Nga: Dorian Koçi

Kujtesa kolektive ka luajtur një rol të rëndësishëm në momentet e zgjimit kombëtar të popujve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Vetëm dy shekuj më parë, harta politike e Evropës ishte e përbërë nga dy-tri perandori që përfaqësonin pushtet politik të përqendruar me një larmishmëri kombësish ku si gjuhë kulture dominonte frëngjishtja, gjermanishtja dhe në skajet e Evropës Lindore dhe rusishtja.

Fillimi i Romantizmit në letërsitë evropiane me kultin e lirisë individuale dhe së kaluarës historike si tipare kryesore të mendimit të vet estetik e krijues, krijoi premisat që memoria kolektive etnike të kthehej në një burim të pashtershëm për krijimtarinë letrare. Kujtesa historike është një proces që mund të punojë në dy drejtime. Drejtimi i parë është ai përkujtimor që është dhe varianti më i përhapur dhe që nënkupton se vlera, ide dhe personazhe i shërbejnë kombit vazhdimisht për të mbajtur gjallë ndërgjegjen kombëtare dhe i dyti është drejtimi mohues që është variant më pak i përhapur dhe që nënkupton që ngjarje, personazhe apo dhe vlera “harrohen” sërish për ti shërbyer interesave kombëtare. Një rast i tillë është p.sh ai i Zvicrës, ku lufta e konfederatave në 1846 harrohet dhe nuk përmendet për t’i mëshuar më fort identitetit zviceran të të tre kantoneve dhe më tepër ka zënë vend kujtimi i heroit zviceran Vilhem Teli që Shileri e përjetësoi në tragjedinë e njohur me të njëjtin emër.

Në Evropën Lindore për shumë arsye që kanë të bëjnë me rastin specifik të saj në historinë e vonshme të këtij rajoni por edhe pse zakonisht modelet janë marrë të gatshme nga jashtë, është përqafuar drejtimi i parë ndaj gjejmë vepra monumentale të bazuar në kujtesën kolektive të një Evrope para osmane po dhe momentet e kundërshtimit të dominimit të Shtëpisë së Habsburgëve dhe Romanovëve. Romantizmi ishte kohë revolucionesh dhe klithmash për liri njerëzore, vetjake dhe të përbotshme. Për herë të parë liria njerëzore fitoi dimensione të përbotshme dhe inspiroi gjenerata të tëra njerëzish nga Amerika Latine me revoltat kundër spanjollëve nën udhëheqjen e Simon Bolivarit, në Evropë me lëvizjen karbonare në Itali, revolucionin grek dhe lëvizjet për pavarësi të Armenisë dhe popujve të Ballkanit. Kjo liri në popujt dhe etnitë e Evropës Lindore i gjeti në kujtesën kolektive të mbretërive të vjetra dhe në jetën dhe veprat e heronjve kombëtarë.

Ballkani është një trevë e Evropës, që mbart në ndërgjegjen e vet kolektive shtresëzime të ndryshme kulturore. Perandoritë e mëdha si Roma, Bizanti, ngjarjet e Kryqëzatës së IV, qytetet e administruara nga Venediku e më vonë çatia e përbashkët e Perandorisë Otomane kanë krijuar një kaledoskop kulturor ku influencat e ndryshme prodhojnë kultura dhe mozaikë kulturorë të ndryshëm. Kultura është pashmangërisht e lidhur me historinë. Herodoti, historiani i parë dhe nga më të shquarit në historinë e njerëzimit para se të jetë një raportues dhe mbledhës faktesh është një kulturolog i madh, që në udhëtimet e veta përshkruan vende, popuj, zakone e rite të tyre. Kjo traditë herodiane u bë baza për gjithë etnografinë evropiane në vijim. [1]

Ligjërimi historik i trajtimit të së shkuarës otomane të Ballkanit është kthyer në një ligjërim historik-letrar që pasqyron edhe zhvillimet historike kulturore të marrëdhenieve të popullsisë ballkanike me Perandorinë Otomane, por edhe identifikimin e prototipave letrarë, që kanë pasur një ndikim të madh në veprat e mëvonshme në letërsitë përkatëse. Zhanri i romanit historik, duket se është zhanri letrar, që i shkon më për shtat përfshirjes së historisë së rajonit dhe artikulimit të ligjërimit historik në romane historike. Në fillim të shekullit XIX, kombet ende nuk kishin një histori të mirëfilltë. Edhe ata, që tashmë kanë identifikuar paraardhësit e tyre, nuk kanë në dorë veç disa kapituj të mangët thelbi i të cilit është ende për të shkruar. [2] Ky proces, që në Evropë fillon me romanet e William Scotit, nuk mund të rri pa influencuar shkrimtarët e Ballkanit, kur ata përfshihen në proceset shtetformuese të shteteve të tyre kombëtarë.

