Nga: Pirro Naçi

Gënjeshtra të pafajshme të prindërve tanë pavarësisht ekzagjerimit të tyre ne i besonim. Mbaj mend, gjyshët dhe gjyshet që na thonin pak nga këto rrena të sajuara për të arritur qëllimin e tyre; për të na bërë të hanim të gjithë ushqimin e pjatës, për të justifikuar dhembjet kur përgjaknim këmbët ose kur donin të bënin “filizofofizma” apo kozmopolitin . Α e dini si është kuptimi në shqip i fjalës Amerikë? – na thoshnin… Ne mblidhnim supet dhe menjëherë vinte përgjigja – ha, mer dhe ik…!

Ky meditim më erdhi ndër mend këto ditë as nga prindërit, apo gjyshërit tanë, por nga diçka tjetër që ka të bëjë me “familjen” e madhe të Facebook-ut. Me një ndryshim, këtu pjata që serviret në shumë raste ose është bosh ose është e gatuar keq. Që të dyja nuk i bëjnë mirë “shëndetit”.

Ditë më parë më tërhoqi vëmendjen një botim në këtë rrjet ku bëhej fjalë se në Gjermani nxënësit e klasës së katërt të ciklit të ulët mësojnë të vërtetat historike të heronjve pellazgo-ilirë që themeluan Romën. Po nxënësit tanë a i mësojnë këto të vërteta historike?! Koha për të kthyer historinë e të parëve tanë në shkolla fillore ku formohet tharmi i inteligjencës patriotike shqiptare…

Ky është shqetësimi i një intelektuali që mban edhe titullin e shkrimtarit e të gazetarit me shumë “Friends”-a në faqen e tij që do t’ia kishin zili jo vetëm historianët, por edhe politikanët. Instituti i Historisë – vazhon ai – duhet pastruar nga të shiturit dhe të pa aftët. Akademia e Shkencave duhet të lëvizë të ndenjurat dhe të merret me historinë e antikitetit pellazgo-ilir… etj. Ndoshta ka edhe të drejtë, nuk dua ta gjykojë mendimin e tij. Më poshtë ai vazhdon se çfarë thuhet në tekstin e historisë së klasës së katërt të ciklit të ulët në Gjermani: Një nga pasardhësit mbretërorë të fisit të Eneas, ishte mbreti shqiptar Prokaz, i cili kur vdiq kishte lenë pas dy djem, Numitorin dhe Amuliusin… Vajza e Numitorit, Rhea Silvia, u martua fshehurazi me Zotin e Luftës, Marsin, dhe lindi binjakët Remin dhe Romulin… Kur Romuli dhe Remi u rritën ata vendosën të themelonin një qytet. Secili donte që t’i vendoste qytetit emrin e tij dhe për këtë ata u grindën me njëri-tjetrin në një dyluftim, ku Romuli vrau Remin dhe e ndërtoi vetë qytetin duke i vendosur emrin e tij Roma

Në qoftë se në gjermani në tekstet shkollore shkruajnë çka më lart, shumë keq bëjnë. Këto nuk janë të vërteta, por një shtrembërim apo përkthim i keq i fjalës “Albanerkonig”. Prokaz është një kolon romak nga qyteti Alba dhe ishte mbreti 12-të i Alba Longës. Në atë kohë, territoret e saj shtriheshin deri në Tiber. Në epokën e hekurit kishte një sërë fshatrash përgjatë dhe anash jugperëndimit të liqenit Albano. Në rrethinat e saj ndodhej edhe një qendër kulti e lidhur me hyjneshën Alba që prejardhjen e emrit vjen nga latinishtja, Albusi, që do të thotë e bardhë. Alba ishte një qytet mitik i Lidhjes Latine i themeluar nga Ascanio dhe i rrafshuar rreth shekullit të gjashtë para Krishtit nga romakët nën sundimin e Tullo Ostilio. Historiani antik, Dionisi i Halikarnasit, besohet se ka shpikur kronologjinë albane për të mbushur boshllëkun e shekujve midis rënies së Trojës dhe themelimit të Romës. Emrat e mbretërve shpesh bazohen në vendet përreth Romës, të tilla si Tiberinus, Aventinus, Alba, Capetus etj. Dhe, në fund të fundit, edhe sikur të ishin të vërteta këto nuk janë histori, por mitologjia e lashtë Romake. Po, mitologjia të mësohet në shkolla, por ajo nuk mund ta ngatërrojmë me historinë dhe të nxjerrim konkluzione të tilla.

