Namir Lapardhaja

Shënime mbi përmbledhjen me tregime “Kur këndonin gjelat e tretë” të Agron Tufës

Në traditën popullore, këndimi i gjelit të tretë, simbolikisht lidhet me ardhjen e agimit. Në tregimin, që ka shënjuar titullin e veprës, “Kur këndonin gjelat e tretë”, nuk kemi të bëjmë me ardhjen e mëngjesit, por me një simbolikë tjetër: gjelat e tretë këndojnë në kohën e gjumit më të thellë. Vrasjet dhe krimet bëhen pikërisht në këtë moment.

Ndërkohë që të gjithë heshtin për të lënë diktaturën të lulëzojë, disa “gjela” këndojnë dhe kanë zë kundër saj. Është momenti kur rrëfimtari tregon se toga e pushkatimit ka ardhur në qeli për të marrë e për t’i çuar përpara ekzekutimit 12 të dënuar me vdekje.

Janë 12 njerëz dhe atdhetarë të mirë, të shkolluar, të cilët s’kanë bërë kurrfarë krimi, që janë gjykuar dhe po ekzekutohen nga kriminelë të kualifikuar me një përvojë të gjatë antishqiptare. Është At Gjergj Suli ai që po rrëfen, i cili është nxjerr nga radha për t’u pushkatuar i fundit, me qëllim të bekimit të të gjithë të ekzekutuarëve, përpara se ata të zbresin të falur në botën e përtejme. Toga e pushkatimit nuk kursen asnjë, madje as priftin, i cili nuk mundet të lërë amanetet e fundit, se “po vdes i pastër para Zotit e popullit tim. Pa damkën e tradhëtisë…”.

Plumbat janë më të shpejtë se amaneti. Ai i kosit të gjithë pa dallim, është mjeku ai që përkulet për të verifikuar vdekjen në mbarim të agonisë. Togeri i togës së ekzekutimit kap nga jaka e veladonit priftin dhe i thotë nën ngërdheshjen ironike: “S’kam asgjë personale me ty, At. Është thjesht çështje detyre… Mandej, duke mposhtur të qeshurën nën hundë, shton, pa hequr grykën e kobures nga tëmthat e mia: Ju e kuptoni, At i nderuar, dhe jam i sigurt, se do të luteni për mua… në botën tjetër!…

Ky është një ndër 84 tregimet e shkurtra, të rrëfyera në vetën e parë, nga sytë e protagonistit, i cili herë është i gjallë, herë i vdekur, ndonjëherë i kallur në dhe pa varr, herë është fëmijë e herë i rritur, herë vajzë, grua, herë djalë, burrë. Kemi rrëfimtarin e kudondodhur, i cili lëviz me një shpejtësi të hatashme në një shumësi ngjarjesh dhe veprimesh. Këto tregime, të cilat, në dukje, nuk kanë asnjë fije të përbashkët, kanë unitet tematik, që mban të bashkuar logjikën e ngjarjeve dhe të rrëfimeve. Bashkekzistenca e shumë rrëfimeve krijojnë një ansambël polifonik, ku zërat e shumë subjekteve kompozicionalë pikëtakohen dhe jetojnë si një tërësi.

Tek “Testamentet e tradhtuara”, Milan Kundera sjell në retrospektivë një bisedën e tij me Gabriel Garsia Markezin, i cili 20 vjet më parë i pat thënë se është Kafka ai që i kishte bërë të kuptojë se mund të shkruhet ndryshe. Që do të thotë të kapërcesh kufirin e gjërave të gjasshme. Një gjë e tillë jo duke u mërguar nga bota reale (në mënyrën e romantikëve), por duke e ngërthyer më së miri atë.
Është bash ajo që Tufa ka bërë në librin e tij: ka kapërcyer kufirin e perceptimit njerëzor të ndodhisë. Ai nuk e ka shpikur atë, por ka ndërtuar mbi realen një shumësi rrëfimesh. Nuk kemi një vepër biografike, por një dhembje kumbuese deri në palcë. Kemi variacionin autorial të ngjarjeve, duke i rikompozuar tërësisht ato, duke u futur në thellësinë e mendimeve, në vuajtjet e zemrës, në dhimbjet e shpirtit, edhe pse historitë e rrëfimeve janë marrë nga dëshmi konkrete.

