Me rastin e 30 vjetorit të ndarjes nga kjo botë të muzicientit emblematik (25 gusht 1918 – 14 tetor 1990)

Nga: Sadik Elshani

Tridhjetë vite më parë, më 14 tetor të vitit 1990, u nda nga kjo botë Leonard Bernstein (Lenny, siç e kanë quajtur kolegët e tij), dirigjenti i njohur, kompozitori, autori, ligjëruesi e pianisti amerikan me famë botërore. Ka lindur më 25 gusht të vitit 1918 në qytetin Lorens të shtetit Masaçusets në ShBA, nga prindër hebre të emigruar nga Ukraina. Qysh në fëmijëri ka qenë i interesuar për muzikën; babai e ka marrë me vete nëpër koncerte, ndërsa më vonë ka marrë edhe orë mësimi në piano. E ka ndjekur shkollën fillore të Garrisonit dhe Shkollën Latine të Bostonit. Pas mbarimit të shkollës së mesme, është regjistruar në Universitetin e Harvardit. Këtu është takuar edhe me kompozitorin e madh amerikan, Aaron Copland (!900-1990), i cili ka patur një ndikim të madh te Bernsteini i ri. Pas mbarimit të studimeve në Harvard, me 1939, regjistrohet në Curtis Institute of Music në Filadelfia, njërin ndër institucionet më prestigjioze muzikore të botës dhe mjaft përzgjedhëse ku pranohen vetëm 4.8 për qind e aplikantëve. Në këtë institucion ka studiuar dirigjimin, pianon, orkestrimin.

Pasi mbaron studimet në Curtis, kthehet në Nju-Jork dhe në vitin 1943 emërohet ndihmës dirigjent i Orkestrës Filarmonike të Nju-Jorkut. Nga viti 1945 e deri më 1947, ka qenë drejtues muzikor (dirigjent) i Simfonisë së Qytetit të Nju-Jorkut. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, aty nga viti 1946 karriera e tij ndërkombëtare ka marrë hov: ka dirigjuar ne Pragë, Izrael etj.

Në vitin 1954 fillon serinë e tij të famshme të ligjëratave televizive, Young People’s Concerts në rrjetin televiziv CBS. Në vitin 1957 emërohet drejtor muzikor (dirigjent) i Orkestrës Filarmonike të Nju-Jorkut, njërës ndër orkestrat më të mira e më prestigjioze të botës. Me këtë orkestër e vulos statusin e tij si njëri ndër dirigjentët më të mirë e më të njohur të shekullit të XX-të. Në krye të kësaj orkestre qëndron gjer në vitin 1969, por që do të mbetet i lidhur me të gjatë gjithë jetës së tij, do të mbetet fytyra, identiteti, letërnjoftimi i kësaj orkestre. Me këtë orkestër, në vitin 1959 bën një xhiro mjaft të suksesshme nëpër Evropë e Bashkimin Sovjetik. Më vonë ka qenë i lidhur me shumë orkestra të njohura botërore, si atë të Vjenës, Londrës, Bostonit etj. Më 9 tetor të vitit 1990 e bëri publik tërheqjen (pensionimin) e tij nga dirigjimi, ndërsa pesë ditë më vonë vdes në apartamentin e tij në Nju-Jork nga një sulm në zemër.

Leonard Bernstein ka qenë ndër dirigjentët e parë të lindur e të edukuar në Amerikë që ka marrë ovacione në mbarë botën. Sipas kritikut të muzikës, Danal Henahan, ai ka qenë ”njëri ndër muzicientët me talent të jashtëzakonshëm e më të suksesshëm në historinë amerikane”. Edhe pse Bernstein ka qenë kryesisht i njohur si dirigjent, ishte edhe një kompozitor shumë serioz që ka kompozuar mjaft vepra të suksesshme të gjinive të ndryshme muzikore: opera, balete, muzikale, muzikë instrumentale, muzikë për filma, pjesë vokale e pianistike. Sidomos janë të njohura: West Side Story, Peter Pan, Candide, On the toën, On the Waterfront e shumë te tjera. Në muzikën e tij ai ka ndërlidhur, gërshetuar mirë elementet e xhazit, muzikës hebreje, asaj teatrore si dhe veprat e kompozitorëve tjerë si Copland e Stravinski.

Bernstein ka qene një mësues, edukator shumë i mirë dhe promovues, përhapës i përkushtuar i muzikës. Ka qenë edhe një artist mjaft i angazhuar edhe për shume çështje, kauza sociale dhe filantrop (bamirës). Në qytetin Neshvill ka ndërtuar Qendrën “Leonard Bernstein” për të promovuar muzikën, për të ndërlidhur artin dhe edukimin.

Siç përmenda pak më lart në këtë shkrim, nga viti 1954 e gjer në vdekje ai ka mbajtur disa cikle të ligjëratave muzikore televizive përpara një numri të madh të të rinjve. Dhe jo rastësisht këto ligjërata jenë quajtur Young People’s Concerts (Koncertet e të Rinjve ose Koncertet për të Rinj). Në fëmijërinë dhe rininë time të hershme, përmes Televizionit të Beogradit kam patur rastin që t’i përcjell këto ligjërata mjaft interesante. Ai me shumë thjeshtësi e mjeshtëri i shpjegonte termet e ndryshme muzikore duke i ilustruar me shembuj konkretë, me pjesë të zgjedhura muzikore e mjaft të popullarizuara, të cilat të rinjtë mund t’i ndjenin e t’i shijonin pa kurrfarë pengesash. Kështu, muzikën klasike e bënte shumë te afërt, të kuptueshme dhe jo si diçka të ndërlikuar, të pakuptueshme, të ftohtë e të largët. Kjo mishëron talentin, mjeshtërinë e tij të komunikimit, njohjen e thellë të artit muzikor, sepse nuk është lehtë që t’u shpjegosh fëmijëve koncepte muzikore në mënyrë aq të thjeshtë e të kuptueshme. Për mua kjo ishte mjaft e rëndësishme e mjaft interesante, sepse në kohën dhe mjedisin ku jam rritur (Suharekë/Therandë, Kosovë) të rrallë ishin ata që flisnin për muzikën klasike. Madje ne e quanim “muzikë serioze” që kryesisht luhej në programet televizive në rast ditë zije, kur vdiste ndonjë qeveritar i lartë i asaj kohe.

Bernstein e kishte një mënyrë shumë të thjeshtë komunikimi me publikun, teknika e tij e dirigjimit mjaft teatrale, dinamike, gjestet e tij, mimika e fytyrës, të gjitha këto bënin që muzika nga notat e kompozitorit, loja e orkestrës të barteshin fare lehtë e në mënyrë të drejtpërdrejtë te zemra e dëgjuesit/shikuesit. Ai me personalitetin karizmatik, teknikën e tij dinamike të dirigjimit e mbante të gjallë publikun, të angazhuar, të interesuar, duke e mënjanuar çdo monotoni që mund te krijohej gjatë koncerteve të tilla.

Duke i përcjell këto ligjërata televizive, Bernstein më zgjoi interesimin, më ngjalli dashurinë, adhurimin për muzikën klasike, e cila tani është bërë një pjesë e këndshme e jetës sime. Besoj se kjo ka ndodhur edhe te shumë të rinj të tjerë anembanë botës. S’më mbetet tjetër veç të them: faleminderit maestro Bernstein! Tani kanë kaluar 30 vite nga ndarja e tij nga kjo botë, por ai gjithmonë do të mbetet i dashur te adhuruesit e muzikës dhe artit në përgjithësi. I përjetshëm kujtimi! /Illyria Press/

(Autori është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro-amerikane)