Të gjitha këto mund të janë të vërteta të shkruara, por jo të vërteta historike. Janë mitologji. Në librin e Pierre Grimalit, Dictionnaire de la Mythologie Grecque et Romaine, ka disa pjesë interesante të mitologjisë që lidhen me illirët. Flitet për Daunesin dhe vëllezërit e tij që së bashku me një ushtri ilire pushtuan Italinë e jugut dhe dëboi ausonët. Ndanë territoret në tri pjesë të cilat u quajtën: Mbretëria e Daunëve, Messapis dhe Peuquetis. I gjithë vendi u quajt “Vendi i Japigëve”. Daunesi ishte djali i Pilumnusit që në mitologji është një hyjni e lashtë Romake dhe me “lidhje” gjaku me heroin tjetër romak Turnus që u vra nga heroi trojan Enea… E plot e plot të tjera… dhe në shumë variante.

Ndërsa, në mitologjinë greke, po në këtë libër, kemi përshkrimin për kërkimin e Evropën pas rrëmbimit nga Zeusi. E gjithë familja mbretërore e tyre që ndodhej në Libanin e sotëm ishin në kërkim të Evropës. I vetmi që rezistoi deri në fund për gjetjen e Evropës ishte i vëllai, Kadmusi, mbreti Thivës i cili në fund të jetës duke kërkuar Evropën shkoi tek miqtë e vjetër enkelejt, dhe aty me gruan e tij Harmonin lindën djalin e fundit që i dhanë emrin Ilir dhe atë vend e quajtën Iliria. Këto shkruan mitologjia e lashtë. Po të duan gjermanët le ta mësojnë mirë edhe mitologjinë e Evropës, Kadmusi dhe të ilirëve. Nuk e kam fjalën për fëmijët e klasës së katërt, por të një klase tjetër, atë politike që kanë lënë Albanische Volk vitet e fundit në të njëjtën klasë… duke nxjerr herë pas herë fytyrën e transformuar të Lokit (një Zot i keq i mitologjisë gjermane). Të kuptohemi, Loki është shfaqur kur ka ardhur koha për të “kaluar klasën” apo në “provimet e vjeshtës”, se për të gjitha të tjerat gjermanë kanë treguar ndaj shqiptarëve fytyrën e Balderit (një zot i mirë mitologjik i panteonit gjerman).

Mitologjia është sa e bukur aq edhe interesante që duhet të studiohet dhe të interpretohet drejtë të paktën në arsimin universitar dhe jo në arsimin e ulët shkollor. Formimi i tharmit të inteligjencës shqiptare nuk bëhet duke ngatërruar historisë me mitologjinë. Atë le ta bëjnë gjermanët!

Historia e ilirëve dhe popullit shqiptar është mjaft e pasur dhe nuk ka nevojë për të tilla interpretime. Fakti që ilirët janë përshkruar edhe në dy mitologjitë e mëdha botërore, atë greke dhe atë romake, flasin shumë. Interpretimet të tilla në rrjete të ndryshme se shqiptarët janë krijuesit e Romës apo të Athinës do të na bëjë të kërkojmë rrënjët gjeneologjike tek Kadmusi në brigjet e Libanit të sotëm, ku kishte mbretërinë babai i tij, Mbreti Agenor, dhe ndoshta diçka edhe më larg duke kërkuar të jemi pasardhës edhe krijuesit e Piramidave të Gizës në Egjiptin e lashtë! Më tutje nuk shkoj se është Persia (Irani i sotëm) e njohur nga “lidhjet” e Teheranit me Tiranën nga bëmat e Pasha Sulejmanit… S’është çudi me këto “ritme” një ditë këngëtarin e mirënjohur italian Al Bano që na ka dhuruar një këngë të bukur Saranda-Okinawa ta nxjerrim ne origjinë nga Santi Cuaranta!

Atë pjatën e fëmijërisë që ushqimin e kapërdinin edhe më ndonjë gënjeshtër të “vockël” dhe “filozofizma” apo përkthimet për “Amerikën” le t’i sjellin ndër mend herë pas here. Ta bëjmë deri sa institucionet shkencore të fushave përkatëse të mbarojnë punë me problemet e “mëdha” dhe po i doli koha të merren edhe me këto, të “voglat” dhe të pa “rëndësishmet”.

Dhe dy fjalë për këtë shpikjen e madhe të Zuckerbergut i cili na merr shumë orë nga 24-shi jonë. Të gjithë kemi vënë dorën pak a shumë në këtë pandemonium të mbi-informacionit duke krijuar reagime pozitive apo negative tek “Friends”-at tanë. E, mos ka ardhur koha t’i kushtojmë vëmendje më të madhe asaj që ne nxjerrim në dritaren e FB-së? Është pothuajse qesharake pasi Facebook-u e ka mbështetur tërë ekzistencën në një fenomen që ka lindur së bashku me të. Ai ka një pronësi unike që të shkarkon varësi dhe në thelb plotëson një nevojë për të njohur të gjitha nga të gjithë dhe për të gjithë pa gjykuar e menduar ato që thonë dhe shkruajnë.

Kujdes “pjatën”. Sekreti i jetës dhe i shëndetit është i fshehur tek kjo pjatë dhe tek ajo që konsumojmë.