Aty ku zjarri nuk u shua për qindra vjet, ku dëgjohet muzikë tradicionale shqipe, këngë me lahutë, tregime rreth Kanunit nga ekspertët e shumëçka tjetër. Kjo ndodh në Junik, në vendin e Kullave.

Por, është njëra nga to që dallon më shumë. Kulla e Ramë Zyberit është rast unik i restaurimit të kullave në Kosovë i cili është inicuar nga vet pronari me investime private.
Kati përdhes, i cili tradicionalisht shfrytëzohej si ahur, është shndërruar në një restorant të vogël, që zgjatet e del deri në oborr dhe ka një pamje të bukur dhe relaksuese nga kopshti. Në katin e parë, në të cilin banonte dikur familja, gjenden tre dhoma të gjumit të stilit tradicional dhe dy banjo moderne. Kati i dytë, në të cilin tradicionalisht ndodhej oda e burrave, është i pajisur me një oxhak, çilimë tradicional, dyshekë rreth murit dhe stoli të bukura.

Jo vetëm kaq, kjo Kullë përveç që shton turizmin në këtë vend, ndikon në gjenerimin e të ardhurave te banorët në Junik dhe rajonin e kësaj pjese, ajo po ndihmon edhe në punësimin e grave. Kjo e fundit ngase, ushqimi për secilin që viziton apo qëndron në Junik, sigurohet përmes dy organizatave të grave në këtë komunë.

Sikur edhe kullat e tjera në Junik dhe përreth të mos mbeteshin private, Juniku besohet se do të shtonte numrin e turistëve.

Ata që duan të qëndrojnë në Junik, vetëm 15 euro kushton nata në Kullën e Ramë Zyberit.

Kullat, që në anglisht njihen “tower” janë një lloj i veçantë i shtëpisë prej guri që gjenden kryesisht në Kosovën perëndimore dhe në veri të Shqipërisë.

Kulla ndodhet në Junik, fshatin më të madh dhe komunën më të vogël të Kosovës, në afërsi të Deçanit dhe Gjakovës dhe në vendin ideal për ata që janë të interesuar të ngjiten në Gjeravicë, majën më të lartë në Kosovë


Kulla e Rame Zymberajt