Arb Elo

Ndanë pellgut tim ku shihet, nepër pasqyrë,

rritet veç me atë ujë kur shi nuk bie, tjetri gri,

çastet ia brejnë atij lëkurët njëra pas tjetrës,

rritet me atë ujë agjërimi kujtesë ku shihet

e i buzëqesh vetes zgavërt si hapi shputës.

Ky qenkam pra, frymë përmbi ujë para ditës së parë,

kjo më mpak, dhimbja kur shihemi e s’mundemi,

shihemi si anët e një udhe e dot nuk puqemi,

mes nesh rrjedh largësia e rrënjët i kemi të thella,

të humbura e të shurdhëta diku nën dhe.

Lagësht atje poshtë, ku ushqehet vdekja me kohë,

si rryma me bulëzat që më s’janë, lagësht atje poshtë

po kërkoj një vend të fortë ku të mund të pleksemi,

të kapemi e të mbahemi tek tjetri o vëlla, por ndanë

dy brigjesh kemi mbirë, si larva të lidhura me shtjellë,

si larva të lidhura me vorbull, rrjellën e pijmë q’andej

si dert e sillemi, sillemi rretherrotull një force të verbër,

brenda mbirë të pirë, jashtë bardhezia e çka shkon

na verbon, na err sytë e dot s’na shterr…