Zija Çela

Isha duke lexuar ne ballkon dhe, kur i pashë ata, sapo kisha perfunduar nje fraze. Fraza ishte: Heraclides Ponti rrefen me admirim te madh se Pitagora mbante mend te kish qene Pirroja dhe para tij Euphorbi dhe ca me perpara nje tjeter vdekatar.
S’di pse, pa ua ndare syte, u ngrita ne kembe. Ata ishin tre. Një burre, një grua, një fëmijë në karrocë. Dhe kur u afruan, prapë nuk e prishën formacionin. Gruaja ecte, shtynte karrocën dhe fliste gjithë ëmbëlsi me të shoqin. Burri i gjatë e kishte nxjerrë më të djathtë. Vura re se nga bërryli e poshtë atij i mungonte pjesa e krahut të majte. Por pëllëmbën e krahut tjetër e kishte mbështetur në supin e së shoqes. Çfarë bisedonin nuk e di, veçse ai i përgjigjej plot përzemërsi.
Ne rrugicen e ngushte u desh të ndaleshin disa herë, duke u hequr mënjanë. I parakaloi një biçikletë me zile. Pastaj ca këmbësorë të nxituar. Pastaj një motor picerie që gumëzhinte si grerëz e kuqe. Megjithatë, kur morën kthesën, ishin ende në atë formacion të lidhur. Formacion tresh. Një fëmijë në karrocë, një grua që e shtynte, një burrë që i mungonte gjysma e një krahu, por pëllëmbën tjetër e kishte mbështetur në supin e së shoqes. Më dhanë në çast përqasjen e trekëndeshit. Hipotenuza ishte burri, kateti i shkurtë fëmija, ndërsa baza… Baza ishte gruaja.
A ndikoi ne kete perfytyrim fakti qe e kisha lene leximin pikerisht te korifeu i trekendeshave?
O i famshmi Pitagora, ja ku ngec teoria jote e perbotshme! Me vjen keq, por kjo sipërfaqe metafizike nuk mund të matet me formula gjeometrike. Vecse as ti, Zonje e panjohur, nuk ke per ta marre vesh kurrë se Zija Çela te ka xhan. Sic nuk kam per ta ditur une misterin e fshehte te trekendeshit tuaj, sepse ate vetem ti, vetëm ti e zoteron. Dhe mos ma thuaj, mos, se është njëlloj si të shoh Zotin e pastaj të vdes.

Poshteshenim per lexuesit: Asgje, ndoshta mbetet per t’u shtuar nje porosi e vockel. Natyrisht, asnjehere nuk kam qene Pirroja a Pitagora. Por dikur kam qene femije edhe une. Diten qe erdha ne jete, ka qene data… Shettttt, ju lutem, mos i thoni Zonjes qe ky burri, i cili e adhuron, sot ka ditelindjen!