Nga: Edgar Allan Poe
Përktheu nga frëngjishtja (sipas përkthimit nga anglishtja nga Charles Baudelaire): Anila Xhekaliu

Vdekja e kuqe e kish shpopulluar për një kohë të gjatë vendin. Kurrë murtaja nuk kish qenë kaq fatale, kaq e tmerrshme. Shndërrimet e saj ishin gjaku, skuqja e shëmtia e gjakut. Ishin dhimbje sëmbuese, një marramendje e beftë, e mandej një lotim poresh, dhe shkrirje e qenies. Disa njolla të kuqërremta në trup, dhe sidomos në fytyrën e viktimës, e shpallnin të padenjë për njerëzinë, e i mbyllnin çdo ndihmë e çdo simpati. Dyndja, pasoja e sëmundjes, e gjithë kjo qe punë gjysmë ore.

Por princi Prospero ish i lumtur, dhe sypatrembur, dhe mendjemprehtë. Kur tokat e tij qenë gjysmë të shpopulluara, mblodhi një mijë miq të fuqishëm e me zemër, zgjedhur mes kalorësve dhe zonjave të oborrit, dhe u tërhoq me ta thellë në një nga manastiret e tij të fortifikuara. Ish një ndërtesë e madhe dhe e mrekullueshme, një krijesë e princit, me shije të çuditshme e megjithatë e madhërishme. Një mur i trashë dhe i lartë e rrethonte. Ky mur kish dyer të hekurta. Oborrtarët, me t`u futur, përdorën furrat dhe çekiçët e fortë për të salduar llozet. Vendosën të ngrinin barrikada kundër shtytjeve të papritura të dëshpërimit të jashtëm dhe për t`u mbyllur çdo derë furive të brendshme. Manastiri qe furnizuar me gjithçka. Falë këtyre përkujdesjeve, oborrtarët mund t`ia hidhnin sfidës së ngjitjes së sëmundjes. Bota e jashtme do t`i rregullonte punët si të mundte. Duke pritur, ish çmenduri të pikëlloheshe a të vrisje mendjen. Princi ua kish plotësuar të gjithëve dëshirat e qejfit. Kish aty palaço, kish sajues, valltarë, muzikantë, ishte e bukura në të gjitha format, kishte verë. Brenda, ishin gjithë këto gjëra të magjishme, e siguria. Jashtë, Vdekja e Kuqe.

Ishin nga fundi i muajit të pestë a të gjashtë të skutës, madje koha kur kopani bënte kërdinë jashtë me më shumë tërbim, kur princ Prospero u dha një mijë miqve të tij një ballo maskash me dafrungën më të jashtëzakontë.

S`ka tablo më epshndjellëse se kjo maskaradë! Por, si fillim më lini t`jua përshkruaj sallat ku ndodhi. Ishin shtatë, një radhitje perandorake. Në shumë pallate, kjo radhë sallonesh formojnë perspektiva të gjata në vijë të drejtë, ku kanatet e dyerve bien qosheve të mureve, në mënyrë që shikimi të shkojë thellë deri në fund, pa vështirësi. Këtu, rasti ishte fort i ndryshëm, siç mund të pritej nga ana e dukës dhe shija e tij e gjallë për të çuditshmen. Sallat ishin vënë në mënyrë shumë të çrregullt që syri të mos mundë aspak të rrokë më shumë se një gjë në herë. Në fillim të një hapësire njëzet a tridhjetë jardësh kishte një kthinë të papritur, dhe në çdo bërryl një pamje të re. Në të djathtë e në të majtë, në mes të çdo muri, një dritare e lartë dhe e ngushtë gotike binte mbi një korridor të ngushtë që ndiqte dredhimet e apartamentit. Çdo dritare ishte bërë me qelqe, ngjyrosur në harmoni me tonin zotërues në zbukurimet e sallës mbi të cilën binte. Ajo që zinte skajin lindor, për shembull, ishte e veshur me blu, dhe dritaret ishin prej një bluje të thellë. Dhoma e dytë ishte e praruar dhe e veshur me të kuqërremtë, dhe qelqet ishin të purpurta. E treta, plotësisht e gjelbër, dhe të gjelbra dritaret. E katërta, e zbukuruar me portokalli, ndriçohej nga një dritare e portokalltë, e pesta, e bardhë, e gjashta, vjollcë.

