Mjaft njerëz të shquar e konsideronin atë “qytetar të Evropës” dhe mund të themi se Giacomo Durazzo ishte ndër figurat më spikatëse në këtë drejtim, në krahasim me pararendësit e tij të diasporës shqiptare. Ai ishte një diplomat italo-shqiptar dhe i pasionuar pas teatrit. Në një botim për jetën e Moxartit, një autor francez shkruan edhe për udhëtimin e famshëm të Leopold Moxartit me të birin, Volfgang Amadeus Moxart, të cilët do të zbarkonin në Venecie për të dhënë disa koncerte. Ishte viti 1771 dhe ky ishte udhëtimi i tyre i dytë, pas atij të një viti më parë, kur Amadeusi 14-vjeçar ishte paraqitur për t’u regjistruar në akademinë “Filarmonica di Bologna”, ku drejtuesi i saj e kishte pranuar atë me shënimin “mjaftueshëm”. Tashmë ata vinin pas një itinerari koncertesh të dhëna në Verona, Torino e Milano. Në Venecie ata mbërrijnë më 10 shkurt, pas një rruge shtatëditore. Aty ata i pritën dy miq të tyre, tregtari Giovanni Wider dhee Lorenc Haguenauer. Në Venecie ata kaluan një muaj duke vizituar hiret e këtij qyteti. Abati Giovanni Ortes, një shkrimtar politik, ishte në atë kohë një nga zërat më me influencë të republikës. Ai u premtoi atyre se do t’i njihte me njeriun më të famshëm të muzikës në atë qytet, kontin Durazzo. Konti Durazzo iu bëri atyre një pritje të veçantë në banesën e tij, në pallatin “Loredan”, mbi “Canal Grande”, ku banonte Durazzo. Pallati ku i priti mysafirët Durazzo quhet kështu, sepse ishte ndërtuar nga Dozhi i Republikës, Leonardo Loredan, dhe ishte vërtet madhështore. Dhuratat ishin të shumta. Uji i lagunës e kishte kapërcyer pragun e portës dhe kati i poshtëm kishte kohë që ishte përmbytur. Një ndërtesë tipike veneciane me një fasadë të mrekullueshme, dy ballkone të gdhendura me harqe dhe dy statuja mermeri të futura në mur. Më vonë, kjo ndërtesë do të quhej nga venecianët “Pallati i ambasadorit”, në kujtim të ambasadorit të famshëm Durazzo. Në kohën e Durazzo-s, “Venetia”, siç quhej atëherë Venecia, përjetonte akoma orë lavdie. Venecia ishte më shumë një referencë historike e kulturore për gjithë intelektualët e Evropës. Muzika, koleksionet e pasura të pikturës italiane, flamande, spanjolle, “Arsenali”, ku ndërtoheshin anijet e famshme veneciane, arkitektura e mahnitshme e qytetit, gjithçka tërhiqte këtu udhëtarë nga e gjithë bota. Ambasadorët e huaj, si dhe Durazzo, kishin në dispozicion gondola të posaçme të mëdha, zbukuruar me velurë, të cilat i çonin në Pallatin e Dozhëve apo në sheshin “San Marco”, në katedralen qendrore, në teatrin “Fenice”, përgjatë Kanalit të Madh apo gjer në Mestre, ku Durazzo kishte vilën e tij jashtë qytetit. Venecia e karnavaleve dhe e maskave mbahej në atë kohë si qyteti që kishte numrin më të madh të prostitutave në botë në raport me popullsinë, një turmë e madhe “putti e putte”, kurtizanë e kurtizane, që ishin personazhe të pjesëve dramatike apo komedive të Goldonit, mikut të Duravzzo-ve. Në atë kohë, Moxartit i ishte propozuar të shkruante muzikën e libretit të shkrimtarit francez Jean Jacques Rousseau, “Devin de Village” apo ndryshe “Dashuria e Bastienit dhe e Bastienës”. Padyshim që Durazzo dhe Moxarti kanë biseduar rreth kësaj pjese, pasi para disa vitesh, Konti Durazzo ishte përpjekur ta vinte atë në skenë në Teatrot e Vjenës. Madje pas negociatave me Rusoin, ai kishte angazhuar libretistin Farvart të Operës Komike të Parisit për një parodi burleske të bazuar në pjesën e shkrimtarit dhe filozofit francez. Për Leopoldin dhe birin e tij, konti Durazzo ishte një figurë e rëndësishme e botës muzikore evropiane, i cili kishte drejtuar për dhjetë vjet rresht teatrot e Vjenës. Ai kishte qenë mik shumë i afërt i kompozitorit Hasse, për të cilin në një nga letrat e tij, atë vit, më 2 nëntor, Moxart do të