Nga Gladiola JORBUS

Në kupolën e mbrëmjes shuhen

jehonat e zërave pa ngjyra.

Shija e pluhurit ngjan me lotët

që trashëguam nga Dhiata e vjetër.

Sonte zhytem në  qepallat e tua,

notoj në dhembjen skllavëruese,

buzë një dritareje pa yje.

Të vdekurit ëndërrojnë

 më shumë se të gjallët.

Shpirti im ka vetëm një stinë,

por endet në dukuritë e motit

të kthjellët, të ngrysur, të ashpër, të lagësht.

Si një flutur nate  i përvidhem

shtratit tënd të llohës.

Dhe dashuria  tretet

në një britmë lotësh.