Nga: Enver Kushi

Më 11 shtator të vitit 2019, u nda nga jeta Wilfried Fiedler, një nga albanologët e shquar gjermanë, që siç shkruan Bashkim Zeneli: ”E donte Shqipërinë dhe humbiste duke folur për kulturën, historinë, artin, letërsinë… I ka dhënë gjuhës e kulturës sonë, albanologjisë, aq sa është zor ta përshkruash…”.

Kush është ky albanolog i shquar gjerman dhe bashkëutor i librit “Këngët e çamëve”, botuar në Berlin, në vitin 1965?

Ai lindi në vitin 1933, në Oberfrohna (Saksoni) dhe u shpërngul që i ri në Berlin, ku studioi në Universitetin Humboldt, për sllavistikën dhe filologjinë e Evropës Juglindore e Lindore. Karrierën shkencore e nisi në vitin 1955, si punonjës shkencor në Institutin e Kulturës Popullore të Akademisë së Shkencave të Gjermanisë(në Berlinin Lindor). Në vitin 1957, pra në moshën 24 vjeçare vjen për herë të parë në Shqipëri, si pjesë e ekspeditës në këtë vend të vogël. Ky është kontakti i parë i tij me Shqipërinë, që në vitet më pas do t’i kushtojë punën tërë pasion kulturës, gjuhës, traditave të këtij vendi të vogël ballkanik, por me një të kaluar shumë të pasur dhe të studiuar nga shumë albanologë të tjerë gjermanë, para tij.

Ai, në vitin 1959, pra pas njohjes së thellë të shqipes, nisi punën si profesor i albanologjisë dhe si docent i saj, në Universitetin e Humboldit. Pas rënies së Murit të Berlinit dhe bashkimit të Gjermanisë, nga viti 1991 deri më 1998, ka drejtuar katedrën e gjuhës shqipe në Universitetin “Ludvig Maximilian” (Munih).

Wilfried Fiedler është hartues i fjalorëve shqip-gjermanisht dhe gjermanisht-shqip (në vitin 1977), si dhe në vitin 1987 i librit “Gramatika e gjuhës shqipe” dhe në vitet 2004 dhe 2007 i librave “Sistemi foljor i Mesharit të Gjon Buzukut” dhe “Ndërtimi i shumësit në gjuhën shqipe”.

Kam patur fatin të jem një nga miqtë e profesorit Ramadan Sokoli, një nga diturakët e rrallë shqiptar, njohës dhe studiues i rrënjëve të kulturës popullore shqiptare veçmas i rrënjëve të tingullit shqiptar. Takimet dhe bisedat e shpeshta e mia me të, kanë qenë nga më frutdhënëset e befasueset.

Ka qenë Sokoli që së pari më ka folur për ekspeditën gjermano-shqiptare te çamët e Fierit e Vlorës si dhe për një këngë të rrallë vaje incizuar në Skelë dhe interpretuar nga Hamide Shabani – 40 vjeçe.

Grupi i studiuesve gjermanë erdhi në Shqipëri në maj të vitit 1957 dhe përbëhej nga Doris Stockman, Wilfried Fielder, Erich Stockmann dhe Johan Kyritz.

Ekspedita ishte nismë e Institutit të Folklorit Gjerman pranë Akademisë së Shkencave të Gjermanisë. Ajo u realizua në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës të Shqipërisë. Nga pala shqiptare morën pjesë Ramadan Sokoli dhe Albert Paparisto.

Siç shkruajnë muzikologët gjermanë, qëllimi i tyre ishte incizimi i këngëve popullore dhe melodive instrumentale me ndihmën e aparateve moderne të marrjes, për të kontribuar në dokumentimin e parë të rëndësishëm të muzikës popullore shqiptare. Në këtë drejtim, Shqipëria kishte mbetur një njollë e bardhë në hartën e muzikës popullore të Evropës Juglindore. Ato zgjodhën Shqipërinë e Jugut për të realizuar qëllimin e tyre dhe konkretisht siç shkruajnë autorët gjermanë, “për të marrë shënime për muzikën popullore të tre grupeve shqiptare në jug: toskëve, lebërve dhe çamëve”, si dhe një praktikë këndimi shumë i vjetër, siç ishte polifonia. Instituti i Folklorit Gjerman në Berlin vuri në dispozicion të grupit tre magnetofonë me mikrofonë dinamikë, tre aparate fotografike dhe një aparat me film të ngushtë.