Salla e shtatë fshihej e gjitha në tapiceri të kadifenjta të zeza që vishnin krejt tavanin dhe muret, dhe binin si mbulesa të trasha mbi një qilim prej të njëjtit stof e të njëjtës ngjyrë. Por, në këtë dhomë vetëm, ngjyra e dritareve nuk përkonte me zbukurimin. Qelqet ishin all të kuq, në një ngjyrë të ndezur gjaku.

Megjithatë, në asnjërën nga shtatë sallat, përmjet zbukurimeve prej ari të shpërndara me shumicë sa andej këndej apo të varura si veshje muri, nuk shikoje as llambë a shandan të madh. As llamba, as qirinj; asnjë dritë të këtij lloji në këtë radhë të gjatë dhomash. Por, në korridoret që u shërbenin si rrethojë, pikërisht përballë çdo dritareje, ngrihej një trekëmbësh shumë i madh, me një zjarr shkëndijues, që derdhte rrezet e tij përmjet qelqeve me ngjyrë e ndriçonte sallën në mënyrë verbuese. Kështu krijoheshin një mori pamjesh farfuritëse e fantastike. Por, në dhomën e perëndimit, dhomën e zezë, drita e zjarrit të madh që çurgonte mbi veshjet e zeza përmjet qelqeve të përgjakura ishte tmerrësisht e hatashme, dhe u jepte fizionomisë së kokëshkretëve që hynin aty një pamje kaq të çuditshme, sa shumë pak nga vallëzuesit kishin guximin të shkelnin në këtë sallë magjike.

Ish gjithashtu në këtë sallën që ngrihej, përballë murit të perëndimit, një orë muri gjigande abanozi. Lavjerrësi i saj lëkundej me një tiktak të shurdhët, të rëndë, monoton; dhe kur akrepi i minutave i kish rënë përqark fushës dhe ora kumbonte, ngrihej nga mushkëritë e bronzta të gdhendjes një tingull i kulluar, madhështor, i thellë e jashtëzakonisht muzikal, por prej një note kaq të veçantë e me energji të tillë, sa orë mbas ore, muzikantët e orkestrës detyroheshin t`i ndërprisnin një imtë akordet e tyre për të dëgjuar muzikën e orës; kërcimtarët e valsit atëherë ndalnin detyrimisht përparimet e tyre; një trazirë çasti rendte në gjithë shoqërinë e gëzuar; e sa më shumë drithëronte tringëllima, vinin re se më të marrët bëheshin të qetë, e më të moshuarit e më bajatët kalonin duart në ballë, si në një meditim a ëndërrim delirant. Por, kur jehona kish avulluar e gjitha, një kukurizmë e lehtë qarkullonte, në gjithë kuvendinë: muzikantët vështronin njëri-tjetrin dhe qeshnin me nervat e çmendurinë e tyre, dhe i betoheshin me zë të ulët, njëri-tjetrit, që tringëllima tjetër nuk do t`u zgjonte të njëjtin emocion; e mandej, mbas arratisë së gjashtëdhjetë minutave që përfshijnë tri mijë e gjashtëqind sekonda të orës së zhdukur, vinte një tringëllimë e re e orës fatale të murit, dhe ishin e njëjta trazirë, e njëjta drithërimë, të njëjtat ëndërrime.

Por, pavarësisht kësaj, ishte një orgji e hareshme dhe e mrekullueshme. Shija e dukës ishte krejt e veçantë. Vështronte vendin e ngjyrave dhe efektet. E urrente dekorin e modës. Planet e tij ishin kokëkrisura dhe të egra dhe konceptimet e tij shkëlqenin me një bukuri barbare. Ka njerëz që do ta kishin gjykuar të çmendur. Oborrtarët e tij e ndjenin mirë që nuk ishte.

Por, duhej të dëgjoje, të shikoje, ta prekje, për të qenë i sigurt që nuk ishte. Me rastin e kësaj feste madhështore, kishte kryesuar në pjesën më të madhe në zbukurimin me pasuri të tundshme të shtatë salloneve, dhe ishte shija personale e tij që kishte porositur stilin e maskimeve. Me siguri, ishin konceptime groteske. Ishin mahnitëse, verbuese; ishin therëse e fantastike, më shumë se ajo çka kemi parë që nga Hernani. Kish aty figura vërtet groteske, të bashkuara në mënyrë absurde, të ndërtuara në mënyrë të pahijshme; fantazi të përbindshme si çmenduria; kish bukuri, shthurje, të jashtëzakontë me sasi, sado pak të tmerrshme, e ndyrësi me shumicë. Shkurt, ishte si një mori ëndrrash që krekoseshin këtu e atje në të shtatë sallonet. Dhe, këto ëndrra përdridheshin në të gjitha drejtimet, duke marrë ngjyrën e dhomave, dhe thoshe se ekzekutonin muzikën me këmbët e tyre dhe ariet e çuditshme të orkestrës ishin jehona e hapit të tyre.

