Piktori Qamil Grezda ka lindur në Gjakovë në maj të vitit 1917 në një familje misionare patriotike. Familja e tij u largua nga Kosova për shkak të politikës diskriminuese serbo-sllave. Më pas familja Grezda vjen në Tiranë, ndërsa Qamil Grezda vazhdoi shkollimin me artistët e mëdhenj, Odhise Paskali dhe Abdurrahim Buza. Në vitin 1939, ai u pranua në Akademinë e Arteve në Romë, të cilën e kreu me sukses. Grezda shquhet për kreativitet të lartë shprehës, ku dallohen portrete si “Romania”, “Portret plake”, “Portret gruaje”, “Shkodrani” e të tjera. Ai shquhet edhe për pikturimin e figurave historike, si “Bajram Curri”, “Isa Boletini”, “Gryka e Kaçanikut”, “Lidhja e Prizrenit “ “Hasan Prishtina”, etj. Në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë ruhen 33 vepra të tij. Dhe, për punë kreative tejet të ravijëzuar, piktori Grezda u shpërblye me shumë shpërblime e me mirënjohje të veçanta, e njera prej tyre është nga Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë në viti 1985 me urdhërin “Naim Frashëri”, të kl. II-të.