Samir Karahoda i lindur në Prizren më 1977, filloi të punojë si fotograf në vitin 1992. Në 2003 përfundoi studimet e fotografisë në Akademinë e Arteve të Bukura në Universitetin Mimar Sinan në Stamboll, ku aktualisht është duke magjistruar në drejtimin e njëjtë.

Krahas punës së tij si fotograf, ai është gjithashtu kinematograf, tutor dhe kuron programin e filmit të shkurtër në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar “DokuFest” në Prizren, transmeton Koha Ditore. 

Filmi i shkurtër dokumentar “Në Mes” është debutimi i tij si regjisor, film i cili premierën botërore e kishte në “Berlinale” si film i parë kosovar që pranohet në këtë festival dhe në një periudhë 6 mujore u shfaq në mbi 30 festivale dhe u shpërblye me dy çmime kryesore.

– — – – – – –

Familja është një ndër arsyet kryesore që i jep kuptim gjithçkaje çfarë bëj në jetë. Përveç si motivues kryesor dhe burim inspirimi, në të njëjtën kohë është edhe arsyeja për të punuar më shumë për një jetë më të mirë e më të lumtur.

Në epokën në të cilën jetojmë, ditët e vitet kalojnë shumë shpejt, ngarkesa është e madhe, dhe puna ime nuk ka orar të caktuar andaj dhe shpeshherë më duket që kaloj shumë pak kohë me anëtarët e familjes.

Gjithmonë mundohem që kohen e humbur ta kompenzoj duke udhëtuar disa ditë së bashku dhe mendoj se kjo është gjëja më e mirë dhe e bukur që mund ta bëjë çdo familje, të largoheni së bashku për disa ditë në një vend ku nuk ke punë për të bërë por kohën e kaloni bashkë.

Biçikleta është mjeti i cili ma mundëson largimin. Kur them largimin, mendoj për largimin nga realiteti i përditshem, nga kaosi urbanistik, dhe nga ndotja, ku kryesisht largohem në male apo në natyrë. Si çdo sport tjetër edhe çiklizmi të jep energji të re, të motivon dhe të disponon. Biçikleta është një mjet që do t’ia propozoja të gjithëve që kanë nevojë të dalin nga rutina e përditshme.

Asgjë tjetër nuk do të kisha dashur sesa që në vendin ku jetoj ta përdor biçikletën si mjet transporti. Fatkeqësisht asnjë qytet në Kosovë nuk i përmbush kushtet që të shfrytëzosh biçikletën si mjet transporti dhe asnjë qytet nuk ka plan konkret që në të ardhmen e afërt këto qytete do të bëhen të jetueshme edhe për çiklistët…./Koha.net/