https://central.gjirafa.com/renderer.html?v=1.1

Një prej çmimeve më prestigjioze për letërsinë e fëmijëve dhe të rinjve është ndarë me një ceremoni online, të martën në Stockholm. Fituesi i sivjetmë i çmimit “Astrid Lindgren Memorial” është autori francez Jean-Claude Mourlevat, që mësoi për trofeun e tij pak para se të niste transmetimi i ceremonisë nga Stockholmi.

I themeluar më 2002 nga Qeveria suedeze, çmimi mban emrin e autores suedeze Astrid Lindgren, krijuese e personazhit popullor fiktiv të Pipi Çorapgjatës. Lindgren vdiq më 2002 në moshën 94-vjeçare, por la pas vetes gjurmën e saj në letërsinë për fëmijë në Suedi dhe më gjerë.

Për çmimin e sivjetmë, në vlerë prej 5 milionë krunash suedeze (489,719 euro), Mourlevat ka dalë i fituar përballë 250 kandidatëve nga 68 vende.

“Nuk mund ta besoj këtë”, ka përsëritur ai, duke tingëlluar sa i tronditur, po aq edhe i ngazëllyer, sapo mori vesh për fitoren. “Është një befasi kaq e madhe saqë nuk mund të them diçka interesante”, ka shtuar ai.

I lindur më 1952 në fshatin francez të Ambertit, Mourlevat ka shkruar mbi 30 libra për tinejxherë e fëmijë të përkthyer në 20 gjuhë.

Ai e nisi karrierën e tij profesionale si mësues gjermanishte, por e ndryshoi punën në atë të aktorit, regjisorit dhe klounit. Ishte rruga teatrore që bëri të zbulonte pasionin e vet për të shkruar përralla, fabula dhe tregime fantastike.

“Jean-Claude Mourlevat është një ripërtritës i shkëlqyer i traditës së përrallave, që janë të hapura si për vështirësinë, ashtu edhe për të bukurën”, shkroi juria. “Koha dhe hapësira janë të pezulluara në botët e tij fiktive, dhe temat e përjetshme të dashurisë dhe synimeve, dobësisë dhe luftës janë të paraqitura me një prozë të përpiktë e ëndërrore. Vepra përhershmërisht befasuese e Mourlevatit e kthen fabrikën e epikës së qëmoçme në një realitet bashkëkohor”, ka thënë Këshilli suedez i Arteve që organizon çmimin në fjalë.

Një prej sukseseve më të mëdha të Mourlevatit ka qenë romani për të rinj “Le combat d’hiver” (Kënga e dimrit, e botuar edhe si “Fundi i dimrit”), që sjell rrëfimin e katër studentëve pa prindër që janë të shtypur e të qortuar në një shkollë konviktore. Mund të jetë frymëzuar nga vetë jeta e Mourlevatit. Ai kaloi tetë vjet të palumtura në një shkollë të rreptë konviktore dhe në intervista ka thënë se leximi ishte shpëtimi i tij i vetëm, sipas biografisë së tij në faqen e çmimit memorial.

Ceremonia e ndarjes së çmimit u mbajt për herë të parë, një vit pas vdekjes së Lindgrenit, dhe fituesit e parmë ishin autori amerikan Maurice Sendack, i njohur për librin e tij të famshëm “Where the Wild Things Are dhe Christine Noestlinger” nga Austria. Fituesi i vjetëm ishte ilustratorja jugkoreane, Baeck Heena.