Nga: Petraq Kolevica

Ishte pranvera e vitit 1959.

Shëtisnim aty, në oborr. Ishte i sëmurë, por gjithmonë i gatshëm të bisedonte për artin, për poezinë.

Aty filloi të më hapej pak ajo deriçka e ngushtë për të hyrë në rrugën e gjatë e të ndërlikuar, që të shpinte në zemrën e thellë të Lasgushit. Nëpër këtë rrugë kam ecur me durim vite me radhë. Deri ku kam arritur? S’e di …

Kam njohur disa nga ata që thonë se e kanë njohur Lasgushin dhe kam parë se s’kanë njohur asgjë prej tij.

Thelpinjtë e ëmbël të zemrës së Lasgushit ishin brenda lëvozhgës së hidhur të çaçanikut. Përbrenda zhguallit me gjemba të gështenjës ishte buka e butë dhe e bardhë e shpirtit të tij. Mbrapa fjalëve të rëndomta, të rënda, shpesh herë dhe banale që ai përdorte, fshihej një edukatë fisnike.

Këto e bënin të vështirë miqësinë me Lasgushin, po të mos ishe tolerant. Këto gjëra nuk mundën t’i kuptonin disa që e patën njohur, se e patëm parë nga jashtë, në sipërfaqe.

Në rrugën e jetës Lasgushi eci i heshtur e i vetmuar, i mbështjellë, si ato malet e larta, me mjegullën e krenarisë së vet.

Njohja shumëvjeçare më ka ndihmuar që herë pas here ta depërtoj këtë mjegull me të cilën ai rrinte gjithmonë i mbështjellë dhe atëherë kam mundur të shoh atë katedralen madhështore të kulturës lasgushiane, të bukur, të plotë e solide, të mbështetur mbi themele të fortë.

Aty, përmes ylbereve të shumëngjyrshëm të vitrazheve të shprehjeve të tij, me orë të tëra dëgjoja akordet solemne të organos që ekzekutonte “Missa Kamadeve”.