Nga: Blerim Shala (publikuar për herë të parë në vitin 2002, në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”)

Grupet e jashtëzakonshme në rok, pos tjerash, marrin këtë cilësim edhe për shkak të ndikimit të madh që kanë në rrjedhat aktuale të rokut.

Ta zëmë, në fillim të të nëntëdhjetave, “Nirvana” e Kurt Cobainit bëri që të spikatet Grunge roku, i cili ishte rryma kryesore në vitet 1991-1995.

Pjesa e dytë e të nëntëdhjetave, solli “Radiohead” të Thom Yorkut si një grup prijës në rok, posaçërisht në Angli.

Në të dy rastet, te “Nirvana” dhe “Radiohead”, si i përbashkët del synimi që një rok-bend të jetë njëmend i tillë, që roku të mos jetë një variacion i kompjuterit dhe teknikës, gjë që ndodhte në të shumtën e rasteve

“Radiohead” vazhdon të jetë larg shifrave të “Nirvana”-s, sa i përket shitjes dhe popullaritetit, por ka një pozicion më të volitshëm te rok kritika. Pastaj, duket që ndikimi i “Radiohead” do të jetë më afatgjatë sesa ai i “Nirvana”.

Janë një mori grupesh të cilat në vitet 1997-2002 u paraqitën në vijim të “Radiohead”.

Këtu vlen të përmenden vetëm disa, apo ato më të suksesshmet si: “Coldplay”, “Doves”, “Elbow”, “Starsailor”, “Haven”. Këtu do të mund të shtonim që secili prej këtyre grupeve ka të veçantat e veta që e dallojnë pak apo edhe shumë nga “Radiohead”. Natyrisht, po të mos dallonin nga “Radiohead”, ato nuk do të arrinin të bënin emër në rok skenën angleze dhe atë botërore. Por, “Radiohead” ishte grupi i cili rikrijoi hapësirën për rok grupet që arrijnë të bashkëdyzojnë idenë e qartë muzikore, artikulimin e mllefit dhe frustrimit përmes energjisë së kitares elektrike dhe vargjet të cilat janë gjithnjë e më shumë introspektive dhe nuk pretendojnë të ndërrojnë botën.

“Doves” është njëri prej grupeve të cilat shfrytëzuan këtë rast të ofruar nga efekti i “Radiohad”. Në fakt, “Doves” është grup goxha i vjetër, fillet e të të cilit, me një emër tjetër, si “Sub Sub”, datojnë në fillim të të nëntëdhjetave. Atëbotë, “Sub Sub” ishte i influencuar shumë prej klubit “Hacienda” të Manchesterit, njërit ndër më të famshmit në Angli. “Hacienda” u krijua pasi që Joy Division i Ian Curtisit (i cili u vetëvra më 1980), u transformua në New Order. Bernard Sumners me shokë, bëri që “New Order” të jetë një grup i cili bëri që pop muzika dhe sintisajzerët të bashkëjetojnë. “Hacienda” kështu ishte një dance klub. Se sa i rëndësishëm ishte ky klub dëshmon edhe fakti që sivjet në programin zyrtar të Festivalit të filmit të Cannes u gjet një film kushtuar këtij klubi.

“Sub Sub”, të cilin e përbënin vëllezërit Jez dhe Andy Williams dhe Jimi Goodwin, ishin pra një grup i cili ecte vazhdës së “New Order”. Por, klubi “Hacienda” u mbyll për shkak të problemeve të mëdha, “New Order”, pas editimit të albumit “Republic” (në vitin 1993), vendosën të tërhiqen për pak (kjo pak zgjati gati nëntë vjet) dhe skena angleze nisi të dominohej nga grupet si “Oasis” dhe “Blur”.

Megjithatë, siç pohojnë tash Williams dhe Goodwin, po të mos ishte periudha e kaluar në klubin “Hacienda”, ata kurrë nuk do të mbërrinin ku janë sot. E ku gjendet aktualisht grupi “Doves”, pos tjerash, tregon e dhëna që albumi i tyre i dytë “The Last Broadcats”, debutoi në vendin e parë në listën e albumave më të shitur në Britaninë e Madhe.