E, herë pas here dëgjojnë të tringëllijë ora e murit prej abanozi në sallën e kadifenjtë. E atëherë, për një imtë, gjithçka ndalet, gjithçka hesht, përveç zërit të orës. Ëndrrat janë të ngrira, të mpira në qëndrimin e tyre. Por, jehonat e tringëllimës zhduken, zgjatën vetëm një imtë; e me mundim ia mbathën, që një shpërthim gazi i lehtë i papërmbajtur të qarkullojë kudo. Dhe, muzika ngrihet përsëri, dhe ëndrrat rigjallërohen, dhe ata përdridhen sa andej këndej më hareshëm se kurrë, duke reflektuar ngjyrën e dritareve përmjet të cilave çurgon rrezatimi i trekëmbëshave. Por, në dhomën që është atje poshtë në perëndim asnjë maskë nuk guxon tani të futet: sepse nata ecën, dhe një dritë më e kuqe derdhet lumë përmjet qelqeve ngjyrë gjaku, dhe e zeza e çarçafëve funebër është e frikshme; e hutimthi kush vë këmbën në qilimin funebër, ora prej abanozi dërgon një tringëllimë më të rëndë, më solemnisht energjike se ajo që godet veshët e maskave duke vorbulluar në të moskokëçarjen e largët të sallave të tjera.

Sa u përket dhomave të tjera, gëlonin njerëzie, e zemra e jetës rrihte aty ethshëm. Dhe, koka u vorbullohej gjithmonë, teksa ngrihej në fund tingulli i mesit të natës i orës së murit. Atëherë, siç u thashë, muzika ndalet; rrotullimi i kërcimtarëve të valsit pezull; zotëron ngado, si pak kohë më parë, një ngurtësim ankthues. Por, timbri i orës kish kësaj here dymbëdhjetë goditje tringëlluese; gjithashtu mundet që mendimi të rrëshkasë më shumë në meditimet e atyre që vrisnin mendjen mes kësaj turme festive. E, mbase për këtë që shumë njerëz të kësaj turme, para se jehonat e goditjes së fundit të zhyten në heshtje, patën kohën të dallonin praninë e një maske që deri atë imtë nuk i kish rënë në sy askujt. Dhe, lajmi i kësaj futjeje të padrejtë përhapet në një pëshpëritje rrethore. Prej gjithë kuvendisë ngrihet një zukamë, mandej, përfundimisht tmerri, lemerie e neverie.

Në një grumbullim fantazmash siç e kam përshkruar, duhej pa dyshim një shfaqje shumë e jashtëzakontë për të shkaktuar bujë të tillë. Licenca karnavaleske e kësaj nate ish, është e vërtetë, pothuaj e pakufizuar; por personazhi në fjalë kishte tejkaluar ekstravagancën e një Herodi, dhe kaluar kufijtë, megjithatë dashamirës, nga dekori i detyruar nga princi. Ka në zemrat e më shumë të shkujdesurve fije që nuk u dorëzohen emocionit. Madje, tek më të shthururit, tek ata për të cilët jeta dhe vdekja janë njësoj një lojë, ka gjëra me të cilat nuk mund të luash. E gjithë kuvendia u duk atëherë se ndjeu thellë shijen e keqe dhe pahijeshinë e sjelljes dhe kostumit të të huajit. Personazhi ishte i gjatë dhe kockë e lëkurë, dhe i mbështjellë në një qefin nga koka tek këmbët. Maska që fshihte fytyrën shfaqte fort mirë fizionominë e një kufome të ngurtë, që analiza më e imët do t`ia kish zbuluar me vështirësi gënjeshtrën. E, megjithatë, të gjithë këta të çmendur hokatarë do ta kishin duruar mbase, ndryshe pranuar, këtë shaka të shëmtuar. Por, maska ishte deri e përshtatur tipit të Vdekjes së Kuqe. Rroba e saj ish e llangosur me gjak, dhe balli i saj i gjerë, kështu që të gjitha tiparet e fytyrës së tij, ishin spërkatur nga e kuqja e llahtarshme.

