Nga: Hasan Bello

Kujtimet e Dushan Mugoshës (7 janar 1914 – 8 gusht 1973), “Kur isha në Shqipëri”, u botuan fillimisht në revistën e njohur të Beogradit “NIN”, në numrat e saj të muajit nëntor të vitit 1971 deri në shkurt të vitit 1972. Këto kujtime i paraprijnë botimit të librit me titull “Në detyrë” (“Na Zadatku”).

  1. Mugosha ishte me origjinë malazeze. Ai ka lindur në vigjilje të Luftës së Parë Botërore, në Leshkopol, afër Podgoricës. Pas pushtimit të Malit të Zi nga ushtria austro-hungareze, familja e tij u internua, ndërsa të atin ia pushkatuan. E ëma, së bashku me gjashtë fëmijët e tjerë, u vendos në qytetin e Pejës, ku ndodhej një komunitet serbo-malazez.

Në vitin 1932, në moshën 18-vjeçare D. Mugosha do të shpërndajë traktin e parë komunist për të cilin do të arrestohet. Ndërsa në vitin 1934 ai do të anëtarësohet në Partinë Komuniste Jugosllave (PKJ). Në vitet e Luftës së Dytë Botërore ai ishte anëtar i Komitetit Qendror të Kosovës dhe Metohisë në Pejë. Me vendim të KQ të PKJ-së dhe Titos, D. Mugosha u dërgua në Shqipëri, ku së bashku me Miladin Popoviqin, dhanë kontributin kryesor për themelimin e PKSh-së.

Pas përfundimit të LDB-së, D. Mugosha mbajti disa detyra të rëndësishme në organet drejtuese në Krahinën Autonome të Kosovës, si sekretar i Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Serbisë për Kosovën dhe Metohinë; anëtar i Komitetit Ekzekutiv i KQ të LK-së të Serbisë dhe anëtar i KQ të LKJ.

Me mision në Shqipëri

Kujtimet e D. Mugoshës hapen me përjetimet e lajmit mbi pushtimin e Shqipërisë nga trupat italiane. Sipas tij, lëvizja komuniste në qarkun e Pejës kishte shprehur angazhimin për mobilizimin e përgjithshëm kundër agresionit italian. Anëtarët e komitetit qarkor dhe komunistët e vjetër u ngarkuan me detyrën që t`u bënin thirrje njerëzve të regjistroheshin vullnetarë për të shkuar në Shqipëri në frontin kundër trupave italiane.

  1. Mugosha thekson se kësaj thirrjeje iu përgjigjën një numër i konsiderueshëm vullnetarësh, më shumë nga ç`pritej nga strukturat e PKJ-së dhe komiteti qarkor. Por, në mënyrë abuzive, ai shkruan se për këtë pengesë ishte bërë tradhtia e Mbretit Zog dhe e qeverisë së tij që i kishte dhënë mundësi italianëve ta pushtonin Shqipërinë dhe të vendosnin regjimin e tyre më shpejt sesa mund të mendohej.

Ai nuk sjell asnjë fakt, asnjë argument për një mobilizim të tillë dhe nuk përmend qëndrimin e qeverisë Jugosllave, e cila propozimit të Mbretit Zog për organizimin e një mbrojtjeje në zonat veriore të Shqipërisë, në kufi me Jugosllavinë, kjo e fundit iu përgjigj, se për arsye sigurie do të hynte disa km në brendësi të territorit shqiptar. Ngushtimi i perimetrit të mbrojtjes, për të vijuar qëndresën kundër Italisë, e bëri krejtësisht të pamundur planin e Mbretit Zog.

Sidoqoftë, agresioni italian, shënoi një hap të rëndësishëm për vendosjen e kontakteve mes PKJ-së dhe komunistëve shqiptarë. Kjo detyrë iu ngarkua personalisht M. Popoviqit nga KQ i PKJ-së pas një takimi që ai zhvilloi me Titon në Zagreb. Të parët që informuan strukturat lokale të PKJ-së mbi gjendjen e lëvizjes komuniste në Shqipëri ishin Fadil Hoxha dhe Emin Duraku. Sipas tyre, kjo lëvizje përbëhej nga grupime të ndryshme rivale.

