Një mënd u pandeh se u shua, kaq j’u zbe fytyra dhe mbeti pa frymë; sytë i kishte të mbyllur dhe mustaqet e mëdha të thinjura u epnin buzëve të tij një hije t’errët dhe i rrëfenin akoma më tepër pa shpirt.
Të dy të tjerët u shikuan, me një pyetje në sy, pa guzuar të flasin: në këtë vështrim që të dy kishin tërë ato fjalë, të ngrira mbi buzët.
I sëmuri përnjëherë çeli kapakët e syve dhe u çfaq një vështrim i venitur; pastaj mori një frymë të thellë, një farë psherëtime të hollë, të ngadalshme.
-Si je, Gjok? A je pak ma mirë?
I sëmuri ktheu sytë, shikoi t’ëmën dhe, në vend të përgjigjes nxori edhe një psherëtim.
E ëma më nuk pyeti gjë tjatër, po ndënj pranë vatrës. Atje mbi një shtres prej bari ishte shtritur dhe Gjoku, kryet nga muri, mbi një trajsë me bar, këmbët nga vatra; një zjarr i pakt po digjesh, se vjeshta akoma s’i kishte sjellë të ftohtët e saj.
Plaku ndreqi pak zjarrin dhe shikoi të birë. I gjatë, me një trup të shëndoshë, mustaqet pak të thinjura dhe të dëndura, flokt e kokës akoma të zes dhe të shkurt. Gjoka ngjante të kish në mes tridhjetë e pesë dhe dyzet vjeç. Nga brakeshat i ishin zgjatur këmbët me një palë çorape të tjerura me lesh të kuq e të verdhë; mbi çorapet këputat e qëndisura kishin një ngjyrë më të thellë, duke bërë një rreth të gjërë në mes të bardhët e brakeshavet dhe ylberin e çorapevet.
Gjoku tani kishte çelur fare sytë dhe në këta drita po kthehesh pakëngapak, u epte ngjyrën e vërtetë, dy sy të vegjël larush, me një palë vetulla të dëndura dhe të gjata përmbi ta; vështrimi dukesh pak i egër, si një shkëndijë nëpërmes të një dushku, sado që tani i dobëtuar, nën ballët të ngushtë dhe të fortë.
-Më dhemb, tha Gjoku dhe shpuri dorën e djathtë në ijët.
Fjalët ishin thënë fort me ngadalë, si një murmurim të shokëruar me një psherëtim, një të marrë frymë të thellë.
Plaka shikoi, u ngrit dhe j’u qas të birt.
-A të dhemb, Gjok? Po mos ki frikë, Marku ta ka lidh mirë dhe nuk është plag’ e rëndë.
I sëmuri s’e kishte silahun në brez, dhe atje ku kishtë shpënë dorën, nën xhamadan dhe jelekun, dukesh një lidhje e madhe, e gjakosur, e gjerë.
-Do shërohet, tha Gjoku, si me pahir, me një zë më të lartë dhe të kthiellët.
Mëma ndënj pranë të birit nga kryet; është një grua e thatë dhe e ligur, shtati i shtrënguar në xhokën e ngushtë, flokët fare të bardhë, të shtrënguar më një shami, fytyra e rrudhur, po e shëndoshë, me energji, syri i mprehtë, sado i lodhur pak prej një jete të gjatë.
Nga ç’kishte pasur në jetë tani vetëm ky djalë po i mbetet.
Një çupë e ka të martuar në bajraku fqinjë dhe ka gjashtë vjet ta shohë. I shoqi, edhe plaka kurdoherë që zë ngoje emrin e plakut të saj e ndjen veten madhështore, ka më tepër se njëzet vjet që është vrarë, me një goditje, më një luftë në mes dy fiseve; kishte mbetur e ve me Gjokun, me të bijën Maro dhe Hillin, djalin e math të saj, shtylla dhe pshtetja e shtëpisë, gjithë shpresa e saj. Po edhe Hilla dy vjet më parë ish vrarë, ahere kur u derth kaq gjak për shkakun e shtëpis’ së Dedës, dhe ku ranë kaq trima më të dy anët. Të dy djemt’ e Hillit, Prenku me Gjeloshin, janë në Shkodër, punojnë, fitojnë për veten’ e tyre, se e ëma u ka vdekur tetë vjet më parë.