Kur sytë e princit Prospero ranë mbi këtë figurë spektri që, me një lëvizje të ngadaltë, solemne, empatike, si për ta zotëruar më mirë rolin e saj, shëtitej sa andej këndej përmes valltarëve, e panë si fillim të ngërdheshur nga një dridhje e fortë tmerri apo neveri; por një sekondë më vonë, balli i tij u bë i purpurt nga tërbimi.

– Kush guxon, – pyet ai, me një zë të ngjirur, oborrtarët në këmbë afër tij; – kush guxon të na tallë me këtë ironi blasfemuese? Kapeni, e nxirrjani bojën; që ta dimë kë do të shqyejmë, në të gdhirë!

Në dhomën e lindjes apo dhomën blu, që gjendej princ Prospero, kur shqiptoi këto fjalë. Ato kumbuan fort e qartë përmes shtatë salloneve, sepse princi ishte njeri i rrëmbyer e i fuqishëm, dhe muzika ndalet me një shenjë dore të tij.

Në dhomën blu që rrinte princi, me një grup oborrtarësh të zbehta anash. Në fillim, kur foli, pati mes grupit një lëvizje të lehtë para në drejtim të furacakut, që qe një çast pothuaj afër tyre, e që tani, me një hap të çlirët e hijerëndë, i afrohej përherë e më shumë princit. Por, vazhdë e një lloj terrori të papërshkrueshëm që guximi i marrë i maskës kishte frymëzuar krejt shoqërinë, nuk gjente njeri ta ndalte; kështu që, duke mos hasur kurrfarë pengese, i afrohej me dy hapa princit; dhe, kur kuvendarët e shumtë, si duke iu bindur një lëvizje të vetme, tërhiqeshin nga qendra e sallës drejt mureve, ai vazhdonte rrugën e tij pa u ndalur, me po këtë hap solemn e të matur që e kishte karakterizuar qysh në fillim, nga dhoma blu në dhomën e purpurt, nga dhoma e purpurt në dhomën e gjelbër, nga e gjelbra në portokalli, nga kjo në të bardhën, dhe nga kjo e fundit në vjollcën, para se të bënin një lëvizje vendimtare për të ndaluar.

Kaq u desh atëherë, megjithatë, që princi Prospero, i acaruar nga tërbimi e turpi i poshtërsisë së një pabesie të hidhet rrëmbimthi përmes gjashtë dhomave, ku askush nuk e ndoqi; ngaqë një tmerr për vdekje ishte përhapur tek të gjithë njerëzit. Mbante lart një kamë të zhveshur, dhe i ish afruar furishëm në një largësi tri a katër metra fantazmës që prapsej, kur kjo e fundit, e mbërritur në fund të sallës së kadifenjtë, kthehet befas e përballet me atë që po e ndiqte. Një klithmë e mprehtë u ngrit, dhe kama rrëshqiti me një shkëndijë mbi qilimin funebër ku princi Prospero ra i vdekur një sekondë më pas.

Atëherë, duke iu përgjëruar guximit të dhunshëm të dëshpërimit, një turmë maskash shpejtoi njëherësh në dhomën e zezë; dhe, duke e kapur të panjohurin, që qëndronte, si një statujë e madhe, drejt dhe i palëvizshëm në hijen e orës së murit prej abanozi, u ndjenë të kapluar nga një tmerr pa emër, kur panë se nën qefinin dhe maskën e kufomës, që e kishin mbërthyer me një energji të dhunshme, nuk kishte asnjë trajtë njeriu.

Kuptuan atëherë praninë e Vdekjes së Kuqe. Kishte ardhur si një hajn nate. Dhe të gjithë të ftuarit ranë njëri pas tjetrit në sallat e orgjisë të përmbysur si një trëndafil i përgjakur, dhe secili dha shpirt në qëndrimin e dëshpëruar të rënies së tij.

Dhe, jeta e orës së murit prej abanozi u zhduk me të fundmin e këtyre qenieve hokatare. Dhe flakët e trekëmbëshave vuajtën. Dhe, Errësira, e Rrënimi, dhe Vdekja e Kuqe vunë mbi të gjitha gjërat pushtetin e tyre të pakufizuar.