Por, kjo situatë nuk e pengonte krijimin e PKSh-së dhe, se ndihma e PKJ-së për këtë, ishte e domosdoshme. Miladini ra dakord me mendimet e tyre dhe nënvizoi faktin, se përçarja e grupeve komuniste shqiptare favorizonte pushtuesit italianë. Ai i përmbahej mendimit, se duhej krijuar sa më parë PKSh-ja me një strukturë të vetme organizative dhe me një platformë të qartë politike. Për këtë qëllim, Fadil Hoxha dhe Emin Duraku u pajisën me disa materiale teorike. Megjithatë, kontaktet dhe lidhjet mes PKJ-së dhe lëvizjes komuniste shqiptare, për arsye objektive, nuk u konsoliduan. Kjo për shkak se kufiri shqiptaro-jugosllav kontrollohej si nga italianët, ashtu dhe nga jugosllavët, të cilët i trembeshin ekspansionit të Italisë. Periudha në fjalë përkon me vitet 1939-1941, kur Bashkimi Sovjetik nuk ishte sulmuar ende nga Gjermania naziste.

Krahas detyrës për bashkimin e grupeve komuniste shqiptare dhe krijimin e PKSh-së, D. Mugoshës iu ngarkua edhe një mision tjetër i rëndësishëm. Ai duhej të bënte përpjekje për të liruar nga vendinternimi në Peqin M. Popoviqin, anëtarin e Komitetit qarkor Krste Filipoviçin dhe profesor Mihajllo Popoviqin, i cili, në vigjilje të arrestimit nga italianët, në korrik të vitit 1941, sapo ishte pranuar në radhët e PKJ-së.

Për kalimin e kufirit shqiptaro-jugosllav Fadil Hoxha, i siguroi D. Mugoshës një lejekalimi me emrin e mësuesit Hysni Zajmi. Duhet theksuar, se emrat dhe pseudonimet e emisarëve sllavë, gjatë periudhës së luftës, kishin një simbolikë të caktuar. Ato ishin përzgjedhur me kujdes, që t`i përkisnin religjionit islam dhe origjinës shqiptare. Kjo, për të evituar pakënaqësinë, që ngjallnin emrat sllavë.

Nëpërmjet rrugës Pejë-Prizren, së bashku me Fadil Hoxhën, D. Mugosha u nis drejt Shkodrës. Atje hyri në kontakt me disa pjesëtarë të grupit komunist, siç ishte Tuk Jakova, i cili do t`i tregojë për rivalitetin mes grupeve, që e akuzonin njëri-tjetrin si bashkëpunëtorë të organeve policore dhe, se i vetmi grup i vërtetë komunist në Shqipëri, ishte ai i Shkodrës. Për krijimin e PKSh-së edhe Tuk Jakova do të kërkojë ndihmën e PKJ-së.

Më pas, së bashku me Fadil Hoxhën, D. Mugosha do të niset drejt Tiranës, për të vendosur kontakte me drejtues të tjerë të lëvizjes komuniste shqiptare. Atje ai takohet me Vasil Shanton, Qemal Stafën dhe Kristo Themelkon, të cilët i shpalosën një panoramë të përgjithshme mbi situatën politike dhe i deklaruan se, pengesë kryesore për krijimin e PKSh-së ishte mungesa e klasës punëtore, për shkak se nuk kishte industri. Një pikëpamjeje të tillë, i përmbahen shumë protagonistë të tjerë të lëvizjes komuniste, historianë e studiues. Kjo tregon, se më tepër se lëvizje sociale, siç kishte ndodhur në vendet e industrializuara, lëvizja komuniste në Shqipëri, ishte trup i huaj, ideologji e importuar nga konjuktura të caktuara, e përbërë nga aventurierë politikë dhe një numër i vogël idealistësh.

