Kur të përmendësh në Shkup “Currët”, asociacioni i parë është te vëllezërit Curri, që me dekada i mbajmë mend si virtuozë të muzikës popullore. Nehat Curri është njëri prej tyre, për të cilin asociacioni i parë është klarineta, dhe ato tinguj që na kanë lënë mbresa saherë që e kemi dëgjuar “live” këtë virtuoz të vërtetë.

 I pranishëm edhe në aktivitetet e shoqërive tona kulturore-artistike, “Ibe Palikuqi” dhe “Emin Duraku”, në koncerte e solemnitete familjare, vëllezërit Curri na e kanë bërë më të begatshme jetën kulturore. Ndër vite, Nehati me vëllezërit dhe kolegët e tij të fushës, janë përpjekur që edhe të lënë prapa vepra të cilat do ta mbijetojnë kohën. Kështu, në vitin 1992 ne RTM realizuan albumin “Këngë shpirti”, në vitin 2018 një album tjetër me këngë të zgjedhur të kënduara live, më 2021 një CD dhe video projekt për 43 vjetorin e grupit “Vëllezërit Curri dhe Nexhat Kumnova”. Së fundmi, në treg kanë hedhur albumin “Brez pas brezi” të realizuar nga Nehati me të birin Vetonin, babë e birë që i lidh jo vetëm gjaku, tradita muzikore familjare, por dhe i njëjti instrument. Albumi ka dalë para dy muajsh me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës së RMV-së, në të janë përmbledhur 8 valle popullore nga të gjitha trojet shqiptare dhe ato i interpretojnë babë e birë, Nehat e Veton Curri. Për Nehatin dashamirët e muzikës dinë se është ndër virtuozët e klarinetës, por e njëjta gjë vlen edhe për të birin, i cili ka marrë pjesë në shumë gara ndërkombëtare prej nga shpesh është kthyer me çmimet e para.

Nehat Curri pranoi me kënaqësi të flasë për portalin Arsalbanica.mk. rreth këtij projekti ambicioz dhe të veçantë për nga përmbajtja.

 – Çfarë domethënie ka për ju albumi “Brez pas brezi”?

-Kjo CD ka një peshë të veçantë për mua, sepse gjatē gjithë karrierës sime muzikore i qëndrova besnik këngës dhe valles shqipe , shqip dhe vetëm shqip.  Në anën tjetër, është kënaqësi e veçantë për mua që interpretojmë babë e birë, pra me djalin tim Vetonin, i cili me talentin dhe suksesin që ka treguar në rrugëtimin e tij muzikor gjurmëve të babait, më bën krenar.

Bashkë me Vetonin edhe e kemi bërë përzgjedhjen e valleve, duke u kujdesur të japim një kolorit të trevave të ndryshme shqiptare, të cilat luhen e kërcehen në të gjitha ahengjet dhe gëzimet familjare ku jetojnë dhe veprojnë shqipëtarët . Si thotë edhe kënga: “Në xhamadanin vija vija, është Kosova është Shqipëria por dhe Çamëria e gjithë shqiptaria.

-Me kë keni bashkëpunuar në realizimin e CD-së?

-Kemi pasur bashkëpunim të frytëshëm me studion NP Records , për çka u shpreh falënderime Pleuratit dhe Nusretit pēr punën e tyre tē mrekullueshme , pastaj me Mentor Sulejmanin në violinë , fotografin Argjend Nika, , CD print Gerakom-in,  kurse falënderim meriton edhe  Ministria e Kulturës që na përkrahu financiarisht.

Në veçanti do ta përmendja dajlin, Vetonin, me të cilin kemi punuar tepër dhe e falënderoj për durimin e treguar, duke i uruar të ketë shëndet, frymëzim dhe shumë suksese të tjera.

-A kishit vështirësi për ta realizuar këtë disk?

-Për t’u realizuar një projekt i tillë, nuk është lehtë, sepse duhet mund, kohë dhe sakrificë . Por dashuria e madhe ndaj muzikës bën që problemet e mëdha që shfaqen gjatë rrugës, të zvogëlohen kurse të voglat humben si fatamorganë .