Shkrimtarët e Ballkanit në mënyrë të pavetëdijshme, duke shkruar përjetimet e tyre përreth së shkuarës otomane të vendeve të tyre në romane historike, kanë krijuar një epope historike, që lidhet me të shkuarën dhe të tashmen e vendeve të tyre. Në këtë rast romani historik shërben si model narrativ për përpunimet e para shkencore të historive kombëtare dhe si vektor i shkëlqyer i përhapjes së një vizioni të ri të së kaluarës. [3]

Paradigma historike letrare, që krijoi Herodoti në vetvete ka lënë një shenjë të rëndësishme në qytetërimin evropian pasi krijoi një shkollë historike letrare të quajtur shkollë herodiane, ku janë të përfshirë shkrimtarët, të cilët kanë në vetveten e tyre sa hulumtimin, sa njohjen e një bote tjetër, po aq edhe rrëfimin e tyre artistik të lidhur ngushtë me historinë. E para vepër historike, që na vjen si një lloj memorie kolektive kulturore, por edhe si një vepër e botuar është poema “Alipashaida” e shkruar nga Haxhi Sherreti. Kjo poemë, madhësia e së cilës shkon deri në 15.000 vargje, nga të cilat u përkthyen në greqishten e re rreth 10.000 vargje, qëndron në fakt si apogjeu i gjithë kësaj periudhe, pasi me korpusin e vet letrar jo vetëm përfaqëson një shije estetike të lartë për kohën, por është dhe një dëshmi e shumë ngjarjeve të vërteta, që ndodhën në Pashallëkun e Janinës. “Alipashaida”, e shkruar sipas modelit të poemave të gjata epike, i njihet autori, çka e bën më të plotë atë, nga dy poemat e tjera të gjetura deri më tani për Ali Pashën.Vlen të përmendet këtu, që historianët më të famshëm grek, të cilët shkruajtën jetën dhe veprën e Ali Pashë Tepelenës i referohen shpesh herë si një pjesë e vërtetë e një ngjarjeje, që ka ndodhur në atë kohë.

Nëpërmjet teknikave të reja të dokumentacionit, që janë të njohura tashmë për historianët nëpërmjet arkivit të Ali Pashë Tepelenës është arritur, që të identifikohet se sa pjesë të vërteta ka, sidomos në historikun e ngjarjeve të njëpasnjëshme dhe kronologjinë. Sigurisht, që nuk duhet të biem në kurthin për të besuar se çdo gjë, që thuhej aty është e vërtetë pasi të gjitha ato çfarë mund të jenë ditirambe të ndryshme poetike përsa i përket jetës dhe veprës së Ali Pashë Tepelenës duhet të lihen mënjanë, por thelbi i ngjarjeve historike është i atillë që bën të mundur për të sjellë tek lexuesit këtë lloj narrative historike, që na vjen nëpërmjet këtij rrëfimi letrar, poetik të kohës.

Në fakt, “Alipashaida” është një nga veprat shumë pak të njohura në Shqipëri. Ajo është përkthyer në vitin 1997 dhe nuk ka botime të tjera. Një pjesë e rëndësishme e kësaj trashëgimie kulturore edhe pse në gjuhë të huaj ka humbur dhe kërkohet të shpluhuroset për të dalë në dritë. Një rast tjetër analog është dhe leximi dhe përpjekja për të riprodhuar në shqip poemën “Shtegtimet e Child Harold” të Bajronit, si tregojnë dëshmitë e shumta të përmendjes së kësaj vepre apo përpjekjeve për ta shqipëruar nga bashkësitë arbëreshe në Kalabri, bashkësitë arvanitase në Greqi e bashkësitë shqiptare në Bukuresht. Si pohon me të drejtë Anne Maria-These në librin e vet “Krijimi i identiteve kombëtarë, Evropa e shekujve XVIII-XIX” kur nënvizon rolin e elitës evropiane në sendërtimin e identiteve kombëtarë të popujve të Evropës juglindore, se është një sipërmarrje e rëndë të ndërtuarit e një gjuhë dhe një kulture kombëtare. Një nga pasojat e kozmopolitizmit intelektual është ndihma ndaj kombeve në lindje, mjediset intelektuale të të cilëve nuk janë ende aq të pajisura për të ndërmarrë, pa mbështetje, ndërtimin e lashtësisë së tyre dhe gjuhës së tyre. [4]