shkruante: “Sot jepet opera “Ruggiero e Hasse”, por meqë im atë nuk do të dalë, as unë nuk mund ta dëgjoj e ta shoh këtë opera. Fatmirësish, unë i di përmendësh të gjitha ariet e saj. Kështu, edhe i mbyllur në shtëpi, në mendje mund të dëgjoj e të shoh gjithçka”. Më 5 mars të atij viti, konti Durazzo do të dëgjojë koncertin e instrumentistit të ri 14-vjeçar, që ishte bërë tashmë i dëgjuar në të gjitha oborret princore evropiane me talentin dhe virtuozitetin e tij. Koncerti u prit me duartrokitje të mëdha nga e gjithë aristokracia veneciane, ku në radhë të parë ishte sigurisht Durazzo. “Viva il Maestrino” (Rroftë Mjeshtri!), thërrisnin fisnikët. Gjithë Venecia fliste për talentin e habitshëm të instrumentist Volfgang, i cili në atë kohë po shkruante edhe një serenatë teatrale, që ia kishte kërkuar vetë perandoresha e Austrisë, Maria Tereza. Pikërisht këtë vit, Amadeusi kishte krijuar pjesë të ndryshme simfonike, të cilat i demonstronte dhe i interpretonte në mjediset dhe teatrot e Italisë apo Evropës. Të tilla ishin simfonia në re K. 81, K. 89, simfonia në sol, K111/120, K. 96, uvertura e famshme “Ascanio in Alba” apo “Mirtridate”. Nuk dimë nëse konti Durazzo ka shkruar diçka për gjeniun Amadeus, i cili më pas do të trondiste botën me muzikën e tij. Më 12 mars, Amadeus me të atin lënë Venecian dhe largohen drejt Salcburgut. Venecia ishte një kryeqytet i kulturës ku takoheshin personalitete të famshme të kulturës evropiane. Po në Venecia, kontin Durazzo do ta ndjekë dhe miku i tij i vjetër, piktori Joseph Wagner, i cili do të bënte veç portretit të tij, dhe të disa artistëve të tjerë, midis të cilëve, mikut të tyre të përbashkët, Kastratit të famshëm Farinelli apo siç quhej ndryshe Carlo Broschi. Giacomo Durazzo ishte edhe një amator i madh jo vetëm i partiturave origjinale të autorëve të mëdhenj dhe i librave të tjerë të muzikës, por edhe i gravurave dhe grafikëve. Koleksioni i tij ishte i mahnitshëm dhe me një vlerë kolosale, pasi në to vuri gjithë pasurinë e tij, aq sa në fund u kthye në nevojtar për të holla. Biblioteka e tij u nda mes familjes, por pas rënies politike e ekonomike të kësaj familjeje, biblioteka do të përfundonte në fondin “Foa-Giordano” të Bibliotekës Kombëtare të Torinos. Durazzo e la ambasadën e Venecias në vitin 1784 dhe iu kushtua artit. Pikërisht në këtë periudhë ai përgatiti një fjalorth të artistëve të vizatimit, ku mblodhi stampa nga piktorët më të mëdhenj të Italisë dhe të Evropës, mes të cilave dhe shumë vizatime të piktorit të famshëm Mantegna. Dhjetë vjet më vonë, më 15 tetor të vitit 1794 ai vdiq, duke lënë pas një koleksion të jashtëzakonshëm, veçanërisht tablotë, bibliotekën e tij të pasur e, mbi të gjitha, koleksionin e tij të “stampave”, gravurave të mrekullueshme të mjeshtërve të mëdhenj, koleksione këto të njohura në metropolet e Evropës, pasuri që do të ndahej mes pjesëtarëve të tjerë të familjes, pasi ai nuk kishte trashëgimtarë të drejtpërdrejtë. Siç shkruan Angela Durazzo në librin e saj “I Durazzi, da schiavi a dogi della Republica di Genova”, biblioteka e tij në Venecia përmbante 25.000 tituj, nga të cilëve rreth 2500 ishin libra të vjetër e kodikë që ai i kishte blerë dhe mbledhur gjatë viteve. Ishin mes tyre ishin 27 vëllime muzikore, partitura me kapakë të kuq, shumica e të cilave me autografet dhe shkrimet origjinale të autorëve. Madje ai kishte pjesën më të madhe të krijimtarisë së Vivaldit, të cilat ia kishte blerë të vëllait të muzikantit, Françesko Vivaldit, veçanërisht pjesë nga muzika e tij e shenjtë, kompozime e koncerte, “antante”, shumica e të cilave të shkruara për “prostitutat” e qytetit të mbledhura në “Ospedale della Pietà”. Kjo do të mjaftonte për ta bërë atë “Qytetar nderi” të Venecias. (Mapo)