Plaku këtu po mban shtëpinë, me Gjokun, i vetëm i një barku dhe i një brezi.
-Pak ujë, nën, foli i plagosuri.
-Epi një, Mark!-tha plaka me një zë që kishte qënë kurdoherë urdhëronjës.
Ay që quhesh Mark kish ndënjur më një çip të odës, mbi një shkam me tri këmbë dhe pinte cingar. U ngrit, mori stamnën nga polica, u qas në shtrat të Gjokut dhe, duke vënë gjunë mbërdhe, ja prieri grykën në gojë të sëmurit; ky piu tri gëlltime, dhe shikoi Markun, me një sy miku, sikur për t’ju falur nderi për kujdesin që mirrte dhe kishte marrë për të, sikur dhe për të pyetur qysh ja sheh plagën.
-Kurajo pra, tha Marku, do t’shkojë, nuk a gja.
Pastaj, vajti dhe vuri stamnën në vend, duke tundur xhufkat të guberës; dhe ndenj prapë në front, me cingarin e trashë në gojë.
Një pushim i thellë erdh në odët. I plagosuri po shikonte trarët e nxirë të tavanit, i thelluar dhe ay më një farë ëndërimi, me një shikim të palëvizur. Plaka kishte zënë të dy gjunjtë afër krahrorit, dhe dukesh e drobitur, po syt’ e s’i ndante nga fytyr’ e të birit.
Përnjëherë dera u çel dhe një zë i ngadalshëm e i butë u dëgjua:
-Qolldo Krishti!
-Gjithmon e jetës!-thanë përnjëherësh plaka dhe Marku; e para vetëm kryet ktheu, Marku ishte ngritur.
-Si je Mark, si është i sëmuri?
-Ma mirë, at Pjetër.
I ardhuri ishte një prift, me rroben e gjatë të zezë, me mustaqe të verdha e të holla. J’u qas të sëmurit dhe e shikoi.
-Je mir, Gjok? Qoft’ e shkume!
-As po nji farësendi, atë.
-Mramë vonë e digjove si ngjau puna, edhe sot po vij me t’pa. Po mos u tut, tash qi ke Markun, aj të shëron, se kurrkush nuk di ma mirë se ay ilaçet e varrave. E ti nanë, si shkon?
-Djali, atë Pjetër, djali.
-Zoti do ta bajë mirë.
-Nuk e ndjej fort mirë veten, më duket se jam liksht, tha Gjoku.
Prifti ju qas Markut dhe e hoqi fare në çip t’odës; ndënjë mbi dy shkam të vegjël.
-Lere kafen tani, ma ban pastaj, po kallxoma si ngjau puna.
Edhe Marku një nga një, me ngadalë i rrëfeu gjithë ç’dinte mbi varrimin e Gjokut: ky dje kishte dalë herët të vejë në katund Dardhë, ku ishte thirur për një gjyq, si plak; kur kishte arritur në kufi të Pukës, tek shkonte nga dushqet e mëdhenj, prapa gurëve që varen mbi liqenët, ishin hedhur pesë pushkë, dhe Gjoku kish rën’ i plagosur.
-Si e ka plagën, Mark?
-Besa të rëndë. Plumbi është i martinit dhe ka mbetur brenda.
Kujtoj se mir ja kam lidhur, po Gjoku sot asht fare ma i dobët se dje.
-A kujton se e kanë vra djemt’ e Palokut?
