Nga: Fitim Behluli

Më 6 tetor 2021 u bënë 53 vjet nga lejimi i përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar, në viset ku jetonin shqiptarët në ish-Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë. Deri atëherë, për këtë flamur shqiptarët sakrifikoheshin, persekutoheshin, burgoseshin e madje vriteshin.

Po për këtë, Remzi Baloku i vuajti dhjetë vjet burg. Në një intervistë që ai e dha para se të vdiste, ka treguar se flamuri kombëtar shqiptar ishte ngritur në Pejë, në vitet 1946-47, e më pas në Prizren dhe në Prishtinë. Më 6 tetor 1968, kur zyrtarisht lejohet përdorimi i lirshëm i flamurit kuqezi, Baloku vuante dënimin në Burgun e Pozharevcit, bashkë me politikanin dhe disidentin e njohur slloven, Jozhe Puçnik.

“E prita mirë lajmin. Por, nuk u kënaqa me kaq, sepse ideal e kishim bashkimin e trojeve shqiptare”, ka thënë ai. “Në vitin 1971, kur u lirova nga burgu, në Pejë arrita pas orës një, pas mesnate. Tek Ura e Zallit kishin dalë qindra njerëz për të më pritur. Aty e pashë se vetëdija kombëtare nuk kishte të ndalur dhe se gjërat po ndryshonin”.

Sipas Balokut, flamuri shtetëror i Kosovës duhet respektuar derisa “t’i vijë koha që të paloset në muze”, sepse, siç ka thënë ai, Kosova duhet patjetër të bashkohet me Shqipërinë.

“Trojet tona duhet të bashkohen. Brezat e rinj duhet të punojnë për këtë”, ka porositur ai.

Baloku vdiq më 11 prill 2021, në moshën 88 vjeçare. Në vitin 1959 e themeloi Organizatën për Bashkimin e Trojeve Shqiptare, që veproi në mënyrë ilegale deri vitin 1964, derisa nuk u zbulua nga UDB-ja jugosllave. Deri në çastet e fundit të jetës ishte kryetar i Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë të Kosovës, dega në Pejë. /RADIO 1/Njeshi/