Vitet e mëvonshme në narrativën historike- letrare, në letërsinë shqipe shfaqen dy poetë të mëdhenj, njëri është Jeronim De Rada me “Këngët e Milosaos” më 1836, që shënon dhe fillimet e romantizmit shqiptar dhe tjetri është Gavril Dara i Riu me poemën “Kënga e Sprapme e Balës”. Sigurisht që tek “Këngët e Milosaos” kemi të bëjmë më një poemë, e cila në vetvete rikujtohet dhe rivjen ndër ata që e lexojnë si një kujtesë kolektive e një bashkësie të vogël, siç qenë arbëreshët në Itali, por ka të ndërthurur në të dhe një pjesë të rëndësishme të një elementi historik. Ky element historik tashmë vjen i përmendur përmes rrëfimit letrar romantik.

Kjo përqasje e letërsisë së kultivuar me poezinë popullore në veprën e De Radës nuk është një trill i yni, por një nga elementët themelorë të botëkuptimit romantik që De Rada ndoqi e bëri të vetin. Për të krijimtaria e mirëfilltë poetike, por edhe puna e mbledhësit të folklorit ishin pjesë e të njëjtit angazhim letrar. Të dyja këto përmasa, poezia e kultivuar që i atribuohej në mënyrë makfersoniane folklorit dhe poezia popullore që kalonte në filtrat e ndjeshmërisë së tij poetike, duhej të shërbenin për të shprehur më së miri shpirtin e popullit të tij, atë shpirt që romantikët gjermanë e quanin “Volksgeist”, ndërsa letërsia globale, që do dilte nga kjo shkrirje, duhej të vihej në shërbim të emancipimit të kombit dhe rilindjes kulturore e politike të tij. [5]

Romantizmi, rryma letrare dhe politike të përhapur kudo në Evropë krijonte heronjtë e vet. Karakteristikë e rëndësishme e heroit romantik është fakti që ai është hero në jetën e tij të përditshme i mbytur nga rrethanat dhe sentimentalizmi. Ashtu është në të njëjtën kohë dhe një hero ndaj fatit të atdheut. Këto dy tipologji karakteristikash do të jenë përcaktuese për veprat e tjera të mëvonshme të romantizmit shqiptar-arbëresh. Ajo çka mund të themi me plot gojën është fakti që me krijimtarinë e De Radës krijohet një shkollë e perceptimit të narracionit letrar nëpërmjet historisë. Milosao, sigurisht që nuk ka koordinata të caktuara dhe të drejtpërdrejta historike për t’u identifikuar si personazh historik, por epoka ku vepron ka elementë të rëndësishëm siç është konflikti arbër-osman, një konflikt shumë i madh, i cili ndihet kudo në poemë. Në letërsinë arbëreshe nuk do të linim pa përmendur një poemë shumë të rëndësishme, siç është “Kënga e sprasme” e Gavril Darës, e cila është në të njëjtën frymë si ajo e De Radës, por në vetvete përmban dhe ka një narrativë tjetër.

Ashtu si De Rada, të dyja janë komplet imagjinare, janë pjesë të kujtimeve të një bashkësie kolektive dhe janë pjesë, të cilat nuk i përshtaten drejtpërdrejt realitetit historik siç është “Alipashaida” e Sherretit, por bëjnë të mundur, që në një kontekst më të gjerë evropian dhe ballkanik të sjellim para lexuesit gjithë detajet dhe atmosferën e madhe të konfliktit me osmanët. Ne, si lexues jemi të dashuruar me personazhet e këtyre poemave, qoftë me Milosaon, qoftë me Rinën, qoftë me vajzën e Lalës, apo me toponime, që janë të rëndësishme dhe që ndonjëherë vijnë nëpërmjet kujtesës kolektive siç është Moreja, vende të ndryshme të shqiptarëve arvanitas në Greqi, por kurrsesi nuk mund të biem në kurthin e marrjes së një narrative letrare si një e vërtetë historike e drejtpërdrejtë. Duhet ta kuptojmë që epoka e romantizmit dhe mënyrës se si tentohej të shkruhej historia dhe letërsia, duke rikujtuar të kaluarën e lavdishme të popullit e duke krijuar heronj romantikë, jo shpesh herë i përgjigjej realitetit drejtpërdrejtë historik dhe kronologjisë së ngjarjeve historike. Në këtë drejtim Milosao dhe Plaku Balë janë frut i fantazisë dhe trille letrare të mbështetura mbi kujtesën kolektive arbëre rreth konfliktit arbëro-osman të shekullit XV. Pikërisht nga gjiri i këtij konteksti kulturor një shekull më vonë nën influencat e fuqishme të iluminizmit, luftërave napoloniane dhe romantizmit do të lindte dhe do të merrte udhë sendërtimi i një identiteti të veçantë kulturor e kombëtar, që në revokimin e së kaluarës heroike të epopesë skënderbejane të shekullit XV do të përpiqej të ngjizte një Shqipëri tjetër përtej detit.