-Po besa, bash ata, Mirashi me Gjeloshin, për me marrë gjakun e plakut tyne; vendi ku ka kris pushka atë kallzon, dhe Gjoku nuk i ka uha tjatër kujt noj’ gjak.
-Mirë, Mark, tash mbaroma nji kafe.
At Pjetri ndenj i mejtuar. Syt’ e tij të kaltërt shikonin në erë, shikonin pa parë gjë. Kur i ktheu këta sy mbi Gjokun dhe mbi t’ëmën të pshtjellë pranë shtratit të birt, një mëshirë dhe një trishtim i thellë po këndohesh në ta.
Prej s’ëmës së tij at Pjetri ishte kushëri me tan’ e Gjokut. Ish edhe ay një djal’ i këtyre maleve shkëmborë, në këta pyje dhe mbi këta gurë kishte bredhur kur ishte i vogël, bashkë me kecët e zes.
Fati ca kohë e kishte hedhur në Shkodër, me t’ungjin; n’at qytet kishte hyrë në shkollë, duke qarë dhe padashur, dhe pastaj kishte marrë shijen e mësimit; djali i egër i kecëvet ishte bërë një shkollar i butë dhe i rregullshmë; kishte hyrë në shkollë të fretnëvet, dhe duke dalë me një diplomë të mirë ishte çuar jashtë, në një shkollë të madhe të marrë një diplomë më të mirë dhe më të lartë. Kur ishte kthyer në Shqipëri, Pjetri i ri, mezi njëzetetrevjeç, po kthehesh me ide fare të ndryshme, fort të largëta prej idevet që kishte pasur si djalë kur bridhte prapa kecavet, shumë të pangjara me mendimet që dëgjonte në shtëpi të tij prej t’et dhe prej miqvet, me ato histori të vrasjeve dhe të gjakëve të pa reshtur kurrë.
Marku i pruri filxhan’ e kafesë dhe i ndënj pranë. Prifti zu të pijë kafenë dhe nuk i foli. Prapë mejtohesh dhe nuk shikonte gjë.
Prapë një pushim mbretëroi ca kohë në odët. Pastaj Pjetri përnjëherë tha:
-Dëgjo, Mark! Puna tani është fare e kthielltë. Gjoku u varru nga shkaku i gjakut që kishte hua. Tani kujtoj se nuk mbeti as për të dhënë, as për të marrë, sadoqë Gjoku kishte hua një vdekje dhe vetëm u varrua. Po edhe ti më thua se është keq, tepër’ rënd i goditur. Edhe un’ ashtu e shoh. Dua pra që të mbyllet zihja sa është gjallë, sa për të vdekur. Si jam kushëri me të, edhe ti një fis i afërm je. A thua se munt t’i pajtojmë? Të thëresim Mirashin.
-Thui, pra, njiher, tha Marku; edhe mua më pëlqen qi të pajtohen.
Prifti u çua më këmbë dhe shikoi së largu të sëmurin. Edhe ky nga vendi që ishte rënë po e shikonte, sikur donte të përgjojë fjalët dhe mejtimet e tij. Prifti në këta male kishte një emër të mirë, kishte më tepër se dhjetë vjet që këta vende që punonte për shpirtin dhe për zëmrën e të varfërve malësorë, kishte lënë qytetin dhe kishën e Shkodrës për një çelë në këto bjeshkë.
-At Pjetër, tha Gjoku me zë të dobëtuarë. Epmë bekimin tant.
-Zoti të ndjeftë, vëlla, tha prifti duke shënjuar.
Pastaj mori nga muri një kryq, një kryq prej dru arre të moçme, mbetur në këtë shtëpi prej pleqet.
-Të ndihmoftë Zot’ ynë, Gjok, -edhe ja qasi në buzët, mbi krahërort. I sëmuri e puthi kryqin dhe psherëtiti; një çast dy vija të gjata ju formuan më të dy anët të buzëvet, ballët ju rrudh, dhe shtrëmgoi dhëmbët. Dukesh që ishte nënë kafshim të një dhëmbjes së madhe.