– Kur në Shkup përmendet “Curri”, asociacioni i parë shkon te ju, si një virtuoz i jashtëzakonshëm i klarinetës, por dhe lidhet edhe me ju si familje artistike. CD-ja mban titullin “Brez pas brezi”, me gjasë për t’u treguar adhuruesve të muzikës se tradita familjare vazhdon, sepse CD-ja është kontribut i përbashkët me djalin, Vetonin? A jeni të kënaqur që ai po shkon hapave tuaj?

-Në jetë jam realist edhe pse jetojmë në një botë me shumëçka iracionale. Njerëzit më njohin dhe kënaqësia ime më e madhe është se nuk devijova nga muzika e mirëfilltë shqipe për llogari të asaj komerciale. Sa i përket Vetonit, ai është në rrugën e duhur dhe me talent dhe punë ka arritur çdo gjë. Ai është magjistër i klarinetit dhe jam i kënaqur me hapat që i nxjerr para vetes , ka shumë albume me muzikë klasike si dhe koncerte, gjithashtu projekte të shumta në muzikën popullore me grupin muzikor V-2 & Arshik Miftari .

– Jeni i pranishëm në skenën muzikore disa dekada, emri juaj lidhet me aktivitetet e shoqërive tona kulturore-artistike më të njohura të Shkupit, me orkestrën tuaj jeni të pranishëm në ngjarje kulturore dhe ahengje e solemnitete të ndryshme familjare…Sa ju ka përmbushur e gjithë kjo? Nga ç’ju njohim, do të thoshim se jeni mishëruar me muzikën…, sidomos me instrumentin me të cilin ju identifikojnë, klarinetën?

-Po, e vërtetë jemi rritur duke muzikuar nëpër SHKA të ndryshme në Shkup e Strugë, e madje dhe në Kosovë. Por, nga pandemia e këtej, jam duke punuar në këngë te reja , por edhe i angazhuar jashtë vendit ne ahengje të ndryshme, si festa kombëtare dhe dasma e mbrëmje gazmore, sidomos në SHBA. Duhet te potencoj një rast të veçantë në Universietin “Mont Klear” në Nju Xhersi, me ftesë të maestros Raif Hysenit, ku isha mysafir para studentëve me klarinet, që është diçka që nuk harrohet dhe e falënderoj Raifin për këtë mundësi .

-CD-ja juaj  iu kthehet rrënjëve të muzikës burimore…Do të donim t’ju pyesnim, sa jeni në trend me muzikën bashkëkohore, sa ajo po largohet nga rrënjët, sa është brenda tyre? Në përgjithësi, pra, si ju duken trendët, a ka rrezik nga shfytyrimi i vlerave të mirëfillta?

No description available.

– Në muzikën bashkëkohore me pëlqen aty ku ka elemente të muzikës shqipe dhe në trend është kjo lloj muzike, por e kisha mbyllur me një thënie popullore “Hap bunar të ri, por në të vjetrin mos pshtyj”. Kam një parandjenjë se muzika e mirëfilltë do të jetojë sa të ketë shqipe mbi këtë tokë arbërore!

– Ju sigurisht nuk do të ndaleni me kaq? Çfarë mund të presim në të ardhmen, ndoshta për 50 vjetorin e karrierës apo ndonjë shkas tjetër edhe para se të përmbushet një gjysmë shekulli karrierë?

Nuk e kam ndërmend të ndalem, gjithsesi, vetëm dhashtë zoti të kem shëndetin. Kam ndërmend të krijoj edhe këngë të mia, me tekst dhe muzikë timen, duke e pritur ndihmën me te madhe ta kam, ashtu siç e kam pasur deri tash, nga Arbër Curri, djali i vëllaut Nejaziut, me të cilin i kemi të punuara afër 5 këngë të reja dhe 3 këngë “caver”, por kam ende punë për të bërë dhe le t’i mbetet kohës, nuk dua të jap vetëm premtime, po ta shohim kur i realizoj me zotin para. Do të citoj vetveten si mesazh: “Një këngë shpirti po këndoj, 50 vite ju argëtoj, po këndoj me vëllezër prej n’rini e deri në pleqëri”./arsalbanica.mk