Nga Pjetër Logoreci

Dita kombëtare e monumenteve të kulturës në Austri (me 25.9.2016), koha e bukur e me temperatura të larta, por edhe deshira ime për të ndjekur gjurmët e gjeniut Karl Gega e për t’u njohur me veprat madhore, të cilat hapen një epoke të re në ndërtimin e hekurudhave në rang botëror, me bëri që të ngjitesha në lartësitë e krahinës së Breitestein-it, ku gjindet muzeu kushtuar gjeniut me prejardhje shqiptare, Inxhinierit e Arkitektit Karl Gega.

Krahina malore e Breitenstein-it ndodhet në ndarjen administrative të Austrisë së Ulët, në zonën e Semmeringut, që është klasifikuar si Trashëgimi Kulturore Botërore, si rezulatat i infrastrukturës së veçantë hekurudhore, që e përshkon malësinë në lartësitë 705 deri në 1.545 metra. Hekurudha e parë malore, me famë botërore, e projektuar dhe zbatuar nga Karl Gega, e përshkon tërë krahinën, duke i bërë këto vende shumë tërheqëse për turistë nga e gjithë bota.