-Dëgjo, Gjok, tha Pjetri pas një pushimi. Ke simbolin e Zot’ ynë që është kryqëzuar për të shpëtuar në fajtorët. Krishti ka thënë që fajet e armiqet t’ja u ndjenë. Ti ke besim ne Krishti, o Gjok?
-Po, at.
-Pra, Gjok, kujto shpirtin tand. Mundet që të thërritesh sipër në qiell. Unë dua që të thërresim Mirashin me Gjeloshin dhe të pajtohi, t’ja duroni shoqi-shokut.
Gjoku shikoi priftin dhe çeli sytë, si një njeri që s’kupton ç’i thuhet.
-Po ata më kanë vrarë!
-E di, u përgjigj prifti; po edhe baba yt u kishte vrarë atin e tyre. Tashti ata gjakun e vet muarrnë. Unë kam lajme se ata duan me u pajtu me ty. Gjaku u la, dhe kjo punë të mbarohet.
Gjoku s’foli. E ëma ishte ngritur më këmbë, dhe Marku ishte qasur; i sëmuri i shikoi që të dy, me pyetje në sy, dhe me çudi, sikur s’kuptonte ç’i thoshte prifti.
-Mirë thotë at Pjetri, është drejtë, tha Marku.
Plaka nuk foli. Për atë gjithë puna ishte jeta e të birt.
-Dëgjo edhe ti mëmë. Zot’ yn Krishti ka shogruar veten e tij që të na shelbojë neve; ka vdekur mbi kryq, ka derdhur gjakun e tij për mëshirën e njerëzisë, për të na shpëtuar prej fajit. Dhe ky Krisht ka urdhëruar mëshirën e njerëzve, durimin e fajeve, dashurin e përgjithëshme. Vetë Zot’ ynë u ka duruar fajin e atyreve që e munduan, që i derthnë gjakun e tij të perëndishmë. Edhe mbi kryq, ahere kur trupi i tij ishte çpuar me thumba, edhe ahere i lutesh t’et në qiell që të përdëllejë dhe të ndjejë njerëzit. Këtë mëshirë dhe këtë durim ma ka urdhëruar Krishti. Këtë po i urdhëroj dhe unë Gjokut në emër të Krishtit, në do që të shelbojë shpirtin e tij dhe të vdesë si një i vërtetë i Krishterë. Folë edhe ti, plakë, se je mëmë e këtij njeriu.
Plaka shikoi të birë, Markun dhe priftin, me radhë.
-Ke të drejtë at Pjetri, tha.
I sëmuri s’po fliste. Dhëmbët i kishte shtrënguar dhe sytë i kishte të vegjël dhe të shkëlqyer tani.
-Mirë, at edhe unë do ta fal.
Mbi këto fjalë Gjoku bëri të ngrihesh pak, u pshtet mbi bryllt dhe drejtoi kokën. Shikoi priftin Pjetër. Prastaj prapë, e një zë të unjët foli:
-Po më dhëmb…Mirashi me Gjeloshin le të vinë…Po ata më vranë, ata!
Fjalën e fundit e kishte thënë me zë të fortë dhe kishte ngritur kryet. Po shikonte vrimën e tymit në tavan, të nxirë dhe ngarkuar me blozë. Pastaj pat një klithje, një zë të egër.
-Ata më vranë, të dy. Jo, nuk t’i fal. Ah!
Fytyra i ishte kruspulluar, sytë egërsuar. Këta sy i qepin mbi Markun, e shikoi ca kohë. Pastaj koka ju var; me një psherëtimë të hollë u lëshua mbi jastëk. Sytë i qenë mbyllur dhe faqet i ishin zbehur.
-Zoti u ndjeftë! tha prifti dhe u shënjua.

Shkodër, 25 maj 1913