Muzeu i Louvreit është rihapur të hënën, pas mbylljes 4-muajshe shkaku i pandemisë së koronavirusit.

Punonjësit e këtij muzeu kanë bërë të ditur se maskat do të jenë të detyrueshme dhe se numri i vizitorëve do të jetë i kufizuar.

Gjithashtu, do të krijohet hapësirë për rresht, për të parë pikturën e famshme Mona Lisa të Leonardo Da Vincit.

Ky muze ka afro 10 milionë vizitorë në vit, kryesisht prej jashtë Francës teksa konsiderohet të jetë muzeu më i vizituar në botë, shkruan BBC.

Për shkak se turizmi ka pësuar keq sherri i pandemisë dhe pasi që BE-ja ka hapur kufijtë për vetëm 15 shtete deri tani, punonjësit e muzeut kanë frikë se numri i vizitorëve do të pësojë rënie të madhe.

“Jemi duke humbur 80 për qind të publikut tonë”, ka thënë drejtori Jean Luc Martinez.

Muzeu u mbyll më 13 mars dhe thuhet se ka humbur 40 milionë euro në të hyra që nga atëherë.

“Jemi me fat që muzeu jonë është pronë shtetërore”, ka thënë Martinez per Neë York Times.

Guidat turistike të Parisit protestuan jashtë Louvreit të hënën mbrëma, duke thënë se qeveria nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i ndihmuar njerëzit të cilit punojnë në industrinë e turizmit.

Presidenti francez, Emanuel Macron, shpalli “fitoren e parë” mbi koronavirusin në qershor, derisa po vazhdohet me lirimet e pjesshme të kufizimeve, transmeton KOHA.

Por qeveria është përballë me kritika gjatë pandemisë, për shkak të mungesës së pajisjeve mjekësore dhe për mënyrën se si e ka menaxhuar krizën.

Franca ka konfirmuar më shumë se 195.000 raste me virus dhe 29.813 të vdekur, sipas Universitetit Johns Hopkins.