Por, komunistët shqiptarë, me në krye Zef Malën, për të kapërcyer faktorët objektivë, siç ishte mungesa e klasës punëtore, do të shpiknin një “formulë” të paprecendent në historinë e mendimit politik marksist. Në broshurën “Zhvillimi ekonomik i Shqipërisë”, ai nënvizonte faktin se, meqenëse në Shqipëri nuk kishte klasë punëtore, pushtimi italian ishte diçka e mirë, pasi do të industrializonte vendin e do të bëhej shkak për lindjen e saj dhe, në këtë mënyrë, do të krijoheshin kushtet për krijimin e PKSh-së. Ky qëndrim bashkëpunues me fashizmin italian, binte ndesh me direktivat e Kominternit dhe, do të bëhet shkak, që Mbreti Zog në vitin 1938, të ndërmarrë një fushatë arrestimesh ndaj grupit komunist të Shkodrës. Një qëndrim të tillë pasiv ndaj italianëve e dëshmon edhe D. Mugosha, kur shkruan se, sipas këtij “teoricieni” (për Zef Malën), komunistët nuk duhej të ndërmerrnin asnjë aksion, por vetëm të pregatiteshin ideologjikisht, për betejën finale.

Puna për bashkimin e grupeve komuniste dhe krijimin e PKSh

Veprimtaria e D. Mugoshës, për unifikimin e grupeve komuniste shqiptare, do të vijë duke u intensifikuar. Ai takohet me grupin e “të Rinjve”, më konkretisht me drejtuesit e tij, Sadik Premten dhe Anastas Lulën, të cilët, si të gjithë përfaqësuesit e tjerë, e konsideronin grupin e tyre si të vetmin grup të vërtetë komunist. Për realizimin e objektivave të tyre, grupi kishte përvetësuar parimin makiavelist se “qëllimi justifikon mjetin”.

Të çudit fakti, se tek të gjitha grupet komuniste, ekzistonte bindja se në Shqipëri nuk ekzistonin kushtet objektive për krijimin e PKSh-së, duke e konsideruar këtë veprim si aventurë politike. Atëherë lind pyetja, përse u krijua PKSh-ja, në nëntor të 1941-shit? A ishte kjo nevojë imediate për komunistët shqiptarë? Jo! Tashmë dihet, se bashkimi i grupeve komuniste dhe krijimi i PKSh-së ishte direktivë e Kominternit pas sulmit të Gjermanisë naziste kundër Bashkimit Sovjetik.

Tejkalimi i përçarjes së grupeve konsiderohej mision tepër i vështirë edhe për komunistë si Vasil Shanto dhe Qemal Stafa. Prandaj, ata kërkonin ndihmën urgjente të PKJ-së. Sipas tyre, bashkimin e këtyre grupeve mund ta realizonte vetëm autoriteti i kësaj partie.

Si rezultat i presionit të anëtarëve të tyre, grupet komuniste krijuan një komision të përbashkët me përfaqësues Mustafa Gjinishin e Hasan Reçin, të cilët D. Mugosha i konsideronte si bashkëpunëtorë të shërbimeve të huaja dhe Mustafa Kaçaçin, të cilin e quan patriot. Komisioni kishte për detyrë të koordinonte punën e grupeve, të likuidonte mosmarrëveshjet që ata kishin me njëri-tjetrin dhe të krijonte terrenin e domosdoshëm për themelimin e PKSh-së. Por qëllimi i M.Gjinishit dhe H.Reçit, sipas D. Mugoshës, ishte të pengonin sa më shumë këtë objektiv. Se cili ishte shkaku, ai nuk jep asnjë shpjegim.

Pas mbërritjes për herë të dytë në Tiranë, D. Mugosha takohet me M. Popoviqin dhe shokët e tjerë që ishin arratisur nga Peqini. Ai shpalos një panoramë të raportit të forcave brenda vendit dhe pozicionimin e bashkësive fetare në lidhje me regjimin fashist. Në këtë periudhë, D. Mugosha dhe M. Popoviqi zhvillojnë një veprimtari intensive për unifikimin e grupeve. Divergjencat mes tyre nuk ishte e lehtë për t`i sheshuar. Vështirësi sipas tij, përbënte “formula” e Zef Malës, e cila kishte kontaminuar një pjesë të lëvizjes si dhe grupi i “të Rinjve” me taktikën e tyre: “Qëllimi justifikonte mjetin”. Ndërsa pasuesit e Andrea Zisit, nuk kishin peshë të madhe. Kjo ishte situata deri më 8 nëntor 1941, kur, pas një pune intensive të D. Mugoshës dhe M. Popoviqit dhe direktivës së ardhur nga Kominterni, organizohet mbledhja për themelimin e PKSh-së.