Me këtë libër, Agron Tufa ka arritur që nëpërmjet narrativës së tij të sintetizojë fatkeqësinë e një populli të tërë. Vepra i ngjan një muzeu të vërtetë dhimbjesh njerëzore. Kemi një lloj letërsie të angazhuar, përsa i përket pikënisjes dhe qëllimit, ashtu siç e pranon vetë autori në shënimet përcjellëse për librin, ku, mes të tjerash, pohon se: “…Qëllimi im ka qenë t’u jap zë hijeve tragjike, të cilat mbushën skenat mortore përgjatë ritualit satanik të flisë në “meshat e zeza” që bënte diktatura komuniste me adeptët dhe xhelatët e saj të përzgjedhur…”

Pavarësisht kësaj, ky angazhim mund të rrezikojë të cenojë krijimtarinë e Tufës përsa i përket lexuesit. Dihet që shoqëria jonë është thellësisht e polarizuar përsa i përket së shkuarës. Ky polarizim mund të dëmtojë veprën. Mirëpo, duket se një gjë e tillë nuk e frikëson autorin, moderniteti i krijimtarisë së të cilit kërkon lexuesin model të së ardhmes, i cili do të jetë gjakftohtë përsa i përket historisë dhe do të arrijë të receptojë veprën i lehtësuar nga barra ideologjike dhe konfliktuale e së shkuarës.

Tek këto rrëfime, Tufa ka arritur të na japë atë që Kundera e quan bukurinë e barbares. Vuajtja nuk është fshehur, tmerri është aty. Vetëm se është rrëfyer duke dëftuar artistikisht shëmtinë e saj. Kemi të përshkruar portrete fëmijësh që hidhen në pus e mbyten, vajza që vuajnë e vdesin nga uria, burra që ekzekutohen, gra që përdhunohen, njerëz që gjymtohen, sakatohen, ngelin shurdhë, të tjerë që jetojnë me “mallkimin fillestar” të ekzistencës njerëzore, gjithsesi, të pakuptueshëm dhe të pamotivueshëm, njerëz që lindin dhe vdesin, pa kurrfarë faji dhe përgjegjësie, nga të ngjashëm që portretizohen me të gjithë tiparet dhe karakteristikat e tyre. Të gjitha këto dëshmi, të gjithë këto momente, histori dhe ngjarje, kanë një rëndësi të barabartë estetike.

Tregimet e këtij libri i ngjajnë prozës së shkurtër poetike. Në to ka figuracion të pasur letrar, ka ngjeshje rrëfimi, ka muzikalitet dhe ritëm, që harmonizohen në ngjarjet dhe historitë e rrëfyera. Poeti brenda Agronit nuk është shkëputur plotësisht, kurse shkrimtari Tufa na përcjell mesazhe të thella humane nëpërmjet prozës rrëfimtare.

Historitë e kësaj vepre të ngelin gjatë në kujtesë. Është një libër që mund të lexohet shumë shpejt si vdekja, ashtu siç mund të lexohet shumë ngadalë si jeta. Çdo tregim është një rrëfim tek i cili mund të qëndrosh gjatë. Duket se gjithçka këto tregime e kanë me bollëk. Ky libër do t’i mbijetojnë kohës për shkak të mjeshtërisë rrëfyese, vërtetësisë së ngjarjeve dhe, mbi të gjitha, paanësisë së të treguarit. Ndofta duket si paradoks, por viktimat tregojnë për vetveten dhe për xhelatët e tyre me një paanësi të lakmueshme. Ndonëse janë në gjendje të pashpresë, në vuajtje ose të larguar nga kjo botë, ata thjesht rrëfejnë me një objektivitet të pashpjegueshëm. Është pikërisht ky parim, që vjen prej agut të letërsisë së madhe, ai që do ta mbajë në shinat e artit letrar.

Në të ardhmen, kur historia e letërsisë shqipe të shkruhet, me siguri që studiuesit do të përmendin se përmbledhja me tregime “Kur këndonin gjelat e tretë” është vepra e fundit që Agron Tufa botoi përpara kërkimit azil politik në Zvicër. Arsyet e këtij veprimi mund të gjenden (edhe) mes tregimeve të këtij libri. Mirëpo, në atë kohë, ndofta, imagjinata nuk do të jetë e aftë t’i vijë në ndihmë kujtesës dhe të rindërtojë të shkuarën e largët. Ndaj kjo vepër do të marrë rëndësi, pikërisht për të mbajtur gjallë kujtesën, që lexuesit të mos vdesin pa e marrë vesh të kaluarën.

Ose, ashtu siç thotë vetë Tufa në fund të librit, “…puna e dëshmisë me format e larmishme të saj, është rezistenca e vetme…, për të mos u njëjtësuar të gjithë me krimin e pandëshkuar”./Gazeta Liberale /