Kushtuar të zhdukurve në Luftën e Kosovës

Namik Selmani

Ofshama e shkronjës
Ma nxjerr klithmën e gjoksit
E jam bërë
si sonambul shekspirian në një tokë plagëhapur
E në duar
më mbetën hartat e zverdhura të kombit
E në deje
Më vjen kënga e pathënë si petale e çelur zambaku

E lulet
U vyshkën në duar, në kurorat me kordele
E loti u tha
Në kroin e syrit nga pritja pa fund.
Heeeeeej, kur do ta gjej djalin e fshehur në zabele?
T’i nis vajit
Me fjalë që bien si gaca në prush.

M’u mbushën duart
Me kokrriza dheu të baltosur, të hirnosur
Sytë m’u gropëzuan si në humbëtirën e natës.
O qiell, o hënë
Që ndrini në qiellin e nxirosur
Oooooo,
ma thoni një fjalë, bre, për varrin e munguar të bacës!!!

E duart
I paskam të vogla, të dridhura kur gurët shpuploj
E në gjunjë ulem
Si në namazin e drekës me burra mëhalle.
Ku janë ata???
Ooo, i ende përballë vetes gjëmime topash dëgjoj
Tek shoh
Kullën e Jasharajve të djegur nga zjarre.

Qielli
Po më duket si oxhak kulle a saç ku gatuhet fli.
Toka
po më digjet si prushnajë vullkani
Pres
të më zgjohet brenda vetes si një rreze në prill.
Dhimbja
po ma hollon çdo damar gjaku te shtati.
Selvitë
thahen pa u mbjellë në murrana lufte
Në pragjet e kullës
zgjoj hapin, këngët e urimin e shenjtë.
Po nxirrni bre,
nxirrni nga gërmadhat djepet me lule
Për dasmat
e vjeshtës i vini curlet dhe tupanat në rresht!7