Motra tone Nga Kole Idromeno

Në dhjetor të vitit 1939 u nda nga jeta Nikolla “Kol” Idromeno. Ai u lind më 15 gusht 1860 në Shkodër. Ishte artist; piktor, arkitekt, urbanist, fotograf, skenograf, muzikant, kompozitor këngësh popullore, operatori i parë i filmave dokumentarë në Shqipëri, që më 1912.

Thuhet se familja e tij ishte nga më të njohurat e Pargës në Çamëri. I ati, Arsen Idromeno, kishte ardhur në Shkoder nga ishulli Hidro i banuar nga arbëreshët e Greqisë. Kola filloi të pikturonte që kur ishte fëmijë; mësime për vizatim i mori duke qëndruar pranë fotografit të njohur të qytetit, Pietro Marubi, i cili e ndihmoi Kolën për të ndjekur studime për pikturë në Venecia. Por, i pa mësuar me disiplinën në shkollë, pas 6 muajsh, Kola braktis mësimet pas dhe filon të punojë pranë piktorëve dhe artistëve vendas. Kur kthehet në Shkodër, ai realizon pikturat e para; një prej të cilave “12 luftëtarët e Pargës në lundër” në përkujtim të largimit të paraardhësve nga Parga drejt Himarës.

Në vitin 1883, Idromeno realizon veprën “Motra Tone”, portreti i parë psikologjik i pikturës realiste të periudhës së rilindjes shqiptare. Nga fundi i shekullit 19 dhe fillimi i shekullit 20, pikturat e Idromenos u shfaqën në ekspozita të ndryshme ndërkombëtare si në Budapest, Romë, Bari, Nju Jork etj. Piktura e fundit e Idromenos është “Plaku i Postrribës” (1939), ku ai shpreh gjendjen e vështirë ekonomike të fshatit shqiptar. Fusha të tjera ku Idromemo spikat janë skulptura dhe arkitektura – me rreth 60 ndërtime private e publike në Shkodër të projektuara prej tij.