Dikur e njihnin të gjithë. Sot pak njerëz në Korçë e jashtë saj dinë për të. Ai ishte një nga filantropët më të mëdhenj që ka nxjerrë kombi shqiptar, shembull që duhet ndjekur edhe sot nga kushdo.

Nga Vangjel Simaku

Ishte bamirësi që i dhuroi Korçës, qytetit më të kulturuar të Shqipërisë: bibliotekën, kinemanë, liceun, spitalin dhe jetimoren.

Filantropi që shpëtoi nga vdekja e sigurt me dhjetëra njerëz, por nuk shpëtoi dot vetveten prej saj.

thoma2

Ishte ai që përgatiti pajën e shumë familjeve të vobekta korçare dhe fitoi dashurinë e simpatinë e mijëra zemrav. Por sistemi i kuq monstruoz, u soll egërsisht me familjen Turtulli. Kur varrezat e Korçës u zhvendosen nga kisha e Shën Mërisë, u prish në mënyrë barbare varri monumental i kësaj familje të shquar dhe eshtrat e Filantropit të Madh nuk dihet ku përfunduan.

Urrejtja patologjike e Enver Hoxhës ndaj kësaj familje, bëri që një nga filantropistët më të njohur e të mëdhenj në Ballkan e më gjerë, Thoma Turtulli – të mos ketë sot as varr.

Thoma Turtulli ishte me origjinë nga Vithkuqi, dikur një qytet i madh me shumë lagje, kisha e shkolla, që rivalizonte për nga përparimi vetë Voskopojën. Por njësoj, si Voskopoja dhe Vithkuqi u dogjën dhe u grabitën tre herë. Zjarrvënësit ishin po të njëjtët.

thoma3

Familja Turtulli u zhvendos në Korçë dhe bëhet një prej familjeve më të njohura tregtare të kohës. Thoma Turtulli e kompania e tij zhvillonte tregëti me Durresin, Shkodrën, Tiranën, por edhe me Selanikun, Manastirin e Stambollin .

Shumë shpejt ai iu përkushtua punëve të mëdha filantropike, për ta bërë Korçën, shembull të një qyteti europian.

Kështu në qytetin e Korçës më 25 dhjetor 1927-ë, çeli dyert kinemaja “Majestic”, një La Scala e vogël në zemër të qytetit. Kjo kinema e bukur u ngrit nga Kompania Anonime Shqiptare “Cinemato”, e krijuar prej Thoma Turtullit e miqve të tij.

Ai i dhuroi qytetit arsimdashës të Korçës, bibliotekën, duke parë etjen e madhe për dije të korçarëve. Në qytetin tonë e rreth tij, ekzistonin shumë libra nga bibliotekat e dikurshme të Voskopojës, Vithkuqit e vetë Korçës si dhe të sjella dhe nga shoqëria “Vatra” e SHBA-ës.

thoma4

Kështu që biblioteka e bukur e Korçës, e inauguruar më 1930-ën, numëronte rreth 30000 libra, asaj kohe.

Korçës së kulturës biri dhe filantropi i madh, Thoma Turtulli i dhuroi edhe, liceun këtë vatër dije, brenda e jashtë Shqipërisë. Kurse spitali i qytetit u inaugurua me 1934-ën.

Pas përfundimit të tij bashkëshortja e Thoma Turtullit, Athinaja, i dhuroi shtetit 40.000 franga ari për ndërtimin e shkollës industriale.
Mbreti Zog e dekoroi zonjën Athina Turtulli me Urdhërin e Skënderbeut. Thuhet se Thoma Turtulli ndiqte vete punimet për ndërtimin e spitalit dhe atje u sëmur nga bronkopneumonia.

Me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të mbretit Zog, i cili solli enkas nga Selaniku mjekët më të mirë, ai nuk shpëtoi dot. Veprat e këtij bamirësi të madh edhe sot shkëlqejnë në Korçën tonë dhe janë shprehje e frymës evropiane që mbolli në këtë qytet, Thoma Turtulli e filantropë të tjerë me emër./voal/