

Mundet aso kohe të kishte edhe kujtime të turbullta turpi e mosdinjiteti personal dhe arsyet për përlotje me siguri duheshin kërkuar diku tjetër. Në kohët e luftës Çekia ishte një nga shtetet e para që iu dorëzua pa luftë Hitlerit. Aso kohe Milan Kundera ishte mes 10 e 15 vjeç. Bash këtu i kërkon edhe shkaqet e nostalgjisë për Hitlerin. Ai kishte nostalgji për fëmijërinë e tij dhe Hitlerti thjesht ia kujtonte atë…******Në fillim të viteve 80, Shqipëria komuniste po jetonte ditët më të këqija të saj. Euforia e fillimit dhe shpresa se “ditët e bukura paskëtaj do vijnë” po veniteshin vit pas viti. Izolimi total në mbrojtje të devizës “edhe bar hamë por parimet nuk i shkelim” na e kishte shtuar urrejtjen për barin po aq sa për parimet. Ishim në kohën e rezistencës pasive. Izolimi kulturor është pjesa më thelbësore për realizimin e indoktrinimit.

Nëse një njeri rri gjithë ditën me dele në fund të disa viteve do fillojë të blegërojë.E vetmja “frengji” lirie aso kohe vinte nga Kosova apo ish Jugosllavia. Pothuaj i gjithë veriu i Shqipërisë (Tropojë,Dibër, Kukës, Shkodër), të lodhur nga refreni “Buzë Adriatikut rreze lëshon Shqipnia/Fanar i pashuar ne na prin Partia”, e të tjera si këto, gjente ngushëllim te çfarëdo turbofolku që mbërrinte në vesh. Madje më shumë se kaq, e trajtonte atë dëgjimin e përzier me zhurmues si akt të pastër disidence. Më së paku e trajtonte si antikonformizëm. Këto ishin ditët më të mira të jugosllavizmit në Shqipëri. Lepa Brena me disa tinguj ritmikë e disa fjalë si “To to to eto…” apo “Udri udri udri mujo” dhe Zdravko Çoliç me “Pusti pusti modu” në krahasim me këngët labe ose ato me çifteli na dukeshin si kulmi i modernizmit.

Në vitet ‘80-82, në brigjet e Valbonës në Bujan (Dezdar) u krijuan me ekskavator disa puse uji mes shelgjeve ku lëshoi i madh e i vogël. Qysh nga ajo kohë unë kur dua të imagjinoj lumturinë e kërkoj në ato ditë. Autobusë vinin në qytet me porosi nga Ndërmarrja, mbusheshin me fëmijë, të rinj e të rritur dhe i zbarkonin në atë breg lumturie. Noti, futbolli, 5 katëshi, hareja dhe gëzimi i kotë kurrë nuk kanë qenë në ato nivele.

Natyra na dha me bujari gjithçka njeriu na kishte kufizuar. Radiot “Iliria” e buka me djathë, domate e ndonjë spec i skuqur, ishin për të pasurit që shpesh na ftonin me bujari të ndanin varfërinë e tyre. E që të dal në temë, kulmi i argëtimit ishte kur fillonte Pozdravi. Radiot sinkronizoheshin dhe ngrinin volumin në maksimum dhe kur Lepa Brena këndonte “To to to eto….”, në refren gjithë rinia harbohej duke kënduar. Isha i bindur asaj kohe se Lepa duhej të ishte star botëror.Unë e dua atë kohë jo se ishte e bukur por se ishte fëmijëria.******

Në shitoret e atyre viteve, përveç shitësit mund të gjeje edhe kavanoza salce, komposto kumbulle apo pjeshke, qepë të thata dhe presh. Bylmetorja dhe Kasapi ishin shumicën e kohës bosh pasi edhe shitësi i jepte vetes rëndësi, nuk vinte kot në punë. Kur vinte në punë (ndodhte fort rrallë) ishte shenjë e mirë. Ato ditë pritej ndonjë furnizim dhe njerëzia fillonte të popullonte shpesh ambientin. Ku i dihej…Sesi kemi mbijetuar një Zot e di. Hanim shpesh marmalatë molle që e copëtonin me satër mishi, margarinë (një nënprodukt i tmerrshëm industrial) sheqer e groshë. ******Në këtë situatë, babai im, i cili vet ishte një egocentrik i pandreqshëm që “banonte” kryesisht me seli te Turizmi i qytetit duke vujatur të gjitha pasojat e kësaj jetese 🙂, më flet një ditë për…. Preshin.Konteksti ishte ky. Para disa ditësh kishte mbrritë në B. Curri një mik i afërt i babit, inxhinier gjeolog dhe njeri i shkëlqyer, që, ishte në vitin e tretë të studimeve pasuniversitare në Paris. Adil quhet. Babi duke pa mungesën totale në treg kishte ndërtuar një fabul për preshin. Më thotë:“Ermal, takova Adilin mbrëmë, ndenjëm gjatë, më tregoi për Parisin, shkollën jetën… Më mbeti mendja te një fakt mjaft interesant.”“Hë”–i thashë unë kurioz“Në Paris mund të gjesh gjithçka. Dyqanet janë plot dhe nuk ekzistojnë radhët. Me përjashtim të Preshit. Është i vetmi produkt që në Paris nuk shitet me kilogramë por me copë. Radhët shkojnë deri në 20-30 vetë dhe askush nuk blen dot mbi 2 copë presh. Nëse do më shumë futesh në radhë për së dyti…”Fliste me seriozitet të skajmë, kishe vu edhe syzet për të hequr çdo iluzion shakaje. Mashtrues fenomenal.Unë e hëngra komplet. Të nesërmen shkova në dyqan dhe bleva 4 kg presh.

Shitësi u pataks. Gjithë muajin në gjithë qytet kishte shitur 2 kg. Por kjo mashtonte kënaqësinë. Qyteti ishte injorant ndërsa unë i ditur. Në fakt i mashtruar. Kur e kuptova unë që Parisi dhe Preshi nuk kishin asnjë lidhje emocionale ishte tepër vonë…Kështu është edhe puna e dashurisë sonë me këngët dhe këngëtarët sllavë. Kujtonim se ishin maja e botës, se Lepa e Zdravko ishin si Majkëll Xhekson apo Madona.

Kur e morëm vesh që ishin ca ballkan-tallava ahengxhi, ishte shumë vonë….Edhe sot ka mes nesh që besojnë se pasardhësit e tyre janë vlera botërore. E kanë nga ndikimi i atyre kohëve kur kanë qenë fëmijë. Sllavizmi u kujton fëmijërinë si Hitleri – Kundërës.