Kaltrinë Uka

Më thuaj, dallëndyshe, ku të ngre fole

që terr i zi të mos hyjë ndër kashtë

që mos të çelin pikëllime të reja

as të riçel një mërzitje e lashtë?

Më thuaj dallëndyshe si ta bëj gjumin?

Kur ëndrrat bien llahtarshëm mbi sytë

dhe fjalët e thëna në makth kthehen

e një britmë e çjerrë mbetet në grykë.

Në cilën majë mali të ngjitem harlisur?

Kur një zog krahëthyer në mua zbret.

Cili krua freskon një zemër të grisur?

Kur një etje të shuhet ka kohë që pret.

Si ta fikë një zjarr që përskaj më djeg?

Si ta ndal një ikje që lë mërzitje t’urryera?

Më thuaj dallëndyshe vetëm një herë

Si fluturohet me krahë të thyera?!

Përgjatë kohës gjegjen në heshtje

gërryerjet në palcë e sjellin brengë.

Më thuaj dallëndyshe si të ik nga netët

që kala mallesh në mua ngrenë?…