(Fatmire Duraku, “Ora me qostekë”, botoi “Fad” Prishtinë, 2019)

Romani i sapo botuar i Fatmire Durakut dëshmon dhe një herë përkushtimin dhe arritjen e lakmueshme në disa gjini letrare të autores. Ajo shkruan poezi, tregim për fëmijë e të rritur dhe sidomos është shquar në shkrimin e prozës së gjatë. Romani “Ora me qostekë” është sa real dhe kaq rrëqethës – me inserte, detaje dhe ngjarje tronditëse, të cilat i përjetoi popullata shqiptare. Çdo shkronjë, çdo fjalë, çdo thënie e këputur nga shpirti dhe goja e personazheve ndërsa e lexon librin të vijnë prapë të gjallë dhe me jehonë të përhershme, njëjtë ata që arritën t`i ikin rrezikut të vdekjes dhe atyre që mbetën të vdekur.

I sheh dhe nuk mund të kuptosh me diçka kaq bizare, të cilat i bëri sodateske serbe. I lexon dhe njëkohësisht i sheh para vetes nga i mbyllin sytë, nga i lënë ëndrrat dhe nga shuhen. Prozë e punuar me shpirt, shkrim i radhitur me vetëflijim, për ditët dramatike nëpër të cilat kaloi mbarë populli shqiptar duarthatë, i ballafaquar me egërsinë e tmerrshme, veç për ta lënë pragun e shtëpisë, për t`i bërë hapat e fundit, për të lëvizur kryesisht plakat, gratë shtatzëna dhe fëmijët e mitur nga trojet e veta etnike, për t’i lënë vatrat e tyre dhe varret e për të marrë botën në sy për ta shpëtuar kokën.

Shumë nga këta mbetën të varrosur në tokën e tyre, të zhvarrosen prapë me kapitullimin dhe tërheqjen e forcave vrastare serbe për t`u varrosur në varre të përbashkëta nëpër mbarë Serbinë.