Ata japin të dhëna për shtrirjen e toskëve, labëve dhe çamëve si dhe zonat ku kanë incizuar: krahinën pranë Liqenit të Ohrit, Mokër, pllajën e lartë të Korçës, krahinën e Devollit, malësinë e Skraparit, fushën e Kolonjës, fushën e Vjosës, Myzeqe, Mallakastër, Berat, Elbasan, Lushnjë, Këlcyrë, Gjirokastër, Sarandë, Borsh, Himarë, Dukat, Vlorë dhe Kurvelesh. Incizime janë bërë edhe në zonën e minoritetit grek dhe nomadët vlleh.

Mendoj se nuk është rastësi këmbëngulja e studiuesve gjermanë për të incizuar këngë çame. Jam i bindur se ata vinin në Shqipëri me njohuri për gjeografinë, historinë dhe kulturën e shqiptarëve në të gjitha trevat, ku ata shtriheshin. Me siguri njihnin mirë punën e albanologëve të shquar si Hahn, Bopp, Jokli, apo të atyre që janë marrë me kulturën popullore shqiptare, si Habenlandt, Nopça, Lamberc, Vaigand, Pedersen (që ka publikuar edhe përralla nga Çamëria.

Në qoftë se do të bënim një rikthim imagjinar gati 64 vjet më parë, pra në vitin 1957, kohë kur u organizua edhe ekspedita shqiptaro-gjermane, nuk ka se si të mos ndjejmë akoma të freskëta plagët dhe dhimbjen e popullsisë çame. Është gjallë brezi që e ka parë me sytë e tij llahtarinë dhe gjëmën e madhe. Fëmijët e viteve 1944-’45 janë më të madhuar, por në sytë e tyre ruhen pamjet e tmerrshme të tragjedisë. Të vdekurit, lënë bokërrimave të tokës çame, u trokasin netëve dhe u prishin gjumin të gjallëve, trazojnë kujtimet. Por, jo vetëm kaq. Është zhvendosur relievi i kulturës çame, janë zhvendosur vallet e tyre epike, këngët, baladat, përrallat, gojëdhënat. Dhe, kjo është një zhvendosje e një lloji tjetër, më pak e dukshme, por më ulëritëse dhe më tragjike se plagët e bartësve të tyre.

Incizimi i këngëve çame është bërë në Fier, Skelë dhe Babicë të Vlorës. Këngëtarët ishin, siç pohojnë studiuesit, nga i njëjti fshat ose së paku nga e njëjta krahinë. Kështu këngëtarët e Skelës para vitit 1944, banonin në fshatrat Arpicë, Vola dhe Vaje të Gumenicës. Këngëtarët e Fierit ishin nga Mazreku dhe grupi i Babicës nga fshatrat midis Mazrekut dhe Margëlliçit.

Gjithsej janë 30 këngë të incizuara. Nga këto, në Fier tetë këngë (“Çelo Mezani”, “Mua më ra taksimi”, “Qaj me lot o Çamëri”, “Kalesh’ e Xhixho s”, “Luli me nishan në ballë”, “Ditën që u mor nisia”, “Mecovë e zeza Mecovë”) në Babicë tetë këngë (“Kjo anë e lumit”, “Ç’ke flamur që s’valon”, “Janinë e zeza Janinë”, “Ne porta të shkova”, “Thirri talili në malë” “Kamerini mal me fletë”, “Hiq kadale vallen’o”, “E mjera merr me zë”) në Skelë 14 këngë (“Ulu mal të shoh Kastrinë”, “Kënga e Çelo Mezanit”, “Ti moj kull’ e Livadhisë”, “Ti më qesh , ti me ta”, “Berbaro, Vasiliko”, “Moj Mine, Minusheja”, “Ti fletë e lejmonit bardhë”, “Ra dielli mbi bajame”, “Të martën që me natë”, “Trëndelo, moj trëndelinë”, “Çu nis djali për kurbet”, “Nani-nani more djalë”, “Sha kriet tat babatho”).