Por vështirësitë nuk kishin të sosur për emisarët sllavë. Në mesin e grupeve komuniste, filloi një rivalitet i egër për katapultimin e anëtarëve të tyre në KQ provizor të PKSh-së. Ata filluan të denigronin kandidatët e njëri-tjetrit me akuza nga më të ndryshmet. Sipas D. Mugoshës, grupet mbanin edhe kontakte të fshehta me njëri-tjetrin, për të minuar mbledhjen themeluese dhe bënin çdo gjë, për të treguar se, nuk ekzistonin kushte objektive për krijimin e partisë. Kjo për sa i përket kundërshtarëve. Ndërsa, ata që ishin për themelimin e PKSh-së, këmbëngulnin se anëtarët e grupit të tyre duhet të kishin më shumë përfaqësues në KQ.

Lidhur me mbledhjen e themelimit të PKSh-së, D. Mugosha sjell versionin e tij, i cili duhet marrë në konsideratë, duke i bërë një vlerësim kritik. Ne nuk marrim përsipër të certifikojmë, se deri ku ato që shkruhen nga ai në këto kujtime janë të vërteta. Kjo për shkaqe të ndryshme objektive. Në radhë të parë, për faktin, se dokumentacioni apo tekstet e trashëguara nga periudha komuniste për historinë e PKSh-së, i janë nënshtruar në mënyrë sistematike retushimit.

  1. Mugosha, përshkuan atmosferën e kryeqytetit shqiptar. Ai shkruan për jetën sociale, bollëkun e dyqaneve dhe çmimet e leverdisshme; për administratën, e cila ndodhej në duart e shqiptarëve kolaboracionistë etj.

Për krijimin e strukturave të PKSh-së, ai ndërmori një sërë udhëtimesh në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë. Jo pa vështirësi, D. Mugosha dha një “kontribut” të rëndësishëm për themelimin e organizatave të partisë. Sigurisht, që në plan të parë, ai kishte afirmimin dhe mbështetjen e elementëve që për PKJ-në dhe strategjinë e saj politike konsideroheshin të “shëndoshë”.

Problemin më të madh, emisarët sllavë do ta hasnin nga grupi i “të Rinjve”, i cili nuk pranoi të unifikonte qëndrimet dhe të bashkohej me PKSh-në. Për këtë arsye, brenda një kohe të shkurtër, do të merren masa për eleminimin e tyre fizik. Kështu, Anastas Lula do të vritet, ndërsa Sadik Premte, për shkak të reputacionit që gëzonte në fshatrat e Vlorës dhe lidhjeve farefisnore, për një periudhë, do ta vazhdojë veprimtarinë ilegale nën këtë rrezik dhe pastaj do të largohet për t`u vendosur përgjithmonë në Francë.

Autori flet edhe për krijimin e Ballit Kombëtar dhe qëndrimet e kësaj organizate politike ndaj lëvizjes komuniste. Qëndrimet diametralisht të kundërta të tij me ballistët nxjerrin në pah akuzat për tradhti dhe bashkëpunim me okupatorin fashist. Ndërsa Balli Kombëtar, i akuzonte komunistët, se donin “kazan të përbashkët, gra të përbashkëta, shkatërrimin e kishave dhe xhamive, nuk njohin Zot dhe janë anarshistë”.

Më tej, D. Mugosha flet për peripecitë e udhëtimeve drejt Malit të Zi e, më pas, drejt Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë partizane, për t`u takuar me shokun Tito. Pas disa përshkrimeve mbi atmosferën dhe kushtet e partizanëve jugosllavë, ai përshkruan udhëzimet e Titos, i cili e njofton mbi përgjigjen e Kominternit dhe detyrat për t`u nisur drejt Shqipërisë; për ngarkimin nga KQ i PKJ-së i Bllazho Jovaneviçit, që të asistonte në Konferencën e Parë të Përgjithshme të PKSh-së dhe një emisari tjetër, që do të merrej me organizimin e forcave të armatosura shqiptare.

Njohja e PKSh-së nga Kominterni

Pas kalimit nga Mali i Zi, D. Mugosha së bashku me emisarët e tjerë, arritën në Shkodër, duke vijuar udhëtimin drejt Tiranës dhe Labinotit, ku ishte selia e KQ të PKSh-së. Lajmi, se PKSh-ja ishte njohur nga Kominterni, shkaktoi entuziazëm tek komunistët shqiptarë. Në Labinot, D. Mugosha gjeti M. Popoviqin, Enver Hoxhën, Liri Gegën, Ramadan Çitakun etj. Në fund të nëntorit të vitit 1943, sipas tij ishin krijuar komitetet qarkore në Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Elbasan dhe Berat; në radhët e PKSh-së numëroheshin 900 anëtarë dhe operonin disa çeta të armatosura.