Një vepër shumë e rëndësishme e rrëfimit historik-letrar në letërsinë shqipe është poema “Istori e Skënderbeut” e Naim Frashërit, (1898), e botuar dy vjet para se të vdiste Poeti Kombëtar. Nuk mund të mungonte Frashëlliu i madh pa i kushtuar edhe poemë Heroit tonë Kombëtar. Në këtë mënyrë ajo (historia) e ruan të kaluarën dhe ua kujton breznive të ardhshme që ta njohin dhe të marrin mësim prej saj. Megjithatë, ajo është vetëm dëshmitare. Kohët dhe njerëzit që mbesin në fletët e saj janë përjetë të ngurëzuara. Poetët besojnë me të drejtë se periudhat dhe shëmbëlltyrat historike mund të shihen më thellësisht vetëm me anën e artit, prandaj, faktet historike i fisnikërojnë me imagjinatën krijuese.[6]Ku mund ta ketë gjendur Naim Frashëri burimin historik të veprës së vet?

“Historia e Skënderbeut”, në fakt është një poemë, e cila mund të jetë mbështetur në leximet e ndryshme të Naim Frashërit për Skënderbeun, qoftë të Barletit të përkthyer në frëngjisht, në gjuhën që ai lexonte shumë mirë apo dhe burime të tjera në gjuhët evropiane. “Istori e Skënderbeut”, është një lloj testamenti politik, me të cilin poeti kombëtar i shqiptarëve dëshironte t’u jepte kumte të reja bashkatdhetarëve të vet. Në poemë mungojnë referencat fetare, por ka një idealizim të fortë të gjendjes së Shqipërisë të para pushtimit otoman. Ajo u lexua dhe u mësua përmendësh nga breza të tërë shqiptarësh, duke u kthyer në një tekst të preferuar edhe për faktin se ishte shkruar në tetërrokëshin e njohur popullor.Nëse kur e lexojmë veprën “Historia e Skënderbeut” për herë të parë e presim, që të gjejmë një histori e kronologji historike, lexuesi edhe mund të zhgënjehet, pasi Naimi krijon edhe personazhe, të cilët nuk janë historikë si është rasti i Kamanit. Personazhi Kaman ka mbetur ende i padeshifruar se kujt i përket , ndonëse shpesh herë është menduar e gjykuar se në vetvete ai përfaqëson vetë poetin. Kamani duket të jetë dhe të luajë rolin e korit antik, njëlloj si tragjeditë e vjetra greke, ku roli i tij është të kumtojë të vërtetat që mendon Naimi dhe duhet të dinë lexuesit.