Libri në fjalë, me autorë Doris Stockmann, Wilfried Piedler dhe Erich Stockmann, botim i vitit 1965, me 302 faqe, përbëhet nga këto pjesë:

Pjesa e parë: “Gjurmimi i muzikës popullore shqiptare deri në vitin 1957” “Ekspedita e mbledhjes shqiptaro-gjermane e vitit 1957 dhe shfrytëzimi i saj” “Vërejtje etnografike mbi çamët” te shkruara nga Erich Stochman;

Pjesa e dytë: “Gjurmime në muzikën vokale çame” e ndarë në kapitujt “Paraverejtje e të përgjithshme”, “Problemet dhe metodat e transkriptimit”, “Vërejtje botimi dhe spjegimi i shenjave”, “Terminologjia”, “Figura dhe dhënia e formës e këngëve çame” “Këngë bordune polifonike”, “Këngë korale jo bordunale”, “Këngë burrash”, “Këngë grash”, Këngë solo”,

Pjesa “Transkriptime dhe pjesa e fundit përmbajnë tekstet në variantin shqip dhe përkthimin gjermanisht.

Mes shumë të dhënave, më ka bërë përshtypje një fakt që japin studiuesit gjermanë: ”Kur icçizuam këngë vajtimi në Babicë, këngëtarja u prek aq shumë, duke i harruar të gjithë të pranishmit, saqë neve u detyruam ta ndërpresim incizimin”. Teksti i këngës është ky:

Sha (pasha) krietë tat, babatho,
Sha kurmin tënd baba,
Ku do të të gjëjmë ne tani,
Që na lëshoe
Ore babatho e?
Do të të gjuajnë djeltë, baba:
Se neve nuku jemi në dhenë tënë babatho,
Se neve jemi muhexhirë në vend të huaj babatho,
Mos të ka pikunë vendi jot,
Se ke ardhurë në botë të Shqipërisë, Baba ore!
Do të të palosi bot’ e Vlorësë,
Se ashtu e kishim të shkruarë babatho,
Sha kurmin tën, ore baba, ore,
Po qe jedh’ ndo-jerë të vemi në
Në atë vatanë tën’ ore, vatrëz o?
Që jemi berë muhaxhin’ o,
Në botë të Shqipërisë o babatho.

Vlera të mëdha për studiuesit e muzikës popullore ka transkriptimi i të 30 këngëve, bërë me profesionalizëm dhe kritere rigoroze shkencore. Po kështu edhe tekstet e botuara në dialektin çam, përveç pasurisë gjuhësore, paraqesin interes edhe për elegancën e vargut dhe mjetet shprehëse si dhe finesën karakteristike të folklorit çam. Kjo është meritë e albanologut të shquar gjerman, Wilfried Fiedler që, siç theksuam më lart, që nga viti 1957 e deri sa ndërroi jetë, ai i kushtoi gjithçka kulturës dhe gjuhës shqipe.

Kam patur fatin të njoh nga afër etnomuzikologun francez, Zhakob, mik edhe i të ndjerit Viktor Sharra, që para disa vitesh më foli gjerë e gjatë për librin “Këngët e çamëve”, të cilin ai e kishte lexuar. Ky libër e kishte njohur atë me vlerat e veçanta folklorike të një treve pak të njohur në Francë, si dhe dëshirën për të kontaktuar me bartësit e kësaj kulture në Shqipëri dhe Epir. Etnomuzikologu Zhakob ishte mrekulluar, kur kishte njohur nga afër Refat Sulejmanin, që këndonte një nga perlat e Çamërisë, siç është kënga e Çelo Mezanit. Këtë grup me në krye Refat Sulejmanin, Zhakob e ftoi në një nga studiot Radio-Francë, mos gaboj në vitet 2005 apo 2006, ku u transmetua direkt koncerti i çamëve. Prof. Sokoli, që e kishte mik francezin Zhakob, më ka dhuruar CD me koncertin në fjalë.

Libri “Muzika popullore shqiptare, këngët e çamëve”, është homazh për bartësit e folklorit të mrekullueshëm çam, një libër për kujtesën gjithmonë të pagjumë e të trazuar. Ai e pasuron bibliotekën evropiane dhe ndihmon studiuesit për t’ju rikthyer këngëve të çamëve. Libri në fjalë duhet përkthyer në gjuhën shqipe dhe këtu duhet kontributi, jo vetëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, por edhe i çamëve. Le të jetë ky shkrim një homazh edhe në emër të atyre çamëve, që janë pjesë e këtij libri, pra i këngëtarëve, që u incizuan në Fier, Babicë dhe Skelë të Vlorës dhe janë transkriptuar në këtë botim gjerman, në vitin 1965. Nderim dhe mirënjohje për jetë albanologut Wilfried Fiedler, edhe në emër të mijëra çamëve, në Shqipëri e jashtë saj.