Në bazë të udhëzimeve të Kominternit, duhej mbajtur sa më shpejt Konferenca e Parë e PKSh-së dhe duhej krijuar KQ i përhershëm. Për këtë, D. Mugosha dhe Kristo Themelko u ngarkuan me detyrën, për të asistuar në konferencat vendore në Vlorë dhe Gjirokastër, ku do të zbërtheheshin direktivat e Kominternit, letrat e Titos dhe do të zgjidheshin delegatët për konferencën kombëtare të partisë.

Sipas D. Mugoshës, lëvizja komuniste dhe aktiviteti i saj i armatosur në trajtën e çetave kishte gjetur një përhapje më të gjerë në Shqipërinë e Jugut. Kujtime interesante autori sjell edhe për Konferencën e Labinotit, e cila u mbajt në shtëpinë e Sami Bahollit më 17 mars 1943. Në këtë konferencë merrnin pjesë 70 delegatë, 100 të ftuar dhe disa çeta që merreshin me sigurimin dhe furnizimin e saj me ushqime. Në Labinot u morën disa vendime të rëndësishme lidhur me organizimin e PKSh-së, Lëvizjes Nacionaçlirimtare, për forcimin e organizatës së partisë, për organizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të organeve të reja të pushtetit, për punën me Frontin Demokratik, Frontin Atifashist, punën me gruan, rininë, zgjedhjen anëtarëve të rinj të KQ etj.

Pas përfundimit të Konferencës së Labinotit, anëtarët e KQ u shpërndanë në organizatat e tyre, për të çuar vendimet dhe për zbatimin e tyre. Vojo Kushi dhe Bllazho u nisën drejt Jugosllavisë. Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, ky i fundit, sipas D. Mugoshës, shkroi broshurën “Puna e partisë në ushtri”, e cila, deri në ditët e çlirimit, shërbente si libër xhepi për komisarët e çetave dhe batalioneve partizane. Kjo tregon se, jo vetëm organet drejtuese të PKSh-së, por edhe organizimin politik dhe ideologjik të ushtrisë partizane e formatuan dhe orientuan emisarët sllavë.

Roli i Dushan Mugoshës dhe Miladin Popoviqit për nisjen e luftës civile mes shqiptarëve

Sipas udhëzimeve të KQ provizor, Miladini dhe Dushani së bashku me dy anëtarë të tjerë, u nisën për në Shqipërinë e Jugut, për të ndihmuar me eksperiencën e tyre Lëvizjen Nacionalçlirimtare, e cila në këtë rajon kishte njohur një rritje progresive.

Veprimtaria e Sadik Premtes dhe Anastas Lulës do të ngjallë panik të madh në KQ dhe tek emisarët sllavë. Miladini dhe Dushani i trembeshin faktit, se dalja jashtë kontrollit e organizatës së Vlorës mund të ndikonte edhe në qytetet e tjera. Prandaj ata vendosën të eleminonin përfundimisht këto dy figura. Për këtë, Miladini ngarkoi Enver Hoxhën dhe D. Mugoshën të niseshin urgjentisht drejt Vlorës. Atje ata organizuan kapjen e komandantit të çetës, të cilin e dërguan për ta mbajtur si të burgosur në Mallakastër tek Mehmet Shehu. Ndërsa Sadik Premte arriti që t`i shpëtonte planit për ta zënë me pabesi. Një nga pikat e kontradiktave mes tyre ishte se anëtarët e grupit të “të Rinjve” kërkonin që të ishin të pavarur nga PKJ-ja.

Një dëshmi tjetër e këtyre kujtimeve është dhe fakti, se me propozim të Vukmanoviq Tempos, ishte vendosur që qarkori i Vlorës dhe i Gjirokastrës të merrte masa për ngritjen e zonës së parë operative, njësi e cila do të kthehet në strumbullarin e luftës civile.