Mesazhi i Naim Frashërit është i qartë. Lufta e armatosur e drejtpërdrejtë ndaj osmanëve çka përkon dhe me aksionin e Skënderbeut, që kishte mbetur gjallë në memorien e kolektive të shqiptarëve e që vazhdon të jetë edhe sot pjesë e memories sonë kolektive. Marrëveshje me osmanët për një popullsi shumë të vogël siç ishin Arbërit do të thoshte dënim me vdekje dhe në fakt ashtu siç shfaqet në narrativën historike letrare të mëvonshme të shkrimtarit tonë Ismail Kadare tek romani “Kështjella” në bisedën midis dy kronistëve turq, kryeveqilharxhit dhe kronikanit turk. Kryeveqilharxhi, i cili në roman përfaqëson botën intelektuale osmane e kohës thotë diku që “Thuhet se Skënderbeu, e ka braktisur emrin e tij Skënderbe dhe mban vetëm emrin Gjergj Kastrioti dhe po lufton për të ardhmen”. Pra, nuk po lufton më për të sotmen por për të ardhmen. Kronikani Mevlan Çelebi, sigurisht që është i habitur, i thotë: “Si ndodh kjo gjë? Njeriu lufton për të sotmen, nuk lufton për të ardhmen”, dhe ai i thotë: “jo, ai raportin e ka me të ardhmen, nuk e ka me të sotmen, prandaj ne duhet ta mposhtim që sot”. Pra, në një farë mënyre kjo lloj trajektore historike, e cila tek Ismail Kadareja vjen pasi ai e di historinë dhe jo drejtpërsëdrejti në kohën e Skënderbeut, na shërben për të kuptuar dhe për të nxjerrë një narrativë tjetër e cila shfaqet në shek. XX në letërsinë shqipe po fillojnë refleksionet historike të drejtpërsëdrejta përsa i përket të shkuarës. Romani më i rëndësishëm në narrativën historike-letrare është “Shkodër e rrethueme” e Ndoc Nikaj në vitin 1913, i cili është një përshkrim i ngjarjes më të madhe në historinë e Shqipërisë në luftërat ballkanike. Rrëfimi ngjan më tepër si pjesë e një reportazhi të një lufte dhe në të njëjtën kohë ka dhe histori të mirëfilltë të Shkodrës dhe rrethinave të saj. Nëpërmjet rrëfimit të narrativës historike të Ndoc Nikaj, që është edhe shkrimtar, por edhe dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjeve, duket që krijohet një lloj përqasje e re letrare historike në letrat shqipe. N. Nikaj së bashku me Stefë Curanin mbahen si hedhësit e themeleve të historiografisë shqiptare.[7]

Leximet historike nuk duhen dhe nuk mund të shmangen nga kurrikulat e shkollave sepse nëse duhet të kujtojmë fillimin e një shprehje të Oruellit , “kush kontrollon të shkuarën kontrollon dhe të ardhmen”, besoj se nuk e kemi luksin që të humbasim një monopat të rëndësishëm të njohjes të së shkuarës përmes historisë dhe leximeve historike dhe t’u privojmë të ardhmen brezave të rinj.Për fat të keq në kohët e sotme romani historik konsiderohet një roman demode, një roman që nuk tërheq një audiencë të madhe. Sigurisht, që letërsia ka ligjet e zhvillimit të saj, por ajo që unë dëshiroj të theksoj është se rrëfimi letrar përmes historisë nuk duhet të humbasë dhe duhet inkurajuar për historianët shkrimtarë. Pavarësisht faktit se ndonjëherë krijon heronj të idealizuar si Milosao apo Nik Peta, në fakt kjo lloj letërsie shërben për të memoralizuar ngjarje të rëndësishme kombit, dhe nëse ne duam të kemi një kujtesë kolektive të vazhdueshme, atëherë kjo nuk mund të mbijetojë pa rrëfimin letrar përmes historisë.

Bibiliografi:

Anne-Maria These. “Krijimi i identeteve kombëtarë., Evropa e shekujve XVIII-XIX” Shkup. Fryma:2006

Aurel Plasari , Gjinaj M.; Mele M.; Elmazi M., “Bibliografi e librit shqip në fondet e Bibliotekës Kombëtare”, Biblioteka Kombëtare, Tiranë, 2010

Francesco Altimari. Vepra Letrare 1. Këngët e para të Millosaut. Tiranë:2014.

Rexhep Qosja, Kritika letrare, Rilindja, Prishtinë, 1969.

[1] Thiesse .A.M .(2004)Krijimi i identiteve kombëtarë. Evropa e shekujve XVIII-XIX, Prishtinë: Dukagjini, fq. 94

[2] Thiesse .A.M .(2004)Krijimi i identiteve kombëtarë. Evropa e shekujveXVIII-XIX,Prishtinë: Dukagjini, fq. 162

[3] Thiesse .A.M .(2004) Krijimi i identiteve kombëtarë. Evropa e shekujveXVIII-XIX, Prishtinë: Dukagjini, fq. 163

[4] Anne-Maria These. “Krijimi i identeteve kombëtarë., Evropa e shekujve XVIII-XIX” Shkup. Fryma:2006

[5] Francesco Altimari. Vepra Letrare 1. Këngët e para të Millosaut. Tiranë; 2014, fq. 26

[6] Rexhep Qosja, Kritika letrare, Rilindja, Prishtinë, 1969, f. 8-9

[7] Aurel Plasari, Gjinaj M.; Mele M.; Elmazi M., “Bibliografi e librit shqip në fondet e Bibliotekës Kombëtare”, Biblioteka Kombëtare, Tiranë, 2010 fq. 185