Ai tregohet i sinqertë, kur shkruan lidhur me vendimet e Konferencës së Mukjes dhe marrëveshjen mes komunistëve dhe nacionalistëve për aksione të përbashkëta, si dhe arsyet se përse e kishte konsideruar atë si një tradhti. Fakti që konfirmohet nga goja e D. Mugoshës nuk lë më vend për asnjë dyshim se nxitës të luftës civile që shpërtheu në vitet 1943-1944, ishin emisarët sllavë. Sigurisht, që në plan të parë, për ta vinin interesat politike të PKJ-së.

  1. Mugosha flet dhe mbi krijimin e Brigadës I Sulmuese me komandant Mehmet Shehun dhe komisar Tuk Jakovën; për organizimin dhe aksionet e saj kundër italianëve, gjermanëve dhe forcave të Ballit Kombëtar; për vajtjen e saj në Berat, ku mes partizanëve, ballistëve dhe gjermanëve ishte arritur një pakt mossulmimi; për largimin e Xhelal Staraveckës dhe bashkimin e tij me forcat e Ballit Kombëtar etj.
  2. Mugosha shkruan, se në mars të vitit 1944, komanda gjermane kishte ngarkuar një oficer gjerman, për të hyrë në bisedime me partizanët për t`u parashtruar disa kushte: që partizanët të mos sulmonin qytetet, komunikacionet dhe garnizonet, ndërsa gjermanët, pas mbarimit të luftës t`u dorëzonin pushtetin. Por kjo ofertë nuk u pranua. Zbulimi i shtabit partizan, gjatë negociatave, i hapi rrugën një sulmi të forcave gjermane. Pas disa orë luftimesh gjermanët u tërhoqën duke lënë pas disa të vrarë.

Si shpëtoi pa u vrarë Enver Hoxha nga oficeri gjerman: Largimi nga Shqipëria

  1. Mugosha përshkruan dhe një rast, kur një oficer gjerman i kapur rob, i cili dyshohej si pjesëtar i Gestapos tenton të arratiset dhe të vrasë disa nga drejtuesit e PKSh-së ndërmjet të cilëve edhe Enver Hoxhën. Por bllokimi i automatikut dhe neutralizimi nga ana e rojës partizane e shmangu këtë akt.

Para largimit nga Shqipëria, D. Mugosha kërkoi nga KQ i PKSh-së që komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, Spiro Moisiu, meqenëse nuk i përgjigjej këtij funksioni të zëvendësohej nga Enver Hoxha; të eleminohej Sejfulla Malëshova dhe disa drejtues të Ballit Kombëtar; të krijohej sa më parë Divizioni I dhe komandant i tij të emërohej Mehmet Shehu; ky divizion të nisej menjëherë në Shqipërinë e Veriut; zona e Shtabit të Përgjithshëm të pastrohej nga individët e dyshimtë, të cilët, pak a shumë, i njihnin të gjithë. Sipas D. Mugoshës, lidhur me këto propozime, që përcaktonin arkitekturën e organizimit të PKSh-së dhe ushtrisë partizane, pati diskutime, aq sa edhe Miladin Popoviqi i konsideroi si propozime të mëdha. “Duq,-i deklaroi ai Mugoshës,-del sikur ti këtu lë ndonjë testament, ose ndonjë amanet”. Sidoqoftë KQ i PKSh-së i miratoi propozimet e D. Mugoshës, duke vërtetuar tezën se kjo parti ishte “fëmijë i paligjshëm” i emisarëve sllave dhe PKJ-së.

Më 4 maj 1944, pas përfundimit me sukses të misionit, i shoqëruar nga katër partizanë shqiptarë, D. Mugosha u nis drejt Jugosllavisë. Për t`i dhënë lamtumirën nga qendra e Shtabit të Përgjithshëm, në fshatin Helmës kishin dalë anëtarët e KQ, të Shtabit të Përgjithshëm, të Këshillit Nacionalçlirimtar, luftëtarë dhe banorë të zonës. “Ndarja,- sipas Dushanit,- ishte mjaft prekëse. Pati bile edhe lot”.

Në mbyllje të këtyre kujtimeve, D. Mugosha bën një rezyme të punës që kishte zhvilluar në gjirin e lëvizjes komuniste, duke nënvizuar aspektet kryesore të organizimit të PKSh-së dhe ushtrisë